Armando Broja e ka derën të hapur në Kombëtare dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe trajneri Sylvinho ne një intervistë për RTV Dukagjinin në Kosovë.

Për trajnerin, Broja është lojtar i një tjetër kalibri, por duhet që të rikthehet "avash-avash" në formë nga një dëmtim që e mbajti jashtë për më shumë se dhjetë muaj.

"Armando Broja në Europian?

Sa i përket Brojës, është një futbollist shumë i fortë teknikisht, i një kalibri tjetër. Ka pasur një dëmtim të rëndësishëm, që e mbajti larg fushave 10-11 muaj. Po rikthehet, por nuk është e lehtë. I duhet që të rikuperohet avash-avash dhe të marrë kohën e tij për të luajtur rregullisht. Ai është i fortë dhe do të bëjë mirë në muajt e ardhshëm. Situata e tij ka qenë e vështirë dhe duhet të kujdeset për shëndetin e tij, të rigjejë ritmin dhe sigurisht që mund të vijë në kombëtare.

11 muaj në Shqipëri, çfarë do të veçonit?

Duke e menduar pak shpejt, jeta ime këtu ka qenë hotel-federatë. Kam ngrënë dhe kam punuar me futbollin. Organizimi dhe puna ka qenë shumë e mirë dhe është përmirësuar çdo ditë. Kemi pasur takime, biseda, organizime dhe 10 muaj me shumë punë, por edhe të suksesshme", tha braziliani i Kombëtares.