Kristjan Asllani shumë shpejt mund të mos jetë i vetmi futbollist i kombëtares te Interi sipas mediave italiane. Shumë prej tyre kanë shkruar sot se drejtuesit zikaltër kanë piketuar Armando Brojën për sulmin, duke qenë se Arnautovic vuan dëmtimet dhe Sanchez nuk jep siguri.
Megjithatë drejtori i klubit, Piero Ausilio, i cili merret posaçërisht me merkaton, në një intervistë për mediat në Shqipëri e ka mohuar që klubi të ketë interes për sulmuesin 22-vjeçar.
“Nuk jemi të interesuar sepse jemi të kënaqur me sulmuesit të cilët kemi në dispozicion, por e njoh mirë Brojën dhe i uroj më të mirat në kombëtare. Po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë dhe së fundmi është rikthyer duke shënuar dhe gol. Shpresoj të jetë sa më i dobishëm për kuqezinjtë duke filluar nga e enjtja", tha drejtori zikaltër.
Drejtori i nënkampionëve të Europës u ndal edhe tek minutat e pakta që po merr Kristjan Asllani.
“Asllanin e morëm pavarësisht se ishte një lojëtar shumë i ri dhe me 6 muaj eksperiencë te Empoli, pasi besojmë te talenti dhe kualiteti i tij. Por si i ri duhet të fitojë eksperiencë dhe atë po bën tani. Në merkaton e fundit u largua një lojtar si Brozovic, i cili i zinte hapësirën Asllanit”, vijoi italiani.
Në fund Piero Ausilio dha këtë mesazh për të gjithë tifozët e shumtë të Interit në Shqipëri.
“Një përqafim të madh dhe një përshendetje të ngrohtë të gjithë tifozëve të Interit në Shqipëri. Di që na ndiqni, vazhdoni ta bëni sepse ne bëjmë gjithçka për t'ju dhënë kënaqësi të mëdha”, tha ai.
Piero Ausilio ishte në Tiranë për të ndarë eksperiencën me drejtorët e rinj sportivë, të cilët u diplomuan sot nga Federata Shqiptare e Futbollit.