TIRANE- Një dëshmitar okular që ka qënë në vendin e ngjarjes në momentin e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, ka dëshmuar se kishte parë Arben Frrokun, të qëllonte me dhjetëra plumba mbi personin që u gjet i vdekur mbrëmjen e 24 shkurtit 2013. Mbi bazën e kësaj dëshmie dhe disa provave të tjera që janë gjetur në vendin e krimit dhe konflikteve të vijueshme që kishte viktima me autorin, Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka vendosur të marrë të pandehur dhe të dërgojë në gjykatë biznesmenin Arben Frroku.

Ndaj këtij të fundit është ngritur akuza e “Vrasjës së efektivit të policisë për shkak të cilësive të veçanta” dhe “Armëmbajtjes pa lejë”. Për gjatë 1 vit hetime, Arben Frroku nuk ka pranuar akuzën e prokurorisë, i cili ka deklaruar se me viktimën Dritan Lamaj, ka pasur konflikte por për të gjitha këto ai kishte depozituar kallëzime penale në prokurorinë e Tiranës. Nga ana tjetër,hetuesit e Krimeve të Rënda, shprehen të bindur që organizatori dhe autori i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, është biznesmeni Arben Frroku, vëllai i deputetit të PKDSH Mark Frroku.

Dëshmitari i mbrojtur
Personi që konsiderohet si bashkëpuntori i prokurorisë, është marrë në mbrojtje nga organet hetimore. Kjo për shkak të dëshmisë deçizive që ai ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku treguar se një person i vetëm ka qëlluar në drejtim të kryekomisarit. Ky dëshmitar, në momentin e vrasjes ka qënë duke shpërndarë pica, në disa biznese afër vendit të krimit. Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se kishte parë autorin. Ndërkohë pas ballafaqimit me disa fotografi, dëshmitari ka zgjedhur fotografinë e Arben Frrokut, duke konfirmuar se kishte qënë ai njeriu që hapi zjarr në 24 shkurt 2013 mbi ish-shefin e komisariatit nr.6 Dritan Lamaj.

Dosja 12 fashikoj
Hetimet e imtësishme të kryera nga prokuroria kanë bërë që materiali hetimor ndaj Arben Frrokut të fryhet me plot 12 fashikuj, të cilët prej disa ditësh është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, në vrasjen e Dritan Lamaj është përdorur vetëm një armë e tipit automatik Kallashnikov, ndërkohë që në vend ngjarje janë gjetur rreth 20 gëzhoja. Në trupin e Dritan Lamaj, janë konstatuar 12 plagë hyrë nga predhat.

Dritan Lamaj është qëlluar brenda në makinën e tij, sapo do bëhej gati të dilte prej saj dhe të largohej në drejtim të shtëpisë. Sipas akuzës pas kryerjes së vrasjes, Arben Frroku së bashku me nipin e tij Jak Jaku është nisur në drejtim të Greqisë, ku dhe është arrestuar nga autoritet helene në një hotel të Selanikut.

Shkrimi u publikua sot (20.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)