Të mërkurën, gjyqtari i posaçëm i hetimit paraprak, Erjon Bani, pritet të shqyrtojë një kërkesë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili prej më shumë se 2 muajsh ndodhet në qelinë e paraburgimit në Durrës i dyshuar për 2 akuza, për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Veliaj kërkon të lirohet nga qelia dhe i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë të arrestit me burg, masë e cila është konfirmuar edhe nga Apeli i Posaçëm më 12 shkurt, e që pritet që në vijim avokatët e tij të bëjnë rekurs në gjykatën e lartë.
Gjithashtu kryebashkiaku ka kërkuar edhe informacion 2 mujor nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me hetimet që po kryhen ndaj tij.
Këtë të martë, Apeli i posaçëm rrëzoi një kërkesë të Ajola Xoxës dhe la në fuqi vendimin e shkallës së parë për sekuestrimin e celularit. Ajo dyshohet për korrupsion pasiv, pastrim të parave e fshehje të pasurisë dhe po hetohet nën masën detyrim paraqitje.
Njoftimi i gjykatës
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 15.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 92, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses A.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 93, datë 20.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi kundërshtimin e vendimit të prokurorit për sekuestrimin e sendeve”, dhe vendosi:
· Miratimin e vendimit nr. 93 Akti, datë 20.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
· Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
Komente

