TIRANE- Ngjarjet e fundit te krimit kanë rritur vëmendjen e qeverisë të cilët brenda janarit do të përgatisin dy projektligje për armatimin, duke i dhënë fund përhapjes së tyre .

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shprehet se do të lihet kohë për dorëzimin e tyre vullnetar, ndërsa masat ndëshkimore do të jenë të rrepta.
 
“Po pergatisim dy projektligje, një për armët, një për përdorimin e armëve dhe unë besoj se jemi duke bërë një punë shumë të mirë me partnerët ndërkombëtar. Do të bëjmë një konsultim shumë të gjerë edhe me shoqërinë civile. Me shumë gjasë po e vlerësojmë të lëmë dhe një periudhë kohe gjatë së cilës bëhet dhe dorëzimi vullnetar dhe pastaj me penalitete ekstreme. Dënimi është ekstrem po ka njohur vështirësi zbatimi i dispozitës ligjore lidhur me penalitetet. Ne po shikojme mundësitë si ta bëjmë pak më efiçent gjithë sistemin e dënimit lidhur me mbajtjen e paligjshme të armëve por qoftë edhe kategorizimin e armëve vet se nuk mund të denohet njëlloj një njëri që mban një pistoletë me një njeri që mban një kallashnikov, kështu që jemi duke bërë një projekt ligj që besoj do i japi një zgjidhje dhe do na vërë ne në pozitën për t'i shpallur luftë frontale armmbajtjes pa leje.”- tha Tahiri në një prononcim për mediat.
 
Por nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka është shprehur se nuk ka asgjë për të ndryshuar në legjislacionin penal lidhur me armët pasi, ndryshimet janë bërë njëherë.
 
“Në fund të mandatit të kaluar miratuam ndryshimet në Kodin Penal dhe rënduam dënimet për armëmbajtje qoftë ato me leje apo pa leje në rast të përdorimit të mbajtjes së armëve në shpisë dhe jashtë. Rritëm masën e dënimit për të gjitha. Por kjo nuk ka qenë problemi kryesor dhe Rama nuk ka gjë për të ndryshuar në këtë aspekt.”- tha Paloka.

Ndërhyrjet e fundit në legjislacionin për armët janë bërë në fillim të vitit që shkoi.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)