Pas fitores 0-3 kundër Pisas, Napoli siguroi një vend për në Champions League sezonin e ri. Paçka një sezoni shumë të mirë, trajneri Antonio Conte është pranë largimit dhe destinacioni i radhës pritet të jetë kombëtarja e Italisë.
Pas ndeshjes ai dha sinjale lamtumire që janë ndjerë në ajër prej javësh, duke thënë se presidenti De Laurentiis i di prej kohësh qëllimet e tij.
“Klubi po punon për të ardhmen, të presim ndeshjen e fundit dhe pastaj së bashku me presidentin do të themi atë që është vendosur. Unë ia kam thënë prej një muaji mendimin dhe objektivin tim.
Unë kam premtuar që kur të largohem, do të lë këtu një grup solid që të bezdisë Milanin, Juven dhe Interin, të cilat e nisin gjithmonë një metër përpara. Nëse Napoli i bezdis çdo vit dhe ia del t’i kapërcejë një vit po e një vit jo, do të ishte diçka e madhe.
Është e drejtë që të jemi të qartë me presidentin, do t’i jem gjithmonë mirënjohës, pavarësisht asaj që do të ndodhë në vitin e ardhshëm. Më ka dhënë mundësinë që të jetoj në një ambient si i Napolit dhe të festoj. Më kanë thënë gjithmonë se kur fiton në Napoli është njëlloj si ta bësh 10 herë në një klub tjetër”, tha Conte.
Lajmi kryesor:
Serie A/ Interi feston titullin kampion, Juventusi turpërohet në shtëpi dhe rrezikon Evropën! Napoli siguron Championsin, Milani e Roma tri pikë të arta (Renditja)







