Në “kulmin” e Tetorit Rozë, muajit që u kushtohet kontrolleve për parandalimin e kancerit të gjirit, mamografia në spitalin Onkologjik të QSUT nuk funksionon.

Report Tv bisedoi jashtë kamerës me disa gra që ishin paraqitur për këtë ekzaminim, por pa mundur ta kryejnë. Ato thonë se mjekët u kanë sugjeruar që për momentin të bëjnë vetëm eko të gjirit, pasi pajisja ka dalë jashtë funksionit prej afro një jave për shkak të një defekti.

Pacientëve nuk u është dhënë ende një njoftim se kur do të mund ta kryejnë mamografinë, ndërsa Report Tv nuk ka marrë ende asnjë përgjigje për këtë çështje, deri në publikimin e këtij shkrimi.

Kjo ministri vijoi edhe këtë të premte me thirrjet për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit, në një kohë që vetë nuk mund të ofrojë shërbimin bazë në Spitalin më të madh onkologjik në Shqipëri.

E sikur të mos mjaftonte kjo, as pacientet me kancer gjinekologjik, që duhet të trajtohen përmes aparaturës së brakiterapisë, nuk po e marrin dot shërbimin prej disa muajsh.

Burime nga spitali Onkologjik sqarojnë se ekipi shqiptar i teknikëve të specializuar për riparimin e këtyre aparaturave duhet të konsultohet me ekspertë të huaj për të ndërhyrë, një procedurë që shpesh zgjatet me javë apo muaj. Brakiterapia e nisi punën vetëm një vit më parë, por ndërprerjet kanë qenë të shpeshta.