/ATSH-AFP/ - Të paktën tri persona vdiqën dhe rreth 11 mijë u evakuuan në Argjentinë për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve të mëdha që kanë përfshirë rajonin e Pampas (qendër) prej një jave, bëhet e ditur nga autoritetet.
"Rreth 11 mijë persona janë evakuuar duke braktisur banesat. Operacionet e shpëtimit në rastet e fatkeqësive natyrore janë vënë në shërbim për t'i ardhur në ndihmë banorëve", deklaroi dje në mbrëmje Sekretari i Zyrës së Sigurisë Kombëtare të Argjentinës, Sergio Berni për stacionin televiziv "C5N".
Gjatë kësaj jave një fëmijë 11 vjeçar humbi jetën pas rrëzimit në një përrua, ndërsa një burrë me aftësi të kufizuara vdiq pas shembjes të banesës së tij në Quilmes 30 kilometra në jug të Buenos Aires.
Autoritet e qytetit Campana raportuan edhe për vdekjen e një personi tjetër.