Kurator i Bienales së Arkitekturës në Venecia në 2025, dhe një emër I njohur ndërkombëtarisht, italiani Carlo Ratti, tha në Tiranë se Shqipëria është kthyer në një laborator ku mund të testohen ide nga më të guximshmet. Përpara arkitektëve vendas e studentëve të shumtë, ai mbajti një leksion të hapur me temë “Qytete të Kuptueshme”, ku u ndal te transformimi që po kalojnë qytetet në epokën e teknologjisë dhe inteligjencës.

***

“Jetojmë në një kohë shumë interesante për arkitekturën dhe planifikimin urban. Është një moment kur mund të eksperimentojmë me materiale, forma dhe mënyra të reja ndërtimi.”

Me këtë mesazh u hap leksioni i arkitektit dhe studiuesit të njohur ndërkombëtarisht, Carlo Ratti, i ftuar në Tiranë në kuadër të Ditës së Dizajnit Italian.

Para arkitektëve dhe studentëve të arkitekturës, ai u fokusua te mënyra se si teknologjia dhe inteligjenca po riformësojnë qytetet.

“Sot kur flasim për inteligjencën, mendojmë vetëm për AI-në, por në të vërtetë bëhet fjalë për inteligjencën natyrore dhe kolektive",- tha Ratti.

Ratti theksoi se bashkëpunimi dhe ndërthurja e ideve janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm urban, duke iu referuar edhe përvojës së tij si kurator i Bienales së Arkitekturës në Venecia në 2025.

Sipas Ratti-t, Tirana po shndërrohet në një hapësirë eksperimentale për arkitekturën moderne.

“Shqipëria po eksperimenton shumë. Është një laborator i gjallë ku idetë e guximshme mund të testohen",- tha Ratti.

Aktiviteti i organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe Agjencia Italiane e Tregtisë në Tiranë, në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës dhe Shoqatën e Arkitektëve Shqiptarë mblodhi studentë, pedagogë dhe arkitektë, duke u kthyer në një hapësirë diskutimi për të ardhmen e qyteteve në një epokë transformimesh të shpejta.

“Instituti po punon ngushtë me fakultetin e arkitekturës dhe po punon mjaft intensivisht mbi temën e arkitekturës, për sa i përket ndërtesave, dua të them, por edhe në aspektin e urbanizmit dhe formës së qytetit. Tirana po kalon një periudhë të jashtëzakonshme transformimi me shumë ndërtesa të reja që janë ndërtuar, me shumë ndërtesa që në thelb janë riformësuar dhe po shikon drejt një të ardhmeje që është disi premtuese dhe e pasigurt në të njëjtën kohë",- tha Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës.

Prania e Carlo Ratti-t në Tiranë shihet si një mundësi për të reflektuar dhe për të rimenduar mbi konceptin që mund të zbatohet në të ardhmen e qytetit.