KORÇË - Aplikantët e pastrehë të cilët janë përjashtuar nga lista fituese kanë zhvilluar ditën e sotme një protestë para Bashkisë së Korçës, duke kërkuar anullimin e miratimit të listës me emrat fitues pasi sipas tyre është e manipuluar.
 
Shpërndarjen e banesave sociale edhe PD e Korçës e ka cilësuar si një manipulim të Bashkisë e cila ka dorëzuar çelësat e ndërtesave në bazë të favoreve dhe jo aplikuesve të vërtetë.
 
Pas deklaratës së PD, ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Bashkisë. Sipas drejtoreshës për marrëdhëniet me publikun, Larisa Katundi, PD është në kundërshtim të plotë me këshilltarët e djathtë pasi ata kanë votuar me unanimitet të plotë listën e kandidatëve të përzgjedhur për banesat sociale me qera.
 
“Me qëndrimin e këshilltarëve të djathtë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, është votuar me unanimitet të plotë, me 100% të votave, lista e kandidatëve të përzgjedhur që përfituan banesa sociale me qera.” tha katundi
 
Lista e kandidatëve fitues u miratua dy ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ndërsa kjo ka sjellë edhe pakënaqësinë e emrave jo fitues, të cilët protestojnë para bashkisë për të kërkuar të drejtën e tyre. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)