PD kërkon heqjen e mandatit të Xhaçkës, por çfarë thotë vendimi i vetë Gjykatës Kushtetuese për ‘çështjen Leskaj’: Familjarët nuk janë në juridiksionin tonë

Në Kuvendin e Shqipërisë u mblodh sot Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar një kërkesë të Partisë Demokratike për të hequr mandatin e deputetes Olta Xhaçka, pasi sipas PD ka konflikt interesi dhe shkelet paragrafi 3 i nenit 70 të Kushtetutës që thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. PD thotë se bashkëshorti i saj ka marrë statusin e Investitorit Strategjik dhe vetëm prej këtij fakti është shkelur Kushtetuta.

Por në fakt Gjykata Kushtetuese e ka një vendim për një çështje thuajse identike. Dhe precedentët në Gjykatën Kushtetuese janë të vlefshme juridikisht për çdo çështje të ngjashme. Rasti i përket një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, dhe bëhet fjalë për mandatin e deputetes Valentina Leskaj. Leskaj akuzohej se prej veprimtarisë së djemve të saj kishte përfituar nga fondet publike.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte shumë i qartë. Çështja nuk kaloi fare në seancë plenare për shkak se Kushtetuesja tha se ‘nuk është në juridiksionin’ e saj gjykimi i konfliktit që ka të bëjë me familjarët.

Gjykata kushtetuese nënvizoi në atë vendim se Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkeljet e paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre.

Kështu që Gjykata vlerësoi se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet për vënien në lëvizje të Gjykatës, në kuptim të përmbajtjes së nenit 70/4 të Kushtetutës, për rrjedhojë shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.

Pra, për tu rikthyer në çështjen e deputetes Olta Xhaçka. Kërkesa e Partisë Demokratike bazohet vetëm në veprimtarinë e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, i cili në fakt ka marrë statusin e ‘investitorit strategjik’ që për më tepër nuk parashikon as përftim të fondeve publike. Nëse Kuvendi do ta kalojë në Gjykatë Kushtetuese çështjen e Xhaçkës kjo mbetet në dorën e ligjvënësve por sa i përket Gjykatës Kushtetuese duket qartë se ajo është shprehur një herë, nuk ka juridiksion për të gjykuar konfliktin e interesit tek familjarët e deputetit, por vetëm kur deputeti përfiton personalisht para publike. Kushtetuesja në çështjen e Xhaçkës mjafton të zbatojë një vendim të mëparshëm të saj./ Shqiptarja.com

Vendim i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga:

Fatmir Hoxha,             Anëtar  i  Gjykatës Kushtetuese

Besnik Imeraj              Anëtar   i         “            “

Fatos Lulo,                  Anëtar   i         “            “

në datën 17.05.2016 mori në shqyrtim paraprak kërkesën me nr.93 Akti, që i përket:

KËRKUES:               KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

OBJEKTI:                 Konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit të zonjës Valentina Leskaj.

BAZA LIGJORE:    Nenet 70 dhe 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 66/3 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”; nenet 21 dhe 24 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

I

  1. Në datën 27.10.2015, një grup prej 22 deputetësh, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kanë paraqitur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (Kuvendi) kërkesën me objekt konstatimin e mbarimit të mandatit të deputetes Valentina Leskaj, me pretendimin se e ka ushtruar mandatin në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 70 të Kushtetutës. Sipas tyre është provuar se shoqëria tregtare ku është pronar djali i kësaj deputeteje është shpallur fituese e një kontrate publike koncesioni, për pasojë janë përfituar fonde nga buxheti i shtetit gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e saj, veprim që përbën shkelje të nenit 70/2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike” (ligji nr.9367/2005).
  2. Kërkesa e paraqitur nga grupi i deputetëve i referohet procedurës së koncesionit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, nga ku rezulton se është shpallur fitues i procedurës koncensionare për një afat 25 vjet bashkimi i përkohshëm i operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Nga të dhënat e QKR-së rezulton se shoqëria “Matrix Konstruksion” sh.p.k. është në pronësi të njërit prej djemve të deputetes Valentina Leskaj, shtetasit A.L.
  3. Në datën 12.11.2015, një grup deputetësh, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka paraqitur në Kuvend kërkesën me objekt “Shtesë në objektin e kërkesës nr.3368 prot., datë 27.10.2015 të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për konstatimin e mbarimit të mandatit të deputetes znj. Valentina Leskaj”. Sipas kësaj kërkese është pretenduar se shoqëria “Abkons” sh.p.k., në pronësi të djalit tjetër të deputetes Valentina Leskaj, shtetasit B.L., ka përfituar fonde publike si pasojë e kontratave të lidhura me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të datës 11.06.2015, me vlerë 1.292.400 euro, për përgatitjen e planeve të baseneve lumore për lumenjtë Drin-Buna dhe Seman dhe asaj të datës 24.11.2014, me vlerë 45.989.589 lekë.
  4. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mbledhjen e datës 21.11.2015, në përputhje me nenin 13/4 të Rregullores së Kuvendit, pasi ka zhvilluar procedurën e shqyrtimit të kësaj kërkese dhe ka vlerësuar se kërkesa plotëson kushtet formale sipas nenit 70/4 të Kushtetutës, ia ka kaluar atë seancës plenare për votim.
  5. Në seancën plenare të datës 26.11.2015, Kuvendi ka marrë vendimin nr.10/2015 “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi prej 22 deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike me objekt “Konstatimi i mbarimit të mandatit të deputetes, zonjës Valentina Leskaj””.
  6. Pas shpalljes së vendimit nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në zbatim të këtij vendimi, i ka përsëritur Kuvendit kërkesën për dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Valentina Leskaj.
  7. Me shkresën e datës 30.03.2016, deputetja Valentina Leskaj ka depozituar në Kuvend kërkesën për “Vijimin e procedurës në Gjykatën Kushtetuese” për çështjen e mandatit të saj.
  8. Për zbatimin e vendimit nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, pasi ka shqyrtuar në mbledhjen e datës 13.04.2016 kërkesën e deputetes Valentina Leskaj, ka vendosur të kalojë për miratim në seancë plenare raportin e këtij Këshilli, me qëndrimet përkatëse të shumicës dhe pakicës parlamentare.
  9. Në seancën plenare të datës 14.04.2016, Kuvendi ka miratuar vendimin nr.28/2016, me të cilin ka vendosur: “Dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes znj. Valentina Leskaj.”.

II

  1. Kuvendi, në mbështetje të nenit 70/4 të Kushtetutës, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata) vendimin e tij nr.28/2016, raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si edhe kërkesën e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, sipas të cilëve deputetja Valentina Leskaj ka ushtruar mandatin e deputetit në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 70 të Kushtetutës, për shkak se fëmijët e saj, në kundërshtim dhe në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm të interesit, kanë përfituar fonde dhe pasuri publike.

 III

Vlerësimi i Kolegjit

  1. Për juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese
  2. Gjykata ka theksuar se sipas paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Kurse sipas paragrafit 4: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”. Në këtë dispozitë janë përcaktuar subjektet që iniciojnë procedurat parlamentare për këtë qëllim (Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij), si dhe Kuvendi si subjekt i posaçëm që vë në lëvizje gjykimin kushtetues. Përmbajtja e nenit 70/4 të Kushtetutës reflektohet edhe në nenin 66/3 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit kërkesa për papajtueshmëri mund të paraqitet në Gjykatë nga Kuvendi për sa kohë vazhdon mandati i deputetit. Vendimmarrja e Kuvendit, në kuptim të nenit 70/4 të Kushtetutës, është në funksion të legjitimimit të këtij subjekti për inicimin e gjykimit kushtetues për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit (shih vendimet nr.29, datë 30.06.2011; nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
  3. Nga pikëpamja formale, në rastet e konstatimit të papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, është Kuvendi që vë në lëvizje Gjykatën, e cila është organi që shprehet për themelin e çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të nenit 70/3 të Kushtetutës. Për sa i takon çështjes së juridiksionit të saj, Gjykata ka theksuar se “Gjykata vëren se parashikimi nga kushtetutëbërësi i rasteve të papajtueshmërive që lidhen me mandatin e deputetit përbën një garanci për respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve, pavarësisë në ushtrimin e mandatit parlamentar, si dhe evitimin e konflikteve të interesave. Ndërsa sipas paragrafit 2 të nenit 70, Kushtetuta jonë ua ka deleguar ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë, në pikën 3 të kësaj dispozite ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutëbërësi, i cili ka pasur si qëllim eliminimin e plotë të shkaqeve për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi të mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ai ka si anëtar i organit më të lartë përfaqësues[…]. Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi.” (shih vendimin nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
  4. Kolegji, bazuar në materialet shoqëruese të kërkesës, vëren se në rastin konkret është kërkuar konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës dhe neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367/2005, për shkak se dy fëmijët (djemtë) e deputetes Valentina Leskaj kanë përfituar të ardhura që burojnë nga fondet publike si pasojë e lidhjes së kontratave me institucione shtetërore.  Sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj, kurse sipas nenit 21/1 të ligjit nr.9367/2005: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në kreun III, seksioni 2 të këtij ligji, gjyqtarët e prokurorët në nivelin e gjykatës së shkallës së parë e në atë të apelit, dhe asnjë shoqëri tregtare, ortakëri a shoqëri e thjeshtë, ku ky zyrtar zotëron, në mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik”. Sipas paragrafit 1 të nenit 24 të ligjit, persona të lidhur me zyrtarin konsiderohen edhe fëmijët në moshë madhore të tij, kurse sipas paragrafit 3 të po këtij neni ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, të përcaktuara në këtë seksion, zbatohen edhe për personat e lidhur me të.
  5. Bazuar në paragrafin 4 të nenin 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, Kolegji vëren se Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkeljet e paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre.
  6. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet për vënien në lëvizje të Gjykatës, në kuptim të përmbajtjes së nenit 70/4 të Kushtetutës, për rrjedhojë shqyrtimi i kërkesës së paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,

V E N D O S I:

Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

K.T./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sidrit Golemi: 24/06/2022 16:41

    "biznesmeni i sukseshem" prej me se 30 vitesh ne Itali diplomohet vetem dhe vetem te kioskat e Tiranes: ................................................ http://www.arkivalajmeve.com/Pese-deputetet-qe-kane-diplome-8220Kristali8221.1047234456/....................................................................."Deputeti Gaçi- zgjedhur deputet në vitin 2009, pasi ka qenë diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, ka marrë më pas diplomën e juristit në universitetin Kristal.(Në cv-në e deputetit Gaci nuk shënohet se kur e ka nisur dhe kur e ka filluar shkollën)".

    Përgjigju
  • Boti: 24/06/2022 16:00

    Ore zoteri si qenka e njejte ceshtja?? Femijet ne moshe madhore me burrin qe ndan shtratin? Filluat lobimin ji? Turp tju vije we ketij vendi po i merrno frymen. Nuk ka shans qe ti te gezosh pasurine piblike me firme te gruas.

    Përgjigju
  • Jurist: 24/06/2022 13:35

    Djemte madhore ne kete rast patjeter mund te mos hene, por pasuria e bashkeshortit eshte e perbashket

    Përgjigju
  • Sidrit Golemi: 24/06/2022 13:34

    Me djemte znj. Leskaj eshte e ndare juridikisht dhe ne ate kohe nuk ishin shpallur 'investotire strategjike', ndersa znj. Xhacka eshte bashkeshortja e z. Artan Gaci, i shpallur me VKM 'investor stategjik' ne Gjileke te Himares, dhe eshte gjithashtu kunata (bashkejetuesja e te vellait, Andi Xhacka) e znj. Tawni Lin Grzych-Sutton.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rikthimi i PD-së me protesta në shtator, a do ta forcojë politikisht?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë/ 42 vende kërkojnë që Moska të tërheqë forcat ushtarake nga termocentrali bërthamor në Zaporizhzhia

Lufta në Ukrainë/ 42 vende kërkojnë që Moska të tërheqë forcat ushtarake nga termocentrali bërthamor në Zaporizhzhia