Apeli i 100-vjeçares dëgjohet! Dhjetëra
 qytetarë në ndihmë të nënë Barbulles 

Apeli i 100-vjeçares dëgjohet! Dhjetëra<br /> qytetarë në ndihmë të nënë Barbulles 
TIRANE - Qytetarë të thjeshtë, gazetarë, të moshuar e biznesmenë janë ngritur në këmbë për të ndihmuar të moshuarën 100-vjeçare Barbulla Pepa, mjerimi i së cilës të rrëqeth: E vetme mes katër mureve në një dhomë e cila vetëm emrin ka të tillë, pasi kushtet e jetesës të japin përshtypjen e një stalle bagëtish…dhe mbi të gjitha shteti ishte kujtuar për të për t’i ndërprerë energjinë. 7 mijë lekëshi (të rinj) që e moshuara merr si pension në muaj nuk i dilte as për të siguruar bukën e gojës, ndaj 100-vjeçares i ishin mbledhur 350 mijë lekë të vjetra borxhe ndaj OSHEE-së. Pas lajmit të transmetuar në Shqiptarja.com një biznesmen ka marrë përsipër të paguajë këtë shumë parash në mënyrë që nënë Barbulles t’i rikthehen dritat.
 
Një tjetër biznesmen ka kontaktuar redaksinë e Shqiptarja.com për t’i ofruar ndihmë të moshuarës së vetmuar, duke premtuar se do t’i sjellë frigorifer, krevat dhe kalorifer në mënyrë që 100-vjeçarja të përballojë dimrin e ftohtë që kemi para.
 
Isuf  Rruci është një 70-vjeçar nga Sukthi i ri. Ai jeton në zonën që njihet si ish-ferma e Sukthit dhe ka shprehur në redaksinë tonë dëshirën për të ndihmuar nënë Barbullën. Prindërit e tij kanë ndërruar jetë prej vitesh, dhe gjendja e tij ekonomike është e vështirë, megjithatë 70-vjeçarin nuk e pengon dëshira për të ndihmuar me sado pak. “Dua t’i çoj nënë Barbullës një thes me miell”, - u shpreh Isuf Rruci.
 
Edhe një emigrant nga Laçi që jeton në Itali i është përgjigjur apelit që e moshuara përcolli përmes Shqiptarja.com
 
Por nuk ka munguar edhe revolta e qytetarëve të shumtë, e një ndër to është gazetarja Erjona Rusi.
 
“Moj nëne, o nëne moj! Po si nuk të vjen zor moj? Po si nuk i ke paguar faturat e energjisë moj nëne? Po ti je dhe goxha zonjë, 100 vjeçe. Po ti duhet ta dish më mirë se kushdo moj nëne, se me shtetin nuk luhet. Çfarë? S'ke para? S'ke të hash?  Po ç'na duhet ne moj nënë? Ti ke detyrime si qytetare e këtij vendi moj nëne. Po e kupton ti, moj nëne qe po pengon rimëkëmbjen e sistemit energjetik moj. Madje, madje po të të hetojmë mirë, ka shumë gjasa që të zbulohet se ti ke gisht në vjedhjen e 600 milionë eurove të CEZ-it. Kafshatë që s'kapërdihet asht, moj nëne, mjerimi!”
barbulle pepa

Shqiptarja.com do të gjendet sërish pranë banesës së nënë Barbulles për t'i çuar asaj ndihmat e qytetarëve, zemrat e të cilëve u thyen përballë apelit të saj. Urojmë që këto ndihma materiale, veçse të ndryshojnë sadopak gjendjen e vështirë ekonomike, të sjellin gëzim për të moshuarën e vetmuar.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos