Korporata e Investimeve Shqiptare ka njoftuar se tre projektet për rijetëzimin e stadiumeve sportive në Durrës, Vlorë dhe Korçë janë anuluar për shkak se nuk ka pasur asnjë ofertë.

Në të tre projektet Korporata jep të njëjtin argument: “Arsyeja e anulimit: Nuk u paraqit asnjë aplikant në datën dhe orën e caktuar.”

Thirrjet për këto projekte u hapën në korrik të vitit të kaluar dhe afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave ishte shtatori vjet. Por Korporata njofton tashmë se procedurat janë anuluar për mungesë pjesëmarrje në garat e shpallura.

Stadiumi i ri i Korçës ishte i projektuar në përputhje me arkitekturën e vetë qytetit me 10 mijë vende. Vetë stadiumi është projektuar me tre kate, ndërsa ndërtesat ngjitur me të kanë mesatarisht tre deri në katër kate.

Për mungesë ofertash u anulua edhe procedura për stadiumin ‘Niko Dovana’, i projektuar nga studioja belge 51N4E, që parashikon hapësira për evente, ambiente për komunitetin. Ndërsa rreth stadiumit parashikohet të ndërtohen qendra kulturore e sportive, hotele me shume kate, zyra dhe qendra tregtare.

Kurse stadiumi i “Flamurtarit” në Vlorë, është i projektuar për 12 mijë vende, i rrethuar edhe ai me hapësira ku do të vendosen bare e restorante si dhe do të ndërtohen dhe 4 kulla.