Arabia Saudite ka arrestuar 431 persona të dyshuar që i përkasin Shtetit Islamik (ISIS) dhe qelizave të këtij grupimi. Sipas Ministrisë së Brendshme Arabe, këta persona dyshohen për sulmet ndaj xhamive, forcave të sigurisë si dhe një misioni diplomatik të huaj.

Shumica e prej tyre janë vendas por ka edhe shtetas të huaj. Sipas agjensisë zyrtare të lajmeve SPA , policia e vendit në 6 operacione të njëpasnjëshme, ka bërë të mundur parandalimin e sulmeve kamikaze në xhamitë në provincën lindore të vendit duke shpëtuar qindra jetë njerëzish.

Grupet terroriste kishin planifikuar edhe një sulm ndaj një mision diplomatik të huaj, në provincën Sharurah, i cili u parandalua në kohë nga policia duke eleminuar dëmet materiale dhe njerëzore që mund të shkaktonte ky sulm.

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme Bassam Attiyah tha se të dyshuarit i përkasin disa strukturave të vogla terroriste të cilët veprojnë ndaras nga njëri-tjetri. Synimi i tyre është përhapja e terrorizmit në Arabi si dhe krijimi i situatave kaotike në vend.

Arabia Saudite ka ndërmarrë disa hapa për të ndaluar qytetarët e saj për tu u bashkuar me luftëtarët në Siri apo Irak. Autoriteti më i lartë fetar në vend i ka etiketuar grupet e armatosura si armiku numër një i Islamit

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)