TIRANE- Këtë vit akademik maturantët që konkurrojnë mes tyre për të ndjekur Fakultetin e Arkitekturës nuk do t’i nënshtrohen konkursit të Vizatimit Teknik, metodë testimi kjo që hiqet pas disa vitesh. Sipas rregullores së re të miratuar tashmë nga universiteti përzgjedhja e studentëve fitues bëhet në bazë të pikëve të fituara në provimet e Maturës Shtetërore.
 
“Pranimet në fakultetin e Arkitekturës sivjet ndryshojnë formën, pra nuk do të këtë më një konkurs hyrjeje në fakultetin e Arkitekturës por do t’i referohemi Maturës Shtetërore. Viti i parë pas këtij seleksionimi nga Matura Shtetërore do të jetë vit selektiv ose si të themi një konkurs i dytë përzgjedhës”, tha Maliqari.

Në vitin e parë të Fakultetit të Arkitekturës do të pranohen këtë vit akademik 220 studentë, por jo të gjithë do të mund të diplomohen në degët e preferuara të arkitekturës dhe urbanistikës. Ata më të dobëtit në fund të vitit të parë do të transferohen në degën e design. Një degë e re kjo “bachelor” që çelet për herë të parë.

“Të zgjedhim nga Matura, përkatësisht 135 studentë në degën Arkitekturë, profili arkitekt dhe 85 studentë në degën arkitekturë profili Urbanist”, u shpreh Maliqari.
 
Sipas dekanit të Fakultetit të Arkitekturës, Andrea Maliqari, do të ngrihen komisione pedagogësh në fakultet për të selektuar studentët në vitin e dytë.

“Në vitin e parë të gjithë studentët e pranuar në arkitekturë dhe në urbanistikë do t'i nënshtrohen rregullisht programit të studimeve të vitit të parë. Në fund të këtij viti do të këtë një renditje përsa i takon mesatares së ponderuar, (dmth, shuma e notave herë kreditë përmbi shumën totale të krediteve) dhe kjo renditje do të bëjë që në vitin e dytë, përkatësisht në Arkitekturë dhe Urbanistike të shkojnë 80% e këtyre studentëve të renditur të parët, ndërkohë që pjesa tjetër prej 20% do të kalojë në një degë të re që hapet sivjet për herë të parë, është një Bachelor në Arkitekturë dhe në Design”, tha Maliqari.
 
Heqja e konkursit të pranimit në Arkitekturë ishte propozuar edhe një vit më parë, por nuk u miratua nga Ministria e Arsimit. Këtë vit duket se projekti i fakultetit është në rrugën e duhur pasi ka marrë miratimin e ministres Nikolla.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)