Armëpushimi që desh e shtyu Evropën në humnerën e luftës

Armëpushimi që desh e shtyu Evropën në humnerën e luftës

Benito Musolini dhe Hitleri

Pas kontakteve të presidentit amerikan Donald Trump me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, i cili dukej se parashikonte një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë në favor të interesave të Moskës, duke anashkaluar Kievin dhe partnerët evropianë të Aleancës Atlantike, rastësia është e habitshme që konferenca vjetore për sigurinë evropiane mbahet në Mynih.

Ky qytet njihet në histori për një tjetër takim të nivelit të lartë, i cili u zhvillua në vitin 1938 dhe mbeti në imagjinatën kolektive si shembull për dorëzimin ndaj kërkesave të një agresori, që ishte asokohe Gjermania Nacional-Socialiste.

Por çfarë ndodhi saktësisht në atë rast?

Me ardhjen në pushtet në vitin 1933, Adolf Hitler inauguroi një politikë të riarmatimit të përshpejtuar të vendit të tij, pa e fshehur synimin për të përmbysur si çorape strukturën evropiane si rezultat i disfatës gjermane në Luftën e Parë Botërore dhe Paqes së Versajës më pas.

Në vitin 1936 Rajhu i Tretë futi trupat e tij në Rheinland, zonë e cila sipas marrëveshjeve do të mbetej e çmilitarizuar dhe më pas në mars 1938 vazhdoi aneksimin e Austrisë.

Objektivi i deklaruar i Führer-it ishte të bashkonte me Gjermaninë të gjitha popullsitë gjermanishtfolëse që ishin jashtë kufijve të saj.

Pra, pas Austrisë erdhi radha e Çekosllovakisë, duke përfshirë rajonin e Sudetenland-it, i populluar kryesisht nga banorë me kombësi gjermane.

Hitler-i filloi përgatitjet për pushtimin e atij vendi, ndërkohë kishte nisur një fushatë të fuqishme propagandistike në lidhje me diskriminimin e supozuar ndaj të cilit supozohej se i nënshtrohej pakica sudete nga qeveria e Pragës.

Ndërkohë, shërbimet sekrete naziste organizuan një sërë veprimesh dhe incidentesh të fshehta për të destabilizuar situatën në kufi.

E gjithë kjo alarmoi Francën dhe Britaninë e Madhe, aleate të Çekosllovakisë.

Filluan kontaktet për të shmangur një konflikt të armatosur që mund të kishte marrë përmasa kontinentale.

Kryeministri britanik i kohës Neville Chamberlain u takua me Hitler-in në Bad Godesberg më 22 shtator të vitit 1938 dhe hipotezoi një zgjidhje të bazuar në lëshime të kufizuara territoriale nga Çekosllovakia.

Ishte linja e “zbutjes” e bazuar në idenë se një modus vivendi mund të gjendej duke i bërë lëshime Rajhut të Tretë. Por diktatori nazist donte një dorë të lirë.

Më 26 shtator Hitler-i mbajti një fjalim shumë të dhunshëm në Berlin, në të cilin kërcënoi me luftë nëse kërkesat e tij nuk pranoheshin deri më 1 tetor.

Dukej se nuk kishte më asnjë shans për të ruajtur paqen.

Si përpjekje e fundit, me ndërmjetësimin e Benito Mussolini-t, u organizua me ngut në Mynih një takim, ku morën pjesë krerët e Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Francës për të kërkuar një zgjidhje paqësore të krizës së Sudetenland-it.

Memoria e luftës së mëparshme botërore rëndoi shumë mbi Chamberlain dhe kryeministrin francez Édouard Daladier.

Dhe në thelb të dy demokracitë perëndimore, në logjikën e zbutjes, nuk i konsideruan të pabazuara kërkesat e Rajhut të Tretë në bazë të parimit të vetëvendosjes së popujve që do të zbatoheshin ndaj banorëve gjermanë të Sudetenland-it.

Aq sa pranuan kërkesën e Fyhrer-it për të përjashtuar Çekosllovakinë nga bisedimet.

Konferenca filloi më 29 shtator rreth orës 12.45 pasdite dhe menjëherë mori një drejtim të favorshëm për pretendimet e Rajhut të Tretë.

Në orët e para të pasdites Mussolini paraqiti një propozim për një marrëveshje, bazuar në një draft të përgatitur nga diplomatët gjermanë.

Dhe midis orës dy dhe tre të mëngjesit të 30 shtatorit u nënshkrua Pakti i Mynihut, i cili i lejoi Gjermanisë të pushtonte ushtarakisht Sudetenland-in midis 1 dhe 10 tetorit, ndërsa Franca dhe Britania e Madhe morën përsipër të garantonin integritetin territorial të Çekosllovakisë në kufijtë e saj të rinj.

Në Evropë pati lehtësim të përgjithshëm në përfundim të marrëveshjes, e cila shmangte përdorimin e armëve.

Por ishte një mendim i dëshiruar.

Disa muaj më vonë, në mars 1939, Hitleri përfitoi nga mosmarrëveshjet midis çekëve dhe sllovakëve për t’i dhënë goditjen përfundimtare atij vendi tashmë të gjymtuar.

Trupat gjermane hynë në Pragë: rajonet çeke të Bohemisë dhe Moravisë u bënë protektorat i Gjermanisë, ndërsa Sllovakia fitoi pavarësinë, por në një gjendje të qartë të një shteti satelitor të Rajhut.

Vetëm atëherë Londra dhe Parisi e kuptuan se Hitler-i ishte një bashkëbisedues krejtësisht jo i besueshëm, synimet ekspansioniste të të cilit duhej të kundërshtoheshin me vendosmëri.

Kështu, kur Berlin-i filloi të bënte pretendime të mëtejshme ndaj Polonisë, Chamberlain qëndroi në anën e Varshavës.

Rruga për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore ishte e qartë dhe Pakti i Mynihut do të hynte në histori si përpjekje e kotë për të qetësuar një tiran me ambicie të tepruara me çmimin e tradhtisë së aleatëve të tij.

Paralajmërimi i dhënë Chamberlain-it nga Winston Churchill, kundër dorëzimit ndaj Hitler-it, doli të ishte profetik: “Mund të zgjidhni midis çnderimit dhe luftës. Ti ke zgjedhur çnderimin dhe do të kesh luftë”. /Corriere della Sera/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 15/02/2025 09:24

    Sherbimwt sekretevnaziste kane qene fiks si eshte cia sot qe ben grushte shteti dhe hap luftera ne cdo cep te globit , lifta e Ukraines ishte mese e parashikueshme me futjen e ketyre te fundit ne Nato gje qe Moska e kishte paralajmeruar kohe me pare dhe fajin per kete e kane vendet grabitqare perendimore te cilet e shkaterruan nje vend dhe ne fund do te behet ashtu si mund te behej pa u bere fare lufte dhe pa humbir asnje meter katror territor

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

 Kujtim Gjuzi: Berisha vuri 44 emra të 'Sorosit' në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit

Kujtim Gjuzi: Berisha vuri 44 emra të 'Sorosit' në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit