Anulohet vizita e ministrit rus Lavrov në Serbi, zbulohet arsyeja

Anulohet vizita e ministrit rus Lavrov në Serbi, zbulohet arsyeja

Sergei Lavrov

Vizita e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Serbi është anuluar. Kjo pasi vendet përreth Serbisë mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët e tij, tha një burim i lartë i ministrisë së jashtme për agjencinë e lajmeve Interfax të dielën.

I njëjti burim ka konfirmuar raportimet se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kishin mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionin, me të cilin do të udhwtonte shefi i diplomacisë ruse për në Beograd të hënën.

“Diplomacia jonë ende nuk e ka shpikur teleportimin”, tha burimi. Nuk ka asnjë koment nga ministria e jashtme ruse.

Të premten ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se ministri Lavrov do të qëndrojë në Beograd me 6 dhe 7 qershor. Paralajmërimi pasoi dakordimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç me presidentin rus Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia. Presidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë.

Serbia, ka refuzuar deri tani t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:57
Vuçiç: Rreth vizitës së Lavrovit në Serbi u krijua histeri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i tha Radio Televizionit të Serbisë më 6 qershor se ai ishte i pakënaqur me atmosferën e krijuar në botë për shkak të vizitës të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe se lidhur me këtë vizitë, ishte krijuar “histeri”.

“Në shumë bisedime, Serbisë iu kërkua që ta anulonte vizitën”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbisë nuk iu lejua që të bisedonte me ministrin e Jashtëm rus.

Lavrov ishte paraparë që të vizitonte Serbinë më 6 qershor, por Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria refuzuan që të lejonin avionin e Lavrovit mbi hapësirën e tyre ajrore.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo lëvizje e këtyre tri shteteve ishte “akt armiqësor”.

Njoftimi për vizitën e Lavrovit në Serbi u bë disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një bisede telefonike më 29 maj, u pajtuan për një marrëveshje të re të furnizimit të Serbisë me gazin natyror rus.

Lavrov së bashku me Putinin janë në listën e sanksioneve të shumë shteteve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Të vetmet vendeve në Evropë që ata mund të udhëtojnë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Vuçiç tha se Serbia e dënon sulmin rus ndaj Ukrainës në përputhje me ligjin ndërkombëtar, por Rusia është mike tradicionale e Serbisë.

Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus.

Vuçiç shtoi se Serbia do të mbajë politikën e saj “për marrje të vendimeve në mënyrë të pavarur”, por që duhet të përshpejtojë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.


“Pres që Qeveria e re të udhëheqë fuqishëm rrugën drejt integrimit evropian, por edhe të mbajë politikën e pavarur”, tha ai.

I pyetur për vizitën e paralajmëruar të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Serbi më 10 qershor, Vuçiç tha se Gjermania është partnerja kryesore tregtare e Serbisë dhe së fundmi është bërë edhe investitore e madhe.

Ai shtoi se ishte njoftuar paraprakisht nga zyra e Scholzit se kancelari gjerman do të shkojë në Serbi pavarësisht vizitës së Lavrovit.

Scholz do të ketë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor, në Greqi dhe Bullgari. Ky turne pritet të përqendrohet në perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në kontributin gjerman për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe në tejkalimin e bllokadave dypalëshe./REL

Ora 14:49
Anulimi i vizitës së ministrit rus në Serbi, reagon Berisha: Po shkonte në Beograd për Ballkanin e Hapur! Përshëndes vendimet e vendeve anëtare të NATO-s

1654269959_saliberisha.jpg

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar për anulimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov në Serbi pasi vendet përreth mbyllën hapësirën ajrore për avionët e tij. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha thotë se do të shkonte në Beograd për Ballkanin e Hapur.

"Goebelsi i Vladimir Putinit, Lavrov i del zo  Ballkanit te Hapur si projekt rus! Pas ndalimit qe i beri Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, avionit te tij per te fluturuar ne hapsiren ajrore te ketyre vendeve per ne Beograd, Goebbelsi i diktatorit gjaksor Putin ju deklaroi mediave serbe se ai po shkonte ne Beograd per projektin e Ballkanit te Hapur. Te dashur miq, kjo provon se Edi Rama vasal i Aleksander Vuçiç me Ballkanin e Hapur kerkon te vendosi Shqiperine vendin anetar te NATO-s nen hegjemonine e Serbise dhe influencen direkte te Rusise", shkroi  Berisha.

Teksa i referohet një deklarate të Lavrov për mediat serbe, Berisha falenderon vendimet e qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për ndalimin e fluturimit të avionit të ministrit rus.

"Konkretisht Lavrov deklaroi per mediat serbe: “Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t'i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur-tha ministri i Jashtëm rus. Me kete rast pershendes perzemersisht vendimet e qeverive te vendeve anetare te NATO-s per ndalimin fluturimit te avionit te ministrit te Putinit ne hapsiren e tyre ajrore dhe denoj me forcen me te madhe aktin antikombetar, anti europian te Edi Rames, mbeshtetjen nga ana e tij te projektit ruso-serb te Ballkanit te Hapur", shkroi Berisha.

Ora 13:39
Lavrov reagon për herë të parë pas anulimit të vizitës në Serbi: Bllokimi i hapësirës ajrore akt i pashembull

1653997730_1251837.jpg

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se anulimi i vizitës së tij në Serbi, ka qenë i pashembullt.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media, pasi vendet afër Serbisë - Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi - kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin që planifikohej të dërgonte kryediplomatin rus të hënën në Beograd.

Lavrov ka thënë se homologu i tij serb, Nikolla Sellakoviq është ftuar në Moskë, dhe shpreson që udhëtimi i tij nuk do të pengohet.

Rusia ka fajësuar Perëndimin pasi Lavrov ka anuluar vizitën në Serbi.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka konsideruar vendimin “një tjetër kanal të mbyllur të komunikimit”, në disa komente që janë përcjellë nga agjencitë ruse të lajmeve.

Kremlini ka thënë të hënën se mbyllja e hapësirës ajrore ka qenë “veprim armiqësor”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se një veprim i tillë mund të ndryshojë orarin e takimeve të nivelit të lartë diplomatik.

Megjithatë, Peskov ka thënë se kjo gjë nuk do ta pengojë Moskën nga mbajtja e kontakteve me shtetet mike.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të dielën se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenca e Serbisë ka bërë të ditur se në vend të takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me Lavrovin, lideri serb do të takohet të hënën me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko.

Serbia, vend që ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, e ka përballuar presionin për të marrë qëndrimin për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Serbia është krejtësisht e varur nga nafta dhe gazi rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar muajin e kaluar që Rusia të vazhdojë të dërgojë gaz natyror në Serbi, derisa disa shteteve u është bllokuar furnizimi për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse./REL

Ora 12:53
Lavrovit anulon vizitën në Serbi për shkak të bllokimit, reagon Kremlini: Veprim armiqësor

1653997730_1251837.jpg

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u detyrua të anulojë udhëtimin e tij në Serbi sot pasi një sërë vendesh përreth e ndaluan avionin e tij të hynte në hapësirën e tyre ajrore. 

Kremlini e ka përshkruar veprimin nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Mali i Zi si "veprim armiqësor". 

Në minutat e fundit, zoti Lavrov ka folur për situatën, të cilën ai e quajti "të paprecedentë". 

“Ne ende nuk kemi marrë një shpjegim për vendimin”, tha ai. 

Ai shtoi se homologu i tij serb është ftuar në Moskë dhe ai "shpreson se udhëtimi i tij nuk do të pengohet". 

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se veprime të tilla mund të shkaktojnë probleme me orarin e takimeve diplomatike të nivelit të lartë. 

Megjithatë, ata nuk do ta pengojnë Moskën të mbajë kontakte me vendet mike, tha ai. 

Ora 07:59
Shkupi konfirmon se ka refuzuar kërkesën për fluturimin e Lavrovit

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Lavrov, së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin, janë në listën e sanksioneve të shteteve të shumta perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës. Shtetet e vetme ku ata mund të udhëtojnë në Evropë janë Bjellorusia, Moldavia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, e cila ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ka mbështetur edhe mbylljen e hapësirës ajrore të Kosovës për avionët rusë, por misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se hapësira ajrore e Kosovës do të mbetet e hapur.

Vizita e Lavrovit në Serbi është paralajmëruar për 6 dhe 7 qershor.

Mediat në Serbi kanë raportuar se edhe Mali i Zi dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit të Lavrovit në hapësirën e tyre ajrore. Të dy këto shtete po ashtu i kanë vendosur sanksione Rusisë.

Siç ka thënë përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më 3 qershor, është planifikuar që Lavrov të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefin e diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq dhe kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq. Po ashtu ajo ka thënë se Lavrov pritet të takohet edhe me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Zëdhënësja e Kremlinit konfirmoi vizitën e Lavrovit në Serbi

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 qershor deklaroi se situata rreth vizitës së paralajmëruar të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, në Beograd po komplikohet.

Vuçiq, gjatë qëndrimit në Bratisllavë, i tha Televizionit Pink se nuk ishte i gatshëm të jepte më shumë detaje.

“Po komplikohet, padyshim që po komplikohet. Nuk jam gati të flas ende për këtë, por po – po komplikohet. Çështja është se si do të vijë... do të shohim”, shtoi Vuçiq.

Mediat në Serbi po ashtu raportuan se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha të dielën se situata në lidhje me vizitën e Lavrovit në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se Vuçiq po merrej me logjistikën rreth udhëtimit të kryediplomatit rus.

Njoftimi për vizitën e Lavrovit ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht në Serbi, ndërsa në faqen e internetit të presidentit të Serbisë thuhet se Aleksandar Vuçiq do të jetë në Maqedoninë e Veriut nga data 7 deri më 8 qershor, ku do të marrë pjesë në takimin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Megjithatë, Lavrov ka thënë më 4 qershor se gjatë vizitës së tij në Beograd, ai do të diskutojë "të gjitha temat me interes për miqtë serbë" me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Republikë Sërpska më 4 qershor, Lavrov po ashtu foli edhe për Kosovën, duke thënë se qëndrimi i Rusisë për të dihet, por se është i interesuar të dëgjojë vlerësimet e presidentit të Serbisë dhe politikanëve të tjerë serbë për "situatën".

“Sigurisht, është shumë e rëndësishme që të kuptojmë vlerësimet e udhëheqjes serbe dhe planet e saj të veprimit për periudhën e ardhshme, duke filluar nga marrëdhëniet e sotme në botë”, tha Lavrov.

I pyetur për deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin, në të cilën ai më 26 prill e krahasoi Kosovën me dy rajone separatiste në Ukrainë dhe për reagimin e presidentit të Serbisë, Lavrov tha se është një “keqkuptim i madh”.

“Ai presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e tha këtë vetëm për të treguar hipokrizinë absolute dhe standardet e dyfishta të Perëndimit për Kosovën dhe se do të mbështesë vendimin që do të jetë i pranueshëm për popullin serb”, tha Lavrov.

Rusia, ashtu si Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Më 6 maj, Vuçiq tha se situata në Serbi kishte "ndryshuar për të keq" pas deklaratave të presidentit të Rusisë dhe se “i gjithë Perëndimi do t'i kërkonte Serbisë që të lëvizte shpejt drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t'i tregonin Putinit se kjo ishte jo e njëjta gjë dhe se Kosova nuk i ngjanë asaj që po ndodh në territorin e Ukrainës”.

Serbia refuzon të vendosë sanksione kundër Rusisë, por ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë.

Serbia dhe Rusia tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe, të forcuara nga varësia e Serbisë nga gazi rus./REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë