Arben Imami inspekton
edhe rrethin e Tropojës

Arben Imami inspekton <br />edhe rrethin e Tropojës
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu dhe këshilltari i kryeministrit, z. Ilir Kadia, janë ndalur gjatë ditës së sotme në qytetin e Tropojës dhe në komunën Margegaj për të njohur nga afër situatën e krijuar në këtë zonë nga reshjet e shumta të dëborës që kanë rënë prej ditësh.

Në takimin që ministri Imami pati me krerët e pushtetit vendor u informua për problematikat dhe vështirësitë e banorëve të këtyre zonave. Sipas tyre, problematike në këtë zonë mbetet sidomos transporti i ndihmave ushqimore dhe medikamenteve mjekësore. Kjo pasi transporti i tyre me rrugë tokësore ka qenë i pamundur, ndërsa transporti nga ajri është paraqitur me mjaft vështirësi si pasojë e kushteve të këqija atmosferike që kanë vijuar edhe përgjatë ditëve të fundit.

Nënprefekti i Qarkut të Kukësit, njëkohësisht kryetari i Shtabit të Emergjencave në Tropojë, z. Nuredin Ahmetaj, vlerësoi punën mjaft efikase të kryer nga FA dhe i shprehu ministrit Imami besimin dhe respektin që është krijuar në popull për ushtarakët, për punën dhe përkushtimin e tyre në këtë operacion të vështirë. Duke bërë një rezyme më të shkurtër në lidhje me situatën, z. Ahmetaj u shpreh: “Problem për ne ka qenë vetëm transporti i medikamenteve për të sëmurët kronikë, në zonat e thella të Tropojës, pasi akset rrugore drejt tyre kanë qenë tërësisht të bllokuara, problem i cili me ndërhyrjen e FA u zgjidh. Mjetet e ardhura nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë bërë të mundur zhbllokimin e rrugëve, transportin nëpërmjet ajrit të disa personave (9 raste) që shfaqën probleme të vështira shëndetësore, si dhe furnizimin e banorëve të izoluar nga dëbora me pako ushqimore. Deri tani kanë ardhur rreth 300 pako me ndihma, të cilat janë shpërndarë nëpërmjet Shtabit të Emergjencës të ngritur në Prefekturë. Zonat që hasin vështirësi më të madhe janë: komuna Valbonë, Bytyç, Lekbibaj, Gegaj dhe Berishë, për të cilat ne kërkojmë ndërhyrjen e strukturave qendrore, por në veçanti të Forcave të Armatosura”.

Në takimin që u bë me kryetarin e Komunës Margegaj, z. Rexh Byberi, shprehu mirënjohjen e banorëve të komunës së tij për bashkëpunimin shembullor midis pushtetit vendor dhe Forcave të Armatosura. Në mënyrë të veçantë ai ka vlerësuar Forcat Ajrore dhe ato të Task-Forcës, të cilat midis kushteve tejet të rënduar atmosferike, kanë bërë të mundur shpëtimin e jetëve njerëzore, shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe mjekësore etj. Në fjalën e tij z. Byberi theksoi se, situata aktualisht paraqitet mjaft e mirë, kjo falë bashkëpunimit të ngushtë që kanë pasur strukturat qendrore, ato lokale dhe komunitetit. Ai ka falënderuar për mbështetjen që u është dhënë banorëve të komunës së tij, të cilët po kalojnë këtë situatë të vështirë, duke filluar nga kryeministri Berisha, Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjithë ata që po japin kontributin e tyre në këtë zonë. Nëse nuk do të ishte ky bashkëpunim, tha z. Byberi, pasojat në zonën tonë do të ishin shumë më të mëdha.

Ministri Imami, në emër edhe të kryeministrit Berisha, falënderoi për punën e mirë që është bërë nga pushteti vendor, si dhe ka vlerësuar bashkëpunimin e tyre me strukturat e FA. Njëkohësisht, ministri i Mbrojtjes ka vlerësuar edhe punën e palodhur dhe shërbimin me efektivitet të strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë. “Është një fat i madh, që në këtë situatë, kur e gjithë Europa dhe veçanërisht Ballkani është pushtuar nga dimri “siberian” dhe në vendet fqinje janë shënuar edhe humbje njerëzore, në Shqipëri, për fat, nuk ka pasur viktima në njerëz. Vëmendja e qeverisë ka qenë maksimale, për të organizuar sa më mirë përballimin e kësaj situate. Sot të gjithë anëtarët e qeverisë janë shpërndarë në të gjithë vendin, duke asistuar dhe tërhequr të gjitha kërkesat që kanë Shtabet e Emergjencës në qarqe”.

Njëkohësisht, është shprehur z. Imami, e ndjej si detyrë të falënderoj shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Gjunkshin dhe efektivat e Forcave të Armatosura, që me përkushtim kanë dëshmuar një shpirt të lartë sakrifice dhe aftësi profesionale. Prezenca e madhe e FA ka bërë që të përballohet kjo situatë e rënduar.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi, duke folur për situatën, theksoi: “Situata po përballohet me sukses falë bashkëpunimit të ngushtë që FA kanë pasur me pushtetin lokal dhe komunitetin, i cili na ka mirëkuptuar dhe besuar maksimalisht duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Forcat dhe mjetet e FA, si borëpastrueset, buldozerët, traktorët etj, janë shpërndarë në të gjithë Qarkun e Kukësit, ashtu sikurse edhe në të gjithë zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore. Ne kemi dhe 800 forca në gatishmëri të lartë dhe 200 mjete të tjera mbështetëse, të cilat do të ndërhyjnë në çdo kohë po të jetë nevoja. Ne aktualisht disponojmë të gjitha resurset dhe mjetet që duhen për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Këtë e kemi bërë jo vetëm në Qarkun e Kukësit, por dhe në atë të Elbasanit, në Librazhd dhe në Korçë”.

Në inspektimin që ministri Imami zhvilloi gjatë ditës së sotme në Bajram Curri, asistoi edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Komunikacionit, Sokol Olldashi, i cili, pasi u informua për situatën e rrugëve dhe gjendjen e tyre, premtoi që, përveç fondeve që ka akorduar qeveria, në dispozicion të komunave dhe bashkive, do të propozojë në qeveri për rritjen e tyre, në mbështetje edhe për familjet më në nevojë.

Tashmë qendrat e komunave në Qarkun e Kukësit dhe në Tropojë, në përgjithësi, janë lidhur me rrugët rurale, gjë që lehtëson dërgimin e ndihmave edhe në fshatrat më të thella. Mbështetur dhe në prognozën që ka përgatitur FA me buletinin javor meteorologjik, situata atmosferike po përmirësohet, edhe si pasojë e rritjes së temperaturave dhe zbutjes së motit. Kjo do të bëjë të mundur që operacioni për kapërcimin e vështirësive që krijuan reshjet e mëdha të dëborës të përparojë më shpejt.

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Lezhë-Milot, 2 mjetet përfundojnë në parcelë! 3 të plagosur, 1 në gjendje të rëndë

Aksident në aksin Lezhë-Milot, 2 mjetet përfundojnë në parcelë! 3 të plagosur, 1 në gjendje të rëndë