Nesër në orën 10:00 të mëngjesit trajneri i ri i Kombëtares, Rolando Maran, do të publikojë listën me emrat e futbollistëve të ftuar për dy miqësoret e qershorit, kundër Izraelit dhe Luksemburgut në Tiranë.

Në prag të përgatitjeve për këto duele, kreu i FSHF-së, Armand Duka tha për TAR se mesfushori i Napolit, Luis Hasa, do të jetë pjesë e ekipit për herë të parë.

“Emër që nuk ka qenë ndonjëherë është Luis Hasa. Shqiptar, me origjinë nga Peqini që luan në Itali dhe për herë të parë do ta kemi. Luan apo jo, e di trajneri, por do të jetë i grumbulluar”, tha Duka.

I lindur në Itali më 06 janar 2004, 22-vjeçari Hasa është produkt i akademisë së Juventusit. Në verën e vitit 2024 ai kaloi te Lecce dhe pas vetëm disa muajve Napoli pagoi 500 mijë euro për ta afruar në ekip, me kontratë deri në verën e vitit 2029.

Sezonin e fundit Hasa luajti në huazim me Carraresen në Serie B, ku në 31 ndeshje shënoi pesë gola dhe asistoi në katër raste.

Luis Hasa ka qenë pjesë e Shqipërisë U-15, por pa u aktivizuar. Më pas ai luajti me moshat e Italisë, ku me U-19 fitoi edhe Kampionatin Evropian. Mesfushori ka luajtur tre ndeshje me Italinë U-21, ndërsa përfundimisht ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të jetë një nga risitë e trajnerit të ri të Kombëtares, Rolando Maran.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të rikthehet në “Air Albania” gjatë muajit qershor për dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Izraelin më 3 qershor, në orën 20:00, ndërsa më 6 qershor, po në orën 20:00, do të sfidojnë Luksemburgun.

Luis Hasa