Çdo brez beson se do të jetë ai që do ta rrëzojë establishmentin. Por në shumicën e rasteve nuk ndryshon sistemi; ndryshojnë njerëzit, ose sistemi ndryshon vetëm fytyrat.

Establishmentet rrallë bien vetëm sepse qytetarët lodhen prej tyre. Ato bien vetëm kur humbin aftësinë për të kontrolluar institucionet, narrativën publike dhe besimin e njerëzve. Deri atëherë, establishmenti mbetet më i fortë se çdo revoltë spontane ose edhe se çdo revoltë e mirëorganizuar apo e sponsorizuar.

Shoqëritë që kërkojnë ndryshim kanë shumë zemërim, por, fatkeqësisht kujtesa e tyre politike është e shkurtër. Krijojnë vazhdimisht idhuj të rinj, kulte të reja, të cilat i çojnë në zhgënjime të reja.

Establishmenti e njeh mirë këtë dobësi. Ai nuk lufton domosdoshmërisht kundër revoltës. Një protestë pa organizim e tremb më pak se një shoqëri me institucione të forta. Një turmë zemërimi është kalimtare; një qytetari aktive është kërcënim afatgjatë.

Në Shqipëri, sa herë lind një lëvizje që kërkon ndryshim, sistemi e gjen mënyrën që ta përthithë, ta përçajë ose edhe ta diskreditojë. Madje ta shuajë me zjarrfikëset që janë si në pushtet, por edhe përballë tij dhe i shërbejnë pushtetit.

Këtu duket se sa i fortë është establishmenti, që nuk mbijeton vetëm me pushtetin, por me aftësinë për t'i bërë kundërshtarët pjesë të lojës së tij.

Në Shqipëri, establishmenti ka triumfuar gjithmonë në përballjen me shoqërinë.

Një shoqëri që kërkon ndryshim është shpesh e fragmentarizuar. Ajo ka zemërim, por jo organizim; ka idealizëm, por jo strategji; ka kurajë, por jo institucione.

Ndërkohë establishmenti që qëndron përballë shoqërisë kontrollon administratën, financat, mediat, klientelizmin dhe mekanizmat e ndikimit.

E shihni që beteja është e pabarabartë.

Ndërkohë, fatkeqësia qëndron se shumë njerëz kërkojnë ndryshim, por vazhdojnë të sillen sipas rregullave të vendosura nga establishmenti. Protestojnë kundër tij, por votojnë figurat e tij. Kritikojnë elitat, por adhurojnë liderët. Kërkojnë meritokraci, por pranojnë nepotizmin kur u leverdis. Kështu, sistemi ushqehet pikërisht nga ata që deklarojnë se duan ta rrëzojnë.

Establishmenti ka një aftësi të jashtëzakonshme për t'u ricikluar. Ndryshon emra, parti, gjuhë dhe aleanca, por ruan të njëjtën kulturë pushteti. Ndërsa shoqëria entuziazmohet nga fytyra të reja, establishmenti kujdeset që rregullat e lojës të mbeten të pandryshuara.

Kjo është arsyeja pse ndryshimi nuk vjen vetëm nga zëvendësimi i individëve. Ai kërkon institucione të forta, media të lira, drejtësi të pavarur dhe qytetarë që nuk e delegojnë përgjegjësinë e tyre tjetërkund.

Përndryshe, çdo revolucion përfundon duke prodhuar një establishment të ri me zakonet e të vjetrit.

Prandaj i qëndroj mendimit se në përballjen me establishmentin shoqëritë humbasin, sepse establishmentet janë më të organizuara, më të durueshme dhe më cinike. Ato e dinë se zemërimi kalon, ndërsa interesi mbetet.

Gjithsesi sfida më e madhe nuk është të fitosh një protestë apo një palë zgjedhje. Sfida është të ndërtosh një kulturë politike ku asnjë establishment të mos bëhet më i fortë se shoqëria dhe shoqëria të jetë në gjendje të mbrojë lirinë dhe fitoret e veta.