Arben Ahmetaj nuk është pentito

Arben Ahmetaj nuk është pentito

Arben Ahmetaj

Intervistat e Arben Ahmetaj janë bërë si seri televizive që herët apo vonë do t’i humbasë dhe vlera. Ahmetaj ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës dhe ka mbajtur pozicione shumë të rëndësishme në ekzekutivin shqiptar përgjatë një dekade. Sigurisht që di shumë gjëra që luhen pas skenave për pushtetin politik, dhe fjalët e tij mund të kenë vlerë nëse vërtetë ndihmojnë drejtësinë. Nëse pastaj bëhen sa për debat publik dhe politik ato s’kanë asnjë të tillë.

Edhe për faktin se ato akuza që bënë Ahmetaj për shumë kohë me radhë i bënë opozita shqiptare, që nga tenderat e rrugëve, korrupsioni e të tjera si këto. Problemi qëndron te fakti se Arben Ahmetaj duhet të ndihmojë drejtësisë dhe jo politikën. Dhe që ta bëjë këtë duhet të bëhet pentito (i penduari) i drejtësisë. Një gjë që Ahmetaj nuk mund ta bëjë dot për shumë arsye.

E para, sepse ai e konsideron SPAK si organizatë kriminale njësoj si opozita dhe të kontrolluar nga Edi Rama. Dhe që të bëhesh ‘pentito’ duhet të kesh besim te drejtësia.

E dyta, sepse që të jesh ‘pentito’, në radhë të parë duhet të pranosh që je pjesë e organizatës kriminale ashtu sikurse ai e quan qeverinë, dhe mbi të gjitha të pranosh përgjegjësinë tënde penale dhe politike. Mirëpo Ahmetaj jo vetëm që nuk pranon asnjë përgjegjësi, por përkundrazi, mendon se ai është viktima dhe i kanë rënë më qaf kot. Nuk ka të penduar pa pranuar përgjegjësinë tënde fillimisht.

E treta, faktet për korrupsion apo informacionet që ai mund të ketë për vepra penale në përgjithësi jepen përpara organeve të drejtësisë dhe jo në intervistë në media, aq më tepër, në intervista me seri si telenovelë.

Të gjitha këto akuza që bëri Arben Ahmetaj dje mund të jenë të vërteta, por ajo që pritej nga ai ishte diçka më shumë. Vetëm kështu do të ishte një intervistë në interes të publikut dhe jo në interes të tij. Asgjë më shumë nuk tha Ahmetaj se sa ajo që thonë kritikët e Edi Ramës çdo ditë në debatet publike.

Ndërkohë që, ajo që priste publiku nga ai, ishin të dhëna dhe informacione më të sakta duke qenë se ka qenë pjesë e pushtetit dhe ka firmosur shumë nga ato afera që akuzohet kjo qeveri. Jo vetëm këto informacione nuk u dhanë, por vetë Ahmetaj i jepte instruksione gazetarit se si të investigonte dhe të shkonte tek e vërteta.

Në këtë kuptim, intervista e Ahmetaj ndihmoi më shumë politikën se sa drejtësinë. Politikën në kuptimin që akuzat që bëhen shpesh ndaj pushtetit i tha me gojën e tij dhe një ish-anëtar i këtij pushteti. Dhe fjala e tij, për një pjesë të madhe, konfirmon linjat politike dhe debatet që bëhen në mediat shqiptare sa herë ka një debat midis opozitës dhe pozitës.

Mirëpo, gjithsesi, konkluzioni mbetet. Intervista e tij më shumë do të ndihmojë debatin politik se sa SPAK-un për të vazhduar me hetime më të thelluara në aferat korruptive.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 15 Shkurt, 08:36

    Çfarë vlerësimi keni për punën e e SPAK-ut deri më sot?



×

Lajmi i fundit

Berisha kërkon votat për Avokatin e Popullit, Peleshi: S’ka pasur diskutime! Hiqet nga rendi i ditës

Berisha kërkon votat për Avokatin e Popullit, Peleshi: S’ka pasur diskutime! Hiqet nga rendi i ditës