Për herë të parë kryeministri Rama flet për çështjen e asgjësimit të armëve kimike siriane. Në prani të Komisionerit të KE, Fyle ai tha se për këtë çështje SHBA kishte kontaktuar me Shqipërinë si me gjithë vendet anëtare të NATO, por s’është marrë asnjë vendim. Rama garantoi se s’ka asgjë për të fshehur e se nëse do ketë pozicion për të marrë vendim do bëhet me transparencë të plotë me Kuvendin, qytetarët e shoqërinë civile.
“Kemi thënë përmes ministrit të Jashtëm, duke iu përgjigjur interesit të medias në vizitën në Francë se jemi kontaktuar nga SHBA, e kundërta do të ishte shqetësuese që Shqipëria të mos kontaktohej për një çështje që janë në kontakt të gjitha vendet e NATO. Kemi thënë se në fillin e këtyre kontakteve ka pasur një bisedë mes meje dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit për 30 minuta, ku kemi diskutuar për këtë çështje, dhe po ju them që s’ka asnjë vendim, s’ka asnjë transparencë më shumë se kaq, sepse ne jemi bashkë me vendet e tjera në një diskutim të brendshëm e s’jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim”, tha Rama.
Ai tha se vendimi do ndahet me publikun e Parlamentin. “Në rast se unë do mendoj se do na duhet të marrim një vendim, qoftë në njërën anë qoftë në anën tjetër, padyshim që këtë do ta ndaj me publikun, me Parlamentin, por në radhën më të parë me përfaqësuesit e protestës, por duke e mbështetur vendimin ose kërkesën për të marrë një vendim mbi tërësinë shteruese të të gjithë argumentave që i duhen me të drejtë çdo shqiptari, jo vetëm për të mos pasur frikë, as thjesht për të qenë i qetë, por për të qenë krenar për Shqipërinë”, tha Rama. Ai sqaroi pozicionin e tij me protestuesit. “Unë kam një përgjegjësi tjetër, s’ka asnjë dyshim se po të mos isha në zyrën ku jam dhe po të “dëgjoja” ekspertët që kanë marrë përsipër t’i tregojnë shqiptarëve një panoramë apokaliptike, do isha në protestë.
Por në zyrën ku jam s’shoh as panoramën apokaliptike e as mundësinë që të jap më shumë të dhëna për një diskutim të brendshëm, brenda familjes së vendeve anëtare pasi paçka se këtu s’po shkojnë avionë, apo tanke, apo ushtarë në terren, po zhvillohet një luftë me një mjet të ri, çarmatosjen pa luftë”, tha Rama. Ai rikujtoi se Shqiperia është anëtare e NATO-s e se çarmatosja pa luftë e regjimit të Assad e ndalimi i importit të plehrave janë dy gjera jo të ngatërrueshme. Rama nënvizoi se “iu kujton gjithë shqiptarëve se unë jam në krye të detyrës për t'i shërbyer interesave e sigurisë kombëtare”.
Vlerësimi
“Po të mos isha në zyrën ku jam dhe po të “dëgjoja” ekspertët që kanë marrë përsipër t’i tregojnë shqiptarëve një panoramë apokaliptike, do isha në protestë. Por në zyrën ku jam s’shoh as panoramën apokaliptike, as mundësinë që të jap më shumë të dhëna për një diskutim, brenda familjes së vendeve anëtare”.
Berisha: Rama dhe Meta kod heshtje ndaj opozitës
Ish-Kryeministri Berisha nuk ka qëndruar pa sulmuar qeverinë e majtë në lidhje me heshtjen për armët kimike. “Prej mëse tre javësh opinioni publik shqiptar ndjek thellësisht i tronditur lajmet e mediave botërore, sipas të cilave qeveria shqiptare ka pranuar sjelljen në Shqipëri të arsenalit sirian prej 1300 ton të armëve kimike për tu shkatërruar në vendin tonë. Ndërkohë qeveria Rama–Meta, në një akt të papërgjegjshëm por dhe poshtërues mban me fanatizëm kodin e heshtjes ndaj qytetarëve e opozitës sikur këta të mos egzistonin, të mos jetonin në këtë vend apo sikur ata nuk duhet të kenë qëndrimin e tyre të bazuar në të dhëna të sakta për një çështje të rëndësisë të dorës së parë, jo vetëm për botën e qeverinë shqiptare por dhe për opozitën e qytetarët shqiptarë”, tha Berisha. Ai akuzon se Rama s’komunikon me shqiptarët. “Ata flasin me shqiptarët dhe opozitën sikur flasin me armiqtë apo me palën e Asadit, ky është turp vetëm turp. Informimi i qytetarëve e opozitës është detyrim ligjor dhe kushtetues. Por për qeverinë Rama-Meta ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë”, deklaroi Berisha.
Koka: “Ende nuk ka asnjë vendim nga qeveria”
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se çdo vendim i qeverisë shqiptare lidhur me çështjen e armëve kimike siriane do të jetë vetëm në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Koka ka kërkuar që kjo çështje të mos politizohet dhe ka nënvizuar faktin se pavarësisht se çështja është mediatizuar në maksimum, nuk ka end asnjë lloj vendimmarrjeje nga ana e qeverisë për këtë fakt. Gjithçka sipas tij do të bëhet transparente dhe do të diskutohet në qeveri dhe parlament. Ne jemi një fazë kur kryeministri ka zhvilluar vetëm një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit”, tha Koka.
Shkrimi u publikua sot (13.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)