Italia e Roberto Mancini-n nuk di të ndalet në këto eliminatore të kampionatit Europian. Edhe pse me vështirësi ‘axurrët’ kanë fituar me shifrat 1-3 kundër Armenisë, duke marrë tre pikët e pesta radhazi në po kaq ndeshje në grupin J.
Ndeshja në fakt nisi me një Armeni e cila imponoi një ritëm të frikshëm dhe nuk kaloi shumë para se të zhbllokonte rezultatin. Në minutën e 11 Karapetian goditi bukur në zonë nga një kënd I prirët duke mposhtur edhe portierin Donnarumma.

Pas këtij moment Italia dalëngadalë rriti ritmin dhe pas disa tentativave barazoi me Belotti-n në minutën e 28 që nuk e pati të vështirë të realizonte me portën e boshatisur. Pjesa e parë do të mbyllej më këto shifra, por para se skuadrat të shkonin për pushimin e zakonshëm në dhomat e zhveshjes autori i goli Karpetian la Armeninë me 10 futbollistë pas kartonit të dytë të verdhë.
Në fraksionin e dytë të lojës Italia nuk e pati aspak të lehtë, madje Armenia me 10 lojtarë rrezikoi në dy tre raste. Gjithsesi në minutën e 77 Pellegrini kaloi për herë të parë në avantazh Italinë në këtë ndeshje pas një krosimi të Bonucci-t. Më pas pati kohë edhe për një gol tjetër, të realizuar nga Belotti, por që u devijua edhe nga portieri vendas.
Në fund ajo që vlen është fitorja për Italinë, e cila ngjitet në kuotën e 15 pikëve duke krijuar një distancë siguria me vendin e dytë. Nga ana tjetër Armenia sheh veten ti ikin pikët nga duart, duke komlikuar ndjeshëm shanset për vendin e dytë.

