Kolumna e fundit e këtij viti rastis të botohet dy ditë para zgjedhjeve të treta që mbahen në Kosovë gjatë këtij viti. Do të duhej të ishte atmosferë festive zgjedhore e kombinuar me festa të fundvitit, por nuk është ashtu. Këto zgjedhje parlamentare, të dytat gjatë këtij viti, janë rezultat i ngërçit afër njëvjeçar politik, sepse as partia fituese e zgjedhjeve dhe as ato opozitare nuk e patën aftësinë dhe as guximin t’i formojnë institucionet në bazë të konstelacionit politik të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Prandaj shtrohet pyetja legjitime - çka pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit?

Ngërçi politik ishte pikësëpari rezultat i mosgatishmërisë së LVV-së që të bëjë kompromis me parti të tjera, sepse kishte për synim ta fitonte sërish shumicën absolute të votave dhe të ulëseve në Kuvend. Prandaj ajo e krijoi ngërçin për t’i fajësuar partitë ish-opozitare me qëllim që të mbahen zgjedhje të parakohshme, ku si rezultat i propagandës së saj qytetarët t’ia japin edhe një mandat absolut që të mund të qeverisë e vetme edhe për një katërvjeçar.

Në anën tjetër, partitë ish-opozitare nuk e gjetën as mirëkuptimin e ndërsjellë për t’u pajtuar për postin e kryeministrit dhe e nuk patën as guximin t’i kërkonin edhe votat e Listës Serbe për ta krijuar shumicën parlamentare. Nuk po i fajësoj partitë ish-opozitare për këtë. Përkundrazi, në Kosovë është krijuar narrativi se çdo bashkëpunim me Listën Serbe është baras me tradhti kombëtare. Nuk po i hyj asaj se sa është e logjikshme kjo narrativë, duke qenë se kjo listë i kontrollon nëntë deri në dhjetë ulëse në Parlament dhe se vota e tyre në Kuvend është krejtësisht legjitime. 

Këto afera korruptive që po dalin në media janë vetëm Maja e Ajsbergut. Kushedi se çka tjetër fshihet nën ujë e që ende nuk e ka parë dritën e diellit. Blerja e votave është një formë e korrupsionit, sepse si rastis që një qeveri gjithmonë në prag të zgjedhjeve të shpërdorojë miliona euro, duke i paguar studentët e pensionistët me nga 100 euro? Kjo nuk është tjetër vetëm se blerje votash nga një parti që qeveris pa legjitimitet zgjedhor prej afër një viti. Kjo blerje e votave mjafton që ta bëjë një votues të zakonshëm të pyetet para se të votojë se a e meriton të votohet një parti e tillë. Për më tepër, shpërdorimi i tillë i milionave, pa legjitimitet zgjedhor, në kohë zgjedhjesh meriton trajtim adekuat nga sistemi prokurorial.

Në pyetjen se për kë do të votoni, unë nuk kam përgjigje ngase nuk parapëlqej ta mbështes asnjë forcë politike publikisht, edhe pse do të ishte krejtësisht normale që të bëhet një mbështetje e tillë publike. Mirëpo, rezultati i zgjedhjeve do të duhej të ishte balancues e jo absolutist. Balanca e re e forcave politike në Kuvend do të duhej ta inkurajonte bashkëpunimin dhe kompromisin, e jo diktatin e një partie. Por, nëse qytetarët e mbështesin diktatin, do të kemi edhe një katërvjeçar tjetër të sundimit absolut të një njeriu me vendime qeveritare që merren nga oborri i tij partiak.

Se a duhet të shpërblehet ky stil i qeverisjes absolutiste, mbetet vendim i votuesve. Ajo që duhet të dihet është se sistemi demokratik mbështetet në balancën e pushteteve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Në katërvjeçarin e fundit nuk e kemi pasur këtë balancë. Ndërsa pushteti legjislativ i ishte nënshtruar krejtësisht pushtetit ekzekutiv, gjyqësori u luftua në mënyrë të pakompromis nga ekzekutivi. Pra, LVV-ja tregoi se nuk është e aftë të qeverisë në bazë të balancës së këtyre tri pushteteve.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, janë raportet me SHBA-në dhe BE-në. Kosovës i nevojitet një qeveri që do të mund t’i riparojë dhe t’i kultivojë raportet e mira me këto të dyja. Qeveria e udhëhequr nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, i ka dëmtuar këto raporte, kurse nga dokumentet e dala së fundmi në Ëashington del se administrata e presidentit Donald Trump e mbështet një Kosovë demokratike, me sovranitet të plotë dhe me një proces politik rajonal që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Këto dokumente që e përcaktojnë politikën amerikane nuk janë aspak meritë e Kurtit.

Përkundrazi, ai e akuzonte Trumpin, në mandatin e tij të kaluar, se po i mbante thikat mbi hartën e Kosovës për ta copëtuar. Me këto dokumente, administrata Trump i hodhi poshtë këto pretendime të Kurtit dhe e konfirmoi mbështetjen për Kosovën, porse nga SHBA-ja ka zëra se Kosovës i nevojitet një qeveri me të cilën mund të punojnë. E kjo nuk është qeveria Kurti, por një qeveri që i kupton rrethanat ndërkombëtare dhe di të navigojë në kompleksitetet e politikës ndërkombëtare. Kosova është një shtet i vogël, të cilit i nevojiten miqtë që do ta ndihmojnë të integrohet në NATO, BE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Kosova ka nevojë ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, gjë të cilën Kurti nuk e kupton dhe nuk ka bërë asnjë lëvizje në atë drejtim në katërvjeçarin e pushtetit të tij absolut.

Pra, në vigjilje të natës së ndërrimit të moteve, vota do të jetë për ndryshime apo për vendnumërim. Një votë që i jep drejtim të ri Kosovës apo e rikthen atë ku ka qenë qe pesë vjet. Sepse në fund të fundit, drejtimi të cilin do ta marrë Kosova më 2026 tash është në duart e qytetarëve të saj. Në këtë kontekst, zgjedhjet e 28 dhjetorit përfaqësojnë më shumë sesa një proces rutinor elektoral. Ato janë një moment reflektimi mbi modelin e qeverisjes që Kosova e ka ndjekur në pesë vjetët e fundit dhe mbi alternativat reale përpara saj. Vendimi i qytetarëve do të përcaktojë nëse vendi do të vazhdojë me qasje të pushtetit absolut apo do të orientohet drejt një rikonfigurimi institucional më të balancuar, të bazuar në bashkëpunim politik, kompromis dhe respektim të ndarjes së pushteteve.

Cilido qoftë rezultati, sfida kryesore mbetet ndërtimi i institucioneve funksionale, rikthimi i besimit në proceset demokratike dhe aftësia e forcave politike për të qeverisur në përputhje me rrethanat e brendshme dhe përgjegjësitë ndërkombëtare të Kosovës./Koha