Armand Bora: Si e zbulova “Arturo
Ui”-në tek aktori Alfred Trebicka 

Armand Bora: Si e zbulova “Arturo<br />Ui”-në tek aktori Alfred Trebicka 
TIRANE- Ka tre muaj që punon për një vepër skenike dhe pasi bën edhe provat e fundit, regjisori Armand Bora pushon një çast për të biseduar për premierën e re të “Arturo Ui”-së, që do të ngjitet sot në skenën e Teatrit të Metropolit, në Tiranë. Vepra e dramaturgut të njohur Bertold Breht si premierë e arrirë është vënë në skenë që në vitet ’70.

Po përse regjisori Bora e sjell dramën “Arturo Ui” pikërisht në këtë kohë në skenën e Teatrit të Metropolit.

Përgjigjia e tij nuk është aspak komerciale, ndërsa si pikënisje thotë se ka faktin që regjia ka qenë e ish pedagogut të tij Pirro Mani, por edhe inspirimin nga loja e aktorëve në vitet ’70 si Kadri Roshi, Shkëlqim Basha, Prokop Mima, Ndrek Luca etj. Si regjisor i ri që krijon pas viteve 2000, Bora natyrisht që ka sjellë risi, por tregon se ka shumë arsye për të ruajtur origjinalin, duke mos bërë eksperimente false...
 
Zoti Bora, pse zgjodhët të ngjisni në skenë “Arturo Ui” të Brehtit, e cila në Shqipëri si premierë e arrirë dhe e plotë është vënë në skenë që në vitet ’70?
-Vepra “Arturo Ui” e Brehtit, përveçse është një nga veprat më të suksesshme në planin e jetëgjatësisë në skenat e ndryshme europiane të Brehtit, edhe pse është ky fakt, nuk është një vepër repertori e çdo lloj teatri. Nuk mundet që çdo drejtues institucioni apo çdo regjisor në një moment normal të fillojë punën me “Arturo Ui”. Unë mendoj se janë dy momente kur një trup apo një regjisor duhet të gjejë arsyet apo motivin pse duhet t’i drejtohet kësaj vepre.

Njëri moment është artistik, le të themi kur trupa artistike ka arritur një pjekuri të tillë që e sheh të realizuar figurën e Arturo Ui-së tek një aktor. Dhe ky aktor arrin atë pjekuri që të marrë përsipër natyrën e personazhit të Artuo Ui-së, por jo vetëm për këtë personazh, por edhe Gorin, Roman, Xhivolan, me një farë mënyre, i gjithë kasti. Këto janë role krejtësisht aktive, të cilat nuk kërkojnë vetëm njohjen e teorisë së Brehtit. Janë role të shkruara tërësisht me metodën e Brehtit, por ka edhe shanse dhe mundësi të tilla që mund të eksperimentosh mbi atë që mund të quhet estetika e teatrit të Brehtit.

Ky është plani artistik. Pastaj është motivi social, motivi politik, motivi qytetar. Në momentin që realiteti ka nevojë për një vepër të tillë, ka nevojë që t’i transmentosh mesazhet që vetë vepra “Arturo Ui” i ka shumë të kthjellëta, atëherë mund të pranosh edhe një lloj handikapi në aspektin artistik, edhe pse ti mund të mos ta kesh stafin e aktorëve, mund të mos ta kesh Arturon, por për hir të detyrimit qytetar, për hir të shoqërisë, ti merr përsipër për ta realizuar këtë vepër.

Në rastin tonë unë pata fatin që të koiçidojë dëshira ime, që ta bëjë këtë vepër në një moment të tillë kur aktori Alfred Trebicka është në pjekurinë kulmore të krijimtarisë së tij artistike. Ai vjen jo vetëm me një eksperiencë të gjatë në gjitha këto vite, por edhe me një eksperiencë të përbashkët, ku realizuam shfaqjen “Ata hyjnë pa trokitur, në të cilën kemi eksperimentuar edhe me teknikat e teatrit të distancimit nga tekst me fabul shqiptare.

Kjo krijoi një njohje më të thellë midis meje dhe atij si aktor. Te Alfred Trebicka unë zbulova Arturon, kur ai luante te Ata hyjnë pa trokitur, unë pashë kapacitetin e tij aktrues dhe një lloj pjekurie intelektuale me të cilën Alfredi mund të realizonte rolin e Arturo Ui-së. Trebicka si aktor në këtë premierë nuk ka ngelur vetëm në planin e aftësive të tij intepretuese, por ka bërë një hulumtim të thellë qoftë edhe të jetës së Adolf Hitlerit, të personazhit nga ku Brehti është frymëzuar për të bërë dramën “Arturo Ui”.
 
Keni thënë se kjo dramë është një nderim ndaj premierës së dikurshme të viteve ’70 në Shqipëri dhe protagonistëve të saj. Cili ka qenë inspirimi juaj prej asaj premiere?
-“Arturo Ui” e ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 1971 ka qenë një nga shfaqjet më kulmore në historinë e teatrit shqiptar. Fatkt është se ky teatër ishte krijuar mbi bazën e traditës së Stalinllavskit, për vetë faktin se regjisortë apo aktortë shqiptarë ishin të formuar nëpër shkollat lindore. Kështu që e gjithë historia e dramaturgjisë shqiptare ka qenë një dramaturgji që i krijon tekstet e personazhve me atë frymë.

Në këtë kuptim, vendosja e Brehtit në skenë në një moment të tillë ishte një ngjarje për teatrin shqiptar. Nuk mjafton vetëm fakti që u bë një realizim i mrekullueshëm. Është edhe fakti tjetër që regjia ka qenë e ish pedagogut tim Pirro Mani, por edhe loja e aktorëve ka qenë e aktorit Kadri Roshi.

E ka luajtur këtë rol edhe Shkëlqim Basha, i cili ka bërë regjistrim në TV, por ekziston edhe një variant radiofonik me interpretimin e Kadri Roshit. Më kanë inspiruar të gjithë, edhe Prokop Mima në rolin e Xhivolos apo Ndrek Luca në rolin e Gorit. Në procesin mësimor që na zhvillonte Pirro Mani, kur unë studioja për regjisor, Arturo Ui ishte një pikë referimi për atë që quhet mjeshtëria e regjisorit apo aktrimi në teatër.
 
Do të qëndrojmë pak tek ky ndryshim. I bie që me kalimin e viteve drama e Brehtit të marrë një universalizëm larg mishërimit konkret të personazhit. Në këtë kuptin çfarë gjetjesh keni bërë ju si regjisor?
- Ajo që zhvendos vëmendjen tek Arturoja është se ideja për pushtet nuk bëhet për vendin e njëshit. Vendin e njëshit, diktatori e krijon si një vend absolut që nuk synohet në sistemet diktatoriale, por pritet pasardhësi, kush do të jetë. Kështu ka ndodhur në historinë diktatoriale 50-vjeçare të shoqërisë shqiptare. Askush nuk e synonte vendin e Enver Hoxhës. Të gjithë synonin kush do të ishte pasaardhësi, dhe në pritje e sipër janë eliminuar shumë personazhe.

Dhe ai që e trashëgoi ishte një person që askush nuk ia priste mendja që ai do të ishte trashëgimtari i diktatorit. E njëjta gjë ndodh edhe këtu, e njëjta gjë ndodh edhe në mënyrën sesi funksionojnë partitë politike apo gjërat e tjera. Padyshim realiteti të kushtëzon apo të detyron që ti ta shikosh diktaturën si një fenomen pa dashur të qëndrosh apo të shkosh tek realiteti konkret apo personazhi konkret, që diktatorin ta shikosh me të gjitha pamjet e tij.

Gjykata dhe vendime gjyqësore, të cilat merren nën trysnin e kërcënimit dhe presionit nga bota e krimit. Luftë deri në eleminime fizike, brenda klanesh ekonomike dhe politike. Dëshmitarë, që deformojnë dëshminë e tyre apo dhe që eleminohen fizikisht, hapur dhe pa frikë. Këto janë ato që ndodhin në skenat e ndryshme të veprës së Brehtit, të cilat për koiçidencë, i kujtojnë gjithësecilit raste, histori dhe personazhe reale. Mendoj se në kushtet aktuale është e rëndësishme që shoqërisë shqiptare t’i vihen në dukje disa rreziqe.
 
Brehti si dramaturg në teatrin botëror çfarë vendi ka sot. Si luhet dhe çfarë është arritur me eksperimentimet e tij. A mund të na jepni një vizion, sepse dihet edhe lexuesi i sotëm është larguar nga leximi i letërsisë dhe dramaturgjisë klasike?
-Më vjen mirë që ma bën këtë pyetje, sepse ky fenomen i kësaj mungese të informacionit është i dukshëm dhe unë e ndjej. Të lexosh një roman dhe ta fillosh tabula rasa, ndoshta mund ta vedosësh raportin me letërsinë e x autori.

Mund ta shikosh edhe një ekspozitë pikture dhe ti njeh autorin, por autori si dramaturg është mirë të njihet përpara sesa ti të shikosh shfaqjen, Në botë dashmirësit e teatrit nuk shkojnë pa lexuar historinë se çfarë ka thënë autori dhe pastaj të shohin se çfarë mjetesh artistike janë vënë në funksion të trupës për të realizuar këtë gjë. Brehti në historinë botërore përbën një fenomen, nuk është fenomen i shkëputur. Shumë regjisorë gjejnë pika takimi me paraprijës të tij e dramaturgë të tjerë të një teatri të angazhuar apo tek pikat e takimit me elementë të arteve të tjera si muzika apo ndriçimi apo kërcimi.

Të gjitha këto e bëjnë Brehtin që të zërë një vend të rëndësishëm në historinë e teatrit botëror. Në shfaqjen tonë ka disa elementë të spekatklit, sepse kënga dhe koreografia janë pjesë përbërëse e teatrit të vetë Brehtit. Ka muzikë live, për të cilën me aktorët ka punuar mjeshtri Oleg Arapi, ka kërcim nga koreografi Arjan Sukniqi, ka  muzikë kabareje. Kasti i aktorëve ka punuar gjatë edhe me Mjeshtrin e Lëvizjes Skenike dhe Arteve Marciale, Enver Cakiqi.

Prezenca e karatesë nisi fillimisht si një aktivitet fizik për të sjellë trupin e aktorit në kondicione të mira shprehëse, por gradualisht si një element artistik u bë pjesë e estetikës së shfaqjes.
 
Premiera
Arturo Ui
 
Autor: Bertolt Breht
Regjia: Armand Bora
Skena/ Kostumet: Laedia Hajdari
Mjeshtër Koreograf: Arjan Sukniqi
Mjeshtër i Lëvizjes Skenike dhe Arteve Marciale: Enver Cakiqi
Drejtues Muzikor: Oleg Arapi
Interpretojnë: Alfred Trebicka, Suela Konjari, Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Kastriot Ramollari, Armela Demaj, Laura Nezha, Shyqyri Caushaj, Bruna Borova, Çlirim Denaj
Aleksandër Nikolli, Erin Kujofsa
Premiera: 10 Prill 2015
Salla: Shekspir
Ora 20:00


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Prill 2015

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, s’lejohen votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota

Zgjedhjet në Himarë, s’lejohen votuesit me ID të skaduar, Omonia akuza Ramës: Mbi 6 mijë zgjedhës privohen nga vota