Ishte pjesë e Kombëtares kuqezi në Francë 2016 dhe do jetë sërish për në Gjermani 2024. Arlind Ajeti ka rrëfyer për "Kohën" në Kosovë se e mësoi ftesën e Sylvinhos nga ekrani.
"Shpresat gjithmonë kanë qenë që të jem pjesë e listës, por vendimet e trajnerit nuk i kemi ditur deri në momentin e konferencës, kur edhe u publikuan emrat. Kam përjetuar emocion të veçantë kur pashë në listë edhe emrin tim. Gjithmonë është e veçantë kur të thërret kombëtarja.
I kam përjetuar njëherë emocionet e finaleve të Europianit në Francë, do të jetë kënaqësi t’i provoj sërish kësaj vere. Kur t’i afrohemi ndeshjes së parë do t’i ndiejmë emocionet edhe më shumë", tha fillimisht Ajeti.
![]()
Më pas mbrojtësi që luan me Cluj në Rumani tha se tifozët janë mbështetja e tyre më e madhe.
"Për mua, por edhe për çdo lojtar, sigurisht që është shumë e rëndësishme paraqitja në Evropian. Është ëndërr për çdo lojtar. Është diçka shumë speciale për mua, por edhe për çdo lojtar tjetër. Besoj se emocionet e vërteta do t’i përjetojmë në momentin kur edhe do të fillojë ngjarja madhore.
Mundësitë i kemi, edhe pse është grup shumë i vështirë. Besoj se kemi mundësi të bëjmë diçka të madhe. Nuk besoj se do ta kemi të lehtë, por përkrahja e shqiptarëve do të jetë motiv shumë i madh për ne”, tha Ajeti.
Qendërmbrojtësi 30-vjeçar këtë sezon ka luajtur 25 ndeshje dhe ka shënuar tre gola, ndërsa për Kombëtaren ka mbajtur veshur fanellën në 23 raste, duke shënuar edhe një gol.






Komente
Komento