Ardit Qylybyli është zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike në Shkodër, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.

Nga rezultati përfundimtar, Qylybyli ka siguruar 1083 vota, ndërsa kandidati tjetër në garë, Gentian Ibro, ka marrë 687 vota.

“Pikë së pari falënderoj të gjithë anëtarët që morën pjesën në votimin e sotëm, që i dhanë ditës së sotme një motiv më shumë për Partinë Demokratike. Falenderoj dhe kandidatin që kisha përballë që është një mik i imi dhe punën nga nesër e mbrapa do ta bëjmë të gjithë bashkë. Mesazhi është vetëm bashkim dhe vetëm bashkim”,- tha Qylybyli për mediat pas fitores.

Procesi i votimit për kreun e ri të PD Shkodër u zhvillua gjatë kësaj të diele, ndërsa pas mbylljes së votimit nisi menjëherë numërimi, i cili konfirmoi fitoren e Ardit Qylybylit.

38-vjeçari Qylynyli ka mbajtur postin e nënkrybashkiakut të Shkodrës gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën në Bashkia Shkodër drejtohej nga Voltana Ademi deri në vitin 2022, kur zgjedhjet e pjesshme në këtë qytet u fituan nga Bardh Spahia. Qylybyli njihet gjithashtu si "krahu i djathtë" politik i Spahisë në kryeqendrën e veriut.


Lajmi kryesor:

Gara për krerët e rinj/ Nadire Meçorapaj kryetarja e re e PD-së Vlorë, Oligert Muçllari fitues në degën e Pogradecit! Në Shkodër zgjidhet ‘krahu i djathtë’ i Bardh Spahisë, Ardit Qylybyli