Dita e Tokës festohet në të gjithë botën më 22 Prill. Në këtë datë në vitin 1970, miliona amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore, që u quajt "Dita e Tokës".
Ajo festohet në më tepër se 192 vende me festivale, gara dhe aktivitete mjedisore.
Më tepër se 1 miliard njerëz marrin pjesë në fushatat për Ditën e Tokës, çdo vit. Edhe në kryeqytet janë vendosur të organizohen aktivitete të ndryshme pranë Liqenit Artificial të Tiranës duke nisur me një aksion pastrimi në park, nga nxënës të shkollave të mesme, të rinj dhe organizata.
Gjithashtu do të ketë dhe mbjellje fidanesh. Të rinjtë do të përfshihen më shumë me anë të vizatimeve të ndryshme me tematikë TOKEN (Jetesa e Gjelbër, Mbrojtja e Mjedisit, Riciklimi etj) si dhe krijime po nga vetë ata me materiale të ripërdorura.
“Pemë për Tokën”, iniciativa që i shtohet listës së aktiviteteve në ditën e Tokës me qendrën EDEN, me mbjelljen e fidanëve të bimëve të ndryshme në ambientet e shkollave “Sabahudin Gabrani” dhe Dora d’Istria. Ativitetit do të shoqërohet dhe me zhvillimin e lojrave ndërvepruese pranë Kopshtit Zologjik.
Në 23 Prill 2016, shënohet Dita Nderkombetare e Librit (Nga UNESCO) dhe për këtë arsye janë planifikuar aktivitete në Parkun e Liqenit me temën “Takim me librin”.
Frekuentuesit e Parkut të Liqenit do të mund të përfitojnë nga ekspozimi i një sërë botimesh nga më të rejat dhe deri më të shiturat që do të vendosen në dispozicionin e tyre nga shtëpitë botuese si: “Toena”, “Saras”, “Dudaj”, “Ideart”, “Ombra”, “Albas”, “Pegi”, “Argenta LMG”, “Bota shqiptare” si dhe Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, për një takim ndryshe me librin.
Gjatë paradites do të ketë një takim me shkrimtarin Zija Çela” i cili do u prezantojë nxënësve të shkollës së mesme “Ismail Qemali” botimin e tij më të fundit me tregime, të cilat kanë protagonist pikërisht këtë grupmoshë.
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është zgjedhur në vitin 1995 nga Asambleja e përgjithshme e UNESCO-s me qëllim të kontribuojë në mbarë botën për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit.
Në 24 Prill do të mbahet “Festa Rinore në Park”, duke nisur nga ora 10.00 deri në orën 13.00. Në këtë aktivitet ku protagonistë do të jenë sërish nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, do të ketë pjesë teatrale, koncert dhe recitim.
Një festë artistike kjo e cila është menduar të vijojë çdo të dielë për shkollat e mesme të kryeqytetit në mënyrë që të promovojnë talentin e tyre artistik, tashmë jo vetëm në skenat e mbyllura por në Parkun e Liqenit.
Redaksia Online
Shqiptarja.com