Banorët që kundërshtojnë projektin TID në Durrës u mblodhën edhe këtë të premte para Bashkisë së qytetit bregdetar, duke vijuar një protestë që tashmë është kthyer në traditë sa herë që zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër projektit, protestuesit kërkuan anulimin e tij dhe shfuqizimin e të gjitha vendimeve që lidhen me zbatimin e tij. Sipas tyre, projekti cenon pronat e banorëve dhe duhet të ndalet.
Në qendër të kritikave të tyre ishin kryebashkiakja Emiriana Sako, kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja Mirela Kumbaro.
“Sot është mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës. Ne që kemi ardhur këtu, kërkojmë shfuqizimin, atë që keni bërë me dorën tuaj duhet ta shfuqizoni. Projekti që ka firmosur Belinda Balluku, Edi Rama dhe Ermirjana Sako duhet shfuqizuar. Po na vidhni pronat tona. Jeni bërë pronarë të Durrësit. Me ccfarë të drejte hiqni njerëzit nga shtëpitë për të bërë lulishte? Ky është plan hajduti. Bashkia nuk ka më fuqi t’i thojë ‘jo’ Edi Ramës” tha një prej folëseve në protestë .
Edhe pse në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak nuk kishte asnjë çështje që lidhej me projektin TID, protestuesit vijuan thirrjet e tyre gjatë gjithë kohës që zhvillohej mbledhja.
Disa thirrjeve të tyre ngjanin me ato të protestave të zhvilluara në Tiranë, ku kërkohej edhe dorëheqja e kryeministrit Rama. Në shënjestër të protestuesve ishte edhe kryebashkiakja Sako.
Protesta u zhvillua pa incidente dhe mbeti në kuadrin e një tubimi qytetar.
E ndërsa banorët e prekur nga projekti TID protestonin para bashkisë,kryebashkiakja Sako ka sqaruar situatën lidhur me hapat e ndërmarrë për këte projekt për të zbutur pasojat ndaj banorëve të zonës.
Ajo tha se Bashkia e Durrësit i është drejtuar Ministrisë së Turizmit,Kulturës dhe Sportit me kërkesën për ngritjen e një grupi të përbashkët pune,për rivlerësimin e objekteve që preken nga projekti e për të përcaktuar nëse ato mbartin vlera historike.
Ajo tha gjithashtu se një grup pune i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe bashkisë së qytetit ka kryer inspektime në terren dhe ndërkohë i është drejtuar Agjencisë së Kombëtare të Shpronësimeve që të rishikojë vlerat e kompensimeve.
“Ne e kemi diskutuar disa herë këtë projekt. Është një projekt shumë i rëndësishëm për qytetin dhe e vlerësojmë. Nga ana tjetër, detyra jonë është të dëgjojmë shqetësimet e banorëve dhe zërin e tyre. Pas takimit që është zhvilluar mes banorëve dhe Kryeministrit, i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për ngritjen e një grupi të përbashkët pune. Një nga kërkesat tona ka qenë që objektet të rishikohen edhe njëherë për të vlerësuar nëse mbartin ose jo vlera historike. Para pak javësh, një grup pune nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, së bashku me përfaqësues të Bashkisë Durrës, ka inspektuar të gjitha objektet në Terren. Gjithashtu, i kemi dërguar një kërkesë Agjencisë Kombëtare të Shpronësimit, ku kërkojmë rishikimin e vlerave të shpronësimeve. Pas analizave që kemi kryer në tregun imobiliar, kemi konstatuar se me vlerat aktuale të përcaktuara, familjet e prekura nuk mund të blejnë një banesë tjetër” u shpreh Sako.
Çfarë është projekti TID dhe pse po kundërshtohet?
Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, përfshirë edhe bulevardin “Epidamn”, një nga zonat më të vjetra dhe më të frekuentuara të qytetit.
Por ky projekt ka ngritur shqetësime të forta, pasi parashikon prishjen e dhjetra banesave dhe bizneseve private. Rreth 74 familje preken drejtpërdrejt nga shpronësimet, ndërsa fondi i akorduar për kompensim është rreth 315 milionë lekë.
Banorët pretendojnë se dëmshpërblimet janë shumë më të ulëta se çmimi i tregut, çka sipas tyre i lë pa mundësi për të blerë një banesë tjetër.
Projekti përfshin edhe ndërhyrje në zona të rëndësishme historike si amfiteatri, muret bizantine dhe zona pranë Torrës Veneciane, ndërsa parashikon edhe ndërtimin e hapësirave të reja publike dhe parkimeve.
Komente











