Pak orë pasi u mor në pyetje nga SPAK, kryebashkiaku i Tiranës ka zbardhur denoncimin ndaj tij, duke hedhur dritë mbi disa detaje që publiku i tejkalon dhe politika i keqinterpreton. Bëhet fjalë për një ‘dëshmitar’ të fshehur nën emrin Nesti Angoni, që pas verifikimeve nuk rezulton në regjistrat e gjendjes civile.
Duke u distancuar nga ky kallëzues dhe duke mohuar çdo njohje me një njeri të tillë, Erion Veliaj kërkoi ballafaqimin me të. Dhe në fakt, i gjithë debati i zhvilluar më pas mes juristëve nxori në pah pikërisht mungesën e seriozitetit të këtij procesi nga ana e Prokurorisë së Posaçme, sepse në thelb një proces s’mund të ngrihet pa prova dhe mbi një njeri anonim.
Por ky zhvillim tashmë ka shtuar hijet e dyshimit mbi prokurorë të veçantë të SPAK, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje me rëndësi më të madhe, me viktima dhe kallëzues realë. 21 Janari i vitit 2011 që shënoi krimin më të shëmtuar shtetëror, të ndodhur në mes të ditës, mbetet një çështje me ndikim në shoqëri e politikë edhe në ditët e sotme. Por çfarë ndodhi me ngjarjen?
Teksa familjet e Aleks Nikës dhe familjeve të tjera kërkonin një hetim nga drejtësia e re, pikërisht SPAK e trajtoi krimin në fjalë si një ngjarje banale duke i rivrarë për herë të dytë katër viktimat e qeverisë ‘Berisha’. Së pari duke e dërguar çështjen në një prokurori të zakonshme si ajo e Tiranës dhe së dyti duke mos thirrur qoftë edhe sa për të dëshmuar, aktorin kryesor të asaj kohe: Sali Berishën.
Kështu, sot përballë anonimëve që akuzojnë Erion Veliajn ndodhen 4 të vrarët e 21 Janarit. Përballë kallëzuesit anonim Nesti Angoni është xhaxhai i Aleks Nikës që akuzon me fytyrë dhe me zë dhe që troket në dyert e drejtësisë prej vitesh. Dhe i gjithë serioziteti dhe vullneti i SPAK vihet në pikëpyetje në këto ditë bilancesh prej kësaj sjellje të pakuptimtë.
Ndërsa Sali Berisha duket fare i pashqetësuar për krimin e katerfishtë të qeverisë së tij, të ndodhur para syve të gjithë botës.
Nesti akuzon nga anonimati i tij, Aleksi dhe të tjerët akuzojnë nga fotot që u kanë mbetur në duar familjarëve. Në fakt akuzojnë me gjakun e tyre, por askush s’i dëgjon. Janë të zënë me anonimët që godasin nga errësira./JavaNews