Shqipëria ka bërë sot një hap të rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. COELA (grupi i punës i vendeve anëtare) ka miratuar raportin IBAR. COREPER (ambassadorët e vendeve anëtare) mblidhet nesër. Konferenca ndërqeveritare pritet javën e ardhshme. Qartësisht, hapat proceduralë po ndjekin njëri-tjetrin me ritëm.

Ky moment ka fytyrën e qindra njerëzve që nuk i njeh askush me emër.

Janë ekipet negociuese nëpër të gjitha ministritë dhe agjencitë shtetërore, 157 institucione gjithsej, që kanë punuar me vite për të zbërthyer 101 kushte të BE-së në 600 nisma konkrete. Janë njerëzit e padukshëm të shtetit shqiptar, ata që procesi europian i ka gjetur në detyrë dhe i ka lënë atje.

Ky kontribut meriton njohje. Jo nga qeveria, nga të gjithë.

Por sot, në vend të kësaj, opozita shqiptare zgjodhi të ndërtojë një akuzë për “mashtrim”. Arsyeja formale ishte një deklaratë për avancimin e procesit, deklaratë që ngjarjet e sotme e kanë konfirmuar fjalë për fjalë. Arsyeja e vërtetë është diçka tjetër: një verbëri politike e kultivuar, e cila nuk lejon të thuhet “procesi po ecën” pa e shoqëruar me “por.”

Skepticizmi është i shëndetshëm në politikë. Pyetjet janë të nevojshme. Por ka një vijë të hollë ndërmjet kontrollit demokratik dhe refuzimit sistematik për të njohur realitetin; ndërmjet kritikës dhe investimit emocional në dështim.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbetet i varur nga aftësia për të dëshmuar zbatim real dhe të qëndrueshëm të reformave. Kjo do të thotë se çdo zë shqiptar që shkon në Bruksel me mesazhin “shteti ynë nuk funksionon, institucionet tona janë fasadë” nuk është zë kritik, është pengesë e vullnetshme jo pa dashje, aktive jo pasive.

Integrimi europian nuk është pronë e qeverisë. Por as e opozitës. Është punë e përbashkët e një shteti të tërë dhe ata që zgjedhin të qëndrojnë jashtë kësaj pune, duke preferuar tribunën e akuzës ndaj tryezës së kontributit, duhet të dinë se historia nuk do t’i kujtojë si rojtarë të demokracisë.

Do t’i kujtojë si ata që nuk ishin kur iu deshën Shqipërisë.