Dje, Afrim Krasniqi kishte një reagim shumë interesant, por edhe shumë shqetësues në lidhje me mungesën e reagimit të “elitave intelektuale shqiptare”, akademike, universitare dhe publike, referuar të dhënave të V- Dem për Shqipërinë, të cilat tregojnë një rënie të dukshme vitet e fundit të rolit publik kritik të akademikëve dhe botës universitare ndaj politikave qeveritare.
Me të drejtë Afrimi, ngre shqetësimin e mungesës së “kultivimit të mendimit kritik, argumentin dhe respektin për mendimin të Tjetrit”, duke theksuar se “brenda saj ka një problem serioz me formimin qytetar, kulturën e saj politike dhe natyrisht edhe me cilësinë e demokracisë”, e cila “nuk nuk matet vetëm me të drejtën për të folur, por edhe me guximin e aftësinë për të menduar ndryshe dhe peshën/vëmendjen që shoqëria i jep këtij mendimi.”
Statusi më vuri në mendime dhe më kujtoi një prononcim vite më parë të nobelistit italian Dario Fo, i cili theksonte/ akuzonte se intelektualëve u kanë prerë kordat e zërit.
Jo me thikë, sigurisht. Do të ishte shumë e dukshme. Ua kanë prerë me një mekanizëm shumë më të sofistikuar: me frikën, varësinë, kompromisin, mungesën e revoltës, privilegjet dhe heshtjen e blerë.
Dario Fo thoshte se “pushteti është i frikësuar nga ata që qeshin”. Këtu qëndron problemi i intelektualëve, që nuk guxojnë më të qeshin, përqeshin e kritikojnë pushtetin e, nuk guxojnë as ta kundërshtojnë atë.
Dikur intelektuali ishte shqetësimi i pushtetit. Sot, në shumë raste, është mburoja dhe justifikimi i tij.
E shohim në studio televizive, në konferenca, në universitete, në institucione kulturore, nëpër tryeza ku flitet gjatë për demokracinë dhe thuhet shumë pak për atë që po ndodh realisht. Shumë prej atyre që duhet të ishin zëri i shoqërisë janë kthyer në jehonë të pushtetit.
Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet.
Pushteti nuk ka nevojë gjithmonë të të burgosë. Mjafton të të japë një karrige.
Nuk ka nevojë të të censurojë. Mjafton të të ofrojë një privilegj.
Nuk ka nevojë të të kërcënojë. Mjafton të të bëjë të kuptosh se çfarë mund të humbasësh nëse flet.
Dhe kështu lind heshtja. Jo heshtja e imponuar me dhunë, por ajo që njeriu ia imponon vetes, ngaqë ka mësuar të peshojë fjalën me interesin.
Një intelektual, i cili nuk shqetëson askënd nuk është domosdoshmërisht intelektual. Mund të jetë thjesht një njeri i arsimuar.
Detyra e intelektualit nuk është të jetë i pëlqyeshëm. Është të jetë i nevojshëm. Dhe, të jesh i nevojshëm do të thotë të thuash atë që të tjerët nuk guxojnë ta thonë.
Dario Fo thoshte se “Pushteti gjithmonë kërkon t’i shuajë zërat kundërshtues, por në një sistem të shëndetshëm, pushtetin e kufizojnë ata që e kundërshtojnë.
Dikur intelektualët orientonin opinion publik. Po sot, kush guxon të ngrejë krye?”.
Kur korrupsioni shndërrohet në normalitet, intelektuali duhet ta quajë korrupsion.
Kur padrejtësia vishet me ligj, duhet ta quajë padrejtësi.
Kur pushteti sillet si pronar i shtetit, duhet t'i kujtojë se shteti nuk është pronë private.
Dhe kur shoqëria hesht, duhet të jetë pikërisht ai që flet.
Një shoqëri pa intelektualë të lirë është një shoqëri pa alarm.
Dhe kur alarmi nuk bie, hajdutët nuk kanë pse të kenë frikë.
Ndoshta prandaj u kanë prerë kordat e zërit.
Ngaqë pushteti ka frikë jo nga intelektuali që flet bukur, por nga ai që flet të vërtetën.












Komente
Komento