Të arrestuar janë: Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri dhe Artur Gora. Ndodhen në arrati, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula. Policia dyshon se, të arratisurit ishin ndarë në dy grupe, ai i shkodranëve dhe një dibrani dhe grupi i dytë është i dy të burgosurve të tjerë nga jugu. Gjenden dy makina
Deri tani policia ka ndaluar 6 persona si të dyshuar që kanë ndihmuar arratisjen e të burgosurve nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë. Të gjithë personat e ndaluar nuk janë banues apo të kenë ndonjë lidhje gjaku në rajonin e Korçës. Në edhe pranga organizatorët, Altin Lami, Olsi Maçi dhe Albi Meçini.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka vënë një shpërblim prej 5 mijë eurosh për çdo person i cili jep informacione në lidhje të burgosurit e arratisur. Ndërkaq mëngjesin e sotëm janë gjetur edhe dy makina, me të cilat kanë lëvizuar të dënuarit gjatë natës. Makinat janë gjetur të braktisura.
ARRATIA ORE PAS ORE DHE OPERACIONI I POLICISE NE KERKIM TE TYRE
ORA 20:45 POLICIA TRANSFERON NË PEQIN DHE BRADASHESH 3 TË BURGOSURIT E ARRATISUR NGA DRENOVA
Policia transferon 3 të burgosurit e arratisur ditën e djeshme nga burgu i Drenovës, të u arrestuan ditën e sotme në Përrenjas. Dy të arrestuarit Fran Marashi dhe Gëzim Guri transferohen në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Ndërsa i arrestuari tjetër Admir Tafili transferohet në paraburgim në Bradashesh. FOTO/Transferimi i 3 të burgosurve të arratisur nga burgu i Drenovës/VIDEO
20:30 POLICIA TËRHIQET NGA MAJA E MALIT TË GRAMOZIT, VIJON KËRKIMET NË FSHATRA
Policia vazhdon kërkimet në zonën kufitare me Greqinë, e kryesisht në zonën e Dardhës, për tre nga 7 të arratisurit nga burgu i Drenovës në Korçë, ndërsa 4 të tjerët tashmë janë arrestuar. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, forcat e rendit janë tërhequr nga maja e malitë të Gramozit, ndërsa po vijojnë kërkimet në fshatrat përreth.
Në këtë aksion policia po përdor kamera termike për lokalizimin e gjurmëve, por sipas të dhënave të deritanishme nuk ka të tilla.
POLICIA: 3 TË ARRATISURIT JANË LOKALIZUAR NË MALIN E GRAMOZIT
Policia e Korçës jep detaje për vendndodhjen e tre të arratisurve. Sipas policisë, alarmi për vendndodhjen e të arratisurve në Vithkuq, ishte i rreme, pasi ata janë lokalizuar në malin e Gramozit.
Pas arrestimit të 4 prej tyre, tashmë në arrati ndodhen Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lulo.
Policia vijon krehjen e zonës në malin e Gramozit me vështirësi, edhe për shkak të terrenit të thyer malor.
16:25 PROKURORIA URDHËRON ARRESTIMIN E 21 PUNONJËSVE TË POLICISË SË BURGUT TË DRENOVËS
Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër arresti për 21 punonjës të burgut të Drenovës, nga u arratisën 7 të burgosur pasditen e djeshme. Urdhri ëpr arrestimin e tyre u dha nga Prokuroria e përgjithshme. Sipas Prokurorisë, punonjësit janë të dyshuar për shpërdorim detyre.
16:01 POLICIA VIJON KËRKIMET NË PIKAT KUFITARE ME GREQINE
Policia e Korçës jep detaje për operacionin e kërkimit të të burgosurve të cilët u arratisën nga burgu i Drenovës, Eduard Lulo e Reiz Haxhiraj. Sipas policisë vazhdojnë kërkimet në fshatrat Treskë, Grabockë, Shtikë dhe Luras, edhe në shtëpitë e braktisura në fshatra.
Aksioni i kërkimit për të burgosurit e arratisur mbrëmjen e djeshme, vijon në edhe në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, si dhe në zonën e Dardhës, Arzës dhe në malin e Gramozit.
Në kërkim është edhe shtetasi Gëzim Toma.
15:55 BASHKIM MUÇA, INSPEKTORI I POLICISË, I PLAGOSUR GJATË SHKËMBIMIT TË ZJARRIT
Identifikohet polici i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me të arratisurit nga burgu i Drevonës. I plagosuri, Bashkim Muça, mësohet se shërbente si inspektor policie në Prrenjas dhe në Librazhd.
Muça është plagosur në këmbë, ndërsa mësohet se ndodhet në spitalin e prenjasit jashtë rrezikut për jetën.
15:17 ADNAN XHOLI, NË KRYE TË HETIMIT PËR ARRATISJEN E BUJSHME
Adnan Xholi, drejtor i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme do jetë drejtues i grupit hetimor lidhur me çështjen e arratisjes së bujshme nga burgu i Drenovës. Lajmi bëhet i ditur nga burime nga Prokuroria.
(Foto/Adnan Xholi)
15:12 TE ARRESTUARIT LËVIZËN ME MJETE TE KAMUFLUARA ME SINJALET E POLICISË
Mësohet se të arratisurit nga burgu i Drenovës, kanë përdorur sinjalet e policisë në mjetin me të cilin janë arratisur. Me po këtë mjet, ata janë përplasur me uniformat e policisë. Ndëkaq vijon aksioni për kapjen e të arratisurve nga burgu.
ORA 14:42 RAMA: POLICIA E SHTETIT NË KRYE TË DETYRËS, KY ËSHTË VETËM FILLIMI
Kryeministri Edi Rama ka shkruar në profilin e tij në Facebook, në lidhje me operacioni që është duke u zhvilluar që prej mbrëmjes së djeshme për arrestimin e të arratisurve.
“Më në fund Shqipëria ka një Polici Shteti në krye të detyrës. Asgjë sdo na ndalë në luften me krimin e me korrupsionin. Ky është veç fillimi”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.
(Në foto: Një nga të arratisurit Fran Marashi, i cili u arrestua në Prrenjas)
ORA 14:25 THIRRJA E TAHIRIT: DORËZOHUNI SOT, NESËR DO JETË VONË
Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri i shoqëruar edhe nga drejtori i Policisë së Shtetit, kanë dhënë një konferencë për median në lidhje me arratisjen nga burgu i Drenovës.
Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri ka falenderuar policinë për angazhimin maksimal, ndërsa tha se, të arratisurit të maskuar edhe si efektivë policie dhe me makina me fenelinë kanë thyer postbllokun e ngritur nga policia për ndalimin e tyre.
Gjatë konferencës për median, Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri u ka bërë thirrje “të arratisurve, familjarëve të tyre apo miqve që të dorëzohen sot, pasi nesër mund të jetë vonë për ta”.
(Ministri Sajmir Tahiri dhe drejtori i Policise se Shtetit, Artan Didi, gjate konferences per median)
ORA 14:00 VAZHDON AKSIONI I POLICISE PER ARRESTIMIN E TE ARRATISURVE
Qindra forca policie kanë zbarkuar në Prrenjas në përpjekje për të arresuar edhe të arratisurit e tjerë nga burgu i Drenovës. Policia ka nisur krehjen e gjithë zonës dhe të shpateve të maleve pasi aty dyshohet se ndodhet një nga të arrestuarit, Gëzim Toma.
Sipas korrespondetit të A1 Report dhe Shqiptarja.com, Andi Qosja, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes duke ndjekur operacionin e policisë hap pas hapi, aty kanë ardhur rreth 7 furgonë të RENEA-s dhe të FNSH-së, si dhe efektivë të Policisë së Elbasanit.
(Në foto: Policia në momentin e arrestimit të tre të arratisurve në Prrenjas)
ORA 13:25 EMRAT E POLICËVE QË JANË ARRESTUAR
Në pranga janë vënë disa prej oficerëve të policisë që ndodheshin në shërbim në momentin kur ka ndodhur arratisja. A1 Report dhe Shqiptarja.com, kanë zbuluar edhe emrat e disa prej 11 gardianëve të cilët janë vënë në pranga. Ata janë: Gjergji Këllezi, Mondi Qarri, Riza Spaho, Tefo Gjençi, me detyrë përgjegjës i turnit
ORA 13:10 NAÇO: NË PRANGA GJITHË PUNONJËSIT E TURNIT NË BURGUN E DRENOVËS
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, gjatë një deklarate të bërë në ambientet e ministrisë, ku kishte mbledhur edhe të gjithë drejtuesit e burgjeve ka deklaruar se, mbrëmjen e djeshme janë arrestuar të gjithë punonjësit e policisë që ndodheshin në turn gjatë arratisjes së bujshme nga qelitë.
Sipas ministrit, ngjarja e djeshme është shumë e rëndë dhe kjo ka treguar se sistemi i burgjeve është i kalbur, prandaj duhet një reformë në tërësi.
(Tre të arratisurit që janë në kërkim)
ORA 13:03 ARRESTOHET PERSONI QE SHKAKTOI SHPERTHIMIN
Në Tiranë është arrestuar edhe një nga bashkëpunëtorët në arratisje. Ai është Altin Lami, personi i cili ka vendosur ditën e djeshme eskplozivin pranë burgut të Drenovës 5 minuta para se të ndodhte arratisja nga qelitë.
ORA 12:35 KAPEN TRE PREJ TE ARRATISURVE NGA BURGU I DRENOVES
Kapen tre prej të arratisurve nga burgu i Drenovës: Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri. Njëri prej tyre Gëzim Toma është rrethuar nga policia e cila ka gjetur vendndodhjen e tij. Në momentin e arrestimit të të arratisurve u janë gjetur dy pistoleta të llojit TT, disa celularë dhe maska.
(Në foto: Të arratisurit që janë vënë në pranga nga policia)
ORA 12:10 BABAI I GEZIM GURIT: DJALI IM I DENUAR PADREJTESISHT
Ndërkohë edhe babai i Gëzim Gurit thotë jashtë kameras për A1 Report se djali i tij, është dënuar padrejtësisht, ndonëse është dënuar me burgim të përjetshëm, për dy vrasje. Gjergj Guri thotë se në të dyja rastet djali i tij është dënuar si bashkëautor i vrasjeve dhe dënimi që ka marrë nuk është i drejtë.
ORA 11:43 NAÇO MBLEDHJE URGJENTE ME DREJTUESIT E BURGJEVE
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka thirrur në mbledhje urgjente në orën 13:00 drejtuesit e burgjeve, në lidhje me situatën e krijuar pas arratisjes nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës në Korçë. Priten masa të ashpra.
ORA 11:40 NE PRANGA DY ORGANIZATORET E ARRATISJES SE DRENOVES
Vihen në pranga dy organizatorët e arratisjes së bujshme nga burgu i Drenovës. Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, në pranga janë vënë Olsi Maçi dhe Albi Meçini. Këta dy persona janë ndaluar nga Policia e Elbasanit dhe u dërguan në Policinë e Korçës. Të arrestuarit janë nga Shkodra.
Sipas policisë, dy personat e arrestuar dhe të dyshuar si organizatorë ishin duke udhëtuar me makinën me targa AA389 GY. Dy të arrestuarit kishin zhvilluar takime të shumta muajt e fundit me të dënuarit që janë arratisur.
ORA 10:53 FLET GRUAJ E GORËS: E PRISNIM TE DILTE ME LEJE
Bashkëshortja e Artur Gorës, Tina Gora ka deklaruar jashtë kamerave se priste bashkëshortin që të dilte me leje. Duke folur jashtë kamerave, ajo thotë arratisjen se, “arrtisjen e të shoqit e kishtë mësuar përmes medias dhe se nuk kishte dijeni për të”.
Ajo shton se, “Artur Gora nuk kishte lidhje me planin e arratisjes dhe se përfitoi nga rrëmuja e krijuar”. Madje, sipas saj, “Gora pritej të përfitonte disa ditë leje, pasi nëna e tij është sëmurë”.
ORA 10:05 DESHMIA E GORAS: NUK DI GJE PER PLANIN, PERFITOVA NGA RREMUJA
I arrestuari Artur Gora ka thënë pas arrestimit se, nuk ishte pjesë e ndonjë plani për tu arratisur. “Nuk kam qenë pjesë e planit, thjeshtë kam përfituar nga rrëmuja që ka ndodhur në ambientet e burgut kur është qëlluar me armë. Në këtë moment kam tentuar dhe jam larguar edhe unë”, ka thënë Gora para policisë pas arrestimit.
Ai ka treguar se, ka qenë i vetëm kur është larguar dhe ka tentuar të shkojë në shtëpinë e tij në Pojka, për të parë nënën pasi e kishte të sëmurë. “Kam qenë i vetëm kur jam larguar. Kam dashur të shkoj në shtëpinë time në Pojan në Korçë pasi kam nënën sëmurë. Nuk e di se ku kanë shkuar të tjerët dhe nuk kam pasur dijeni për planin e arratisjes”, është dëshmia e dhënë e Artur Goras përpara policisë.
ORA 09:40 NDALOHEN KATËR TË DYSHUAR SI NDIHMËS NË ARRATISJE
Policia e Korçës mësohet se ka ndaluar gjatë mëngjesit të sotëm edhe katër persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në arratisjen e shtatë të dënuarve të burgut të sigurisë së lartë. Të katë të ndaluarit mësohet se nuk janë nga zona e Korçës.
ORA 08:29 KUSH JEP INFORMACIONE MERR 5000 EURO
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, jepen 5 mijë euro shpërblim për këdo person që jep informacione në lidhje me të arratisurit nga burgu. Policia ka bërë të ditur se, përkëdo që jep informacionin do të ruhet anonimati.
ORA 08:05 GJENDET NJË MAKINË TJETËR, NDALOHEN DY SHKODRANË
Grupi i Admir Tafili, i cili dyshohet se është edhe organizatori i kësaj arratisjeje spektakolare dyshohet se ndodhet në malet e Pogradecit në kufi me Librazhdin. Në këtë grup bëjnë pjesë tre shkodranët dhe një dibran. Ata janë, Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Toma, Gëzim Dora.
Policia e Elbasanit ka ndaluar deri më tani dy të rinj nga Shkodra, që dyshohet se kanë ndihmuar në arratisjen e 7 të dënuarve. Ata janë dërguar në Policinë e Korçës dhe janë duke u marrë në pyetje. Ndërkaq është gjetur dhe një makinë tjetër, ky dyshohet se udhëtonte grupi prej katër të dënurash.
ORA 07:40 TË DËNUARIT JANË NDARË NË DY GRUPE
Policia dyshon se të dënuarit janë ndarë në dy grupe. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, dyshohet se 4 prej të arratisurve kanë dalë nga qarku i Korçës. Ata që janë larguar nga qarku juglindor dyshohet se janë, 4 të arratisurit: Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Toma, Gëzim Dora.
Ndërkaq, sipas policisë. Eduard Lulo dhe Reis Haxhiraj dyshohet se janë në zonën e Korçës.
ORA 07:33 GJENDET E BRAKTISUR MAKINA E KRYEPLAKUT
Gjendet e braktisur makina e rrëmbyer nga të arratisurit nga burgu i Drenovës. Policia e Korçës ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm se makina që ju mor kryeplakur të fshatit Qatrom, Myfit Ustalli, është gjetur në fshatin Ravonik në Korçës.
Njëri prej të arratisurve i mori makinën mbrëmjen e djeshme kryeplakut Ustalli. Makina u gjetur në Ravonik, fasht që ndodhet 6 kilometra larg qytetit të Korçës. Dyshohet se në këtë mjet udhëtonin dy të dënuar që u arratisën mbrëmjen e djeshme.
Katër të arratisurit e tjerë udhëtonin me një mjet tjetër që e kanë braktisur në Pogradec. Dyshohet se makina drejtohej nga 2 persona që kishin ardhur nga Tirana që kishin ardhur në ndihmë të të arratisurve.
ORA 00:37 - PËRFUNDON TAKIMI I TAHIRIT ME LALLËN DHE NAÇON
Ka përfunduar pas pesë orësh mbledhja e ministrit të Rendit, Saimir Tahiri me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço mbi arratisjen e 7 të burgosurve të burgut të Drenovës. Pas mbledhjes nuk janë dhënë informacione zyrtare.
ORA 00:00 - POLICIA PUBLIKON FOTOT E 7 TË ARRATISURVE
Ministria e Brendshme ka publikuar fotot e 7 të arratisurve, në të cilat spikasin portrete të trishtuar, të zbehtë e të plakur të atyre që janë futur në burg mjaft vite më parë. Ndryshon mjaft Admir Tafili i vitit 2003 nga ai i vitit 2013. Por në tërësi, vuajtja mbizotëron në çdo portret.
(Në foto: Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2013).
(Në foto: Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm kur u burgos në 2003).
(Në foto: Fran Marashi, i dënuari me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore në vitin 2013)
,
(Në foto: Fran Marashi, i dënuari me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1997)
Pesë minuta para arratisë në burg është dëgjuar shpërthim, një taktikë për të tërhequr vëmendjen e policëve. Ndërkohë, forca të shumta të policisë kanë ngritur postblloqe dhe po bëjnë kontrolle për të kapur të arratisurit. Megjithatë, këta të fundit kanë kaluar me forcë postobllokun e ngritur nga policia e Pogradecit afër Qafë Thanës.
Forca të shumta policie, edhe ato RENEA, janë vënë në ndjekje të të arratisurve. Ka dyshime se ata janë nisur drejt Tiranës, por dhe Maqedonisë dhe Greqisë. Admir Tafili, një i dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e vëllezërve Petrjushi, dhe plagosjen e ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjetër Petrushi.
Fran Marashi ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1997, ku në një restorant mes militiantëve të partive u vranë 20 vetë. Siç raportoi direkt nga burgu i Drenovës, një burg i rikonstruktuar së fundi, gazetarja e 'A1 Report", Lediona Xheladinaj, para arratisjes të burgosurit kishin bërë një grevë për kushtet e tyre në burg, por kjo s'ishte përfillur.
ORA 23:20 - PROKURORIA NIS PROCES HETIMOR PËR BURGUN E DRENOVËS
Prokuroria nis proces hetimor ndaj gjithë personelit të burgut të Drenovës, nga ku u arratisën të pajisur me armë zjarri 7 të burgosur. Hetimi do jetë se si janë futur armët në burg,si u organizua arratisja etj. Nuk do përjashtohen nga ky proces as pastrueset apo rojet e këtij burgu. Një javë para ngjarjes në burg ka pasur një kontroll dhe kanë gjetur vetëm celularë dhe jo armë.
ORA 22: 55 - NGRIHEN POSTOBLLOQE EDHE NË JUG TË VENDIT
Policia njofton se janë ngritur postoblloqe edhe në jug të vendit, një i tillë për shembull në Vlorë.
ORA 22:40 - KRYEPLAKU: ME NAFTËN QË KISHA NË MAKINË MUND TË IKIN 5-6 KM
Kryeplaku i fshatit Qatrom, Myfit Ustalli, fshat afër burgut të Drenovës në një lidhje direkte për 'A1 Report" tregoi se personi që i mori makinën ishte i armatosurme një armë që i ngjante Kallashnikovit. Ai nuk ushtroi asnjë dhunë ndaj kryeplakut, por vetëm i kërkoi makinën. Ustalli ia jep duke menduar se ishte polic. Makina ishte një Benz i zi, 200. Sipas kryeplakut, në makinë kishte karburant sa për të bërë 5-6 km dhe ai duhet të jetë diku afër Maliqit.
ORA: 22:35 - POLICIA SHPËRNDAN FOTOT, SË SHPEJTI DHE PËR PUBLIKUN
Policia e Shtetit vijon aksionet për gjetjen dhe kapjen e 6 personave të tjerë që janë arratisur sot pasdite nga burgu i Drenovës. Fotografitë e tyre u janë shpërndarë të gjitha shërbimeve policore në terren dhe shumë shpejt do të shpërndahen edhe për publikun e gjerë.
ORA: 22:00 - NGRIHEN 2 POSTBLLOQE NË RRUGËN E ELBASAN-TIRANË, NË HYRJE TË TUNELIT DHE IBË
ORA 21:55 - KAPET NË TAKSI ARTUR GORO, TË BURGOSURIT TË NDARË
Kapet Artur Gora, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri policie në Pojan të Korçës. Goran e kane ndaluar ne rrugen nacionale Korçë-Ersekë, saktësisht në Dishnicë, afër banesës së tij, në një taksi. Gora dhe taksisti janë shoqëruar në komisiaratin e policisë. Artur Demir Gora është arrestuar nga policia në aksin Dishnicë – Devoll. Artur Gora ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Ford” për në drejtim të banesës së tij, teksa është ndaluar nga një postobllok i policisë i ngritur enkas për këtë qëllim. I arratisuri ka pretenduar se automjetin e ka marrë si taksi, por policia ka kryer edhe shoqërimit e drejtuesit të mjetit. Gora ishte i dënuar në vitin 2003 me burgim të përjetshëm, për “Vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas gazetares se A1 Report, te burgosurit jane duke lëvizur të ndare nga njeri-tjetri.
ORA 22:00 NE DRENOVE TAHIRI, NACO E LLALLA
Ne burgun e Drenovës ministri Tahiri, Naço dhe kryeprokurori Llalla.
ORA 21:50 - TË ARRATISURIT I MARRIN MAKINËN KRYEPLAKUT
Të arratisurit i kanë marrë makinën kryeplakut të fshatit Qatrom, Myfit Ustalli,fshat afër burgut të Drenovës. Kryeplaku ka treguar se ata i jane paraqitur si police dhe kane ikur me shpejtesi ne drejtim te Korçës.
ORA 21:40 - POLICIA E KORÇËS KONTROLLON ÇDO AUTOMJET
Forca të shumta të policisë së Korçës kanë bllokuar hyrje-daljet nga ky qytet, duke kontrolluar çdo automjet.
ORA- 21:35 - MBËRRIJNË PROKURORËT E KORÇËS NË BURGUN E DRENOVËS
ORA 20:50- POLICIA: NJOFTONI NË NUMRIN 129 PO I PATË
Ministria e Punëve Publike u kërkon të gjithë atyre që mund të kenë informacione lidhur me këta persona dhe vendndodhjen e tyre që të njoftojnë menjëherë komisariatet e policisë në numrin 129.
ORA 20:50 - POLICIA POSTBLLOQE NE TE GJITHA AKSET RRUGORE, BENI KUJDES
Policia thotë se ka marrë masat duke ngritur postblloqe në të gjithë akset rrugore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit si dhe me zonën kufitare. Në lëvizje dhe policia e shteteve fqinje.
“Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEAS janë nisur në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, ndërsa janë informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është ngritur një shtab pune me drejtuesit më të lartë të institucioneve ligjzbatuese në vend, që po koordinon të gjitha veprimet e policisë dhe agjencive të tjera shtetërore, për kapjen e këtyre personave. Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes pasi personat e arratisur janë të armatosur dhe të rrezikshëm."
ORA 20:50 - POLICIA: TE ARRATISURIT PJESA ME E MADHE TE DENUAR ME BURG PERJETE
Përmes një njoftimi për shtyp policia njofton arratisjen.
"Shtatë persona janë arrratisur nga Burgu i Drenovës, në rrethin e Korçës, rreth orës 19:30 të ditës sotme. Sipas informacioneve paraprake personat e arratisur, pjesa më e madhe të dënuar me burgime të përjetshme mendohet se janë të armatosur.
Të arratisurit janë:
1. Admir Bahri Tafili, vitlindja 1975, lindur e banues në Shkodër;
2. Fran Pal Marashi, vitlindja 1978, lindur e banues në Shkodër;
3. Gëzim Gjergj Guri, vitlindja 1977, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër;
4. Gëzim Ndue Toma, vitlindja 1982, lindur e Banues në Dibër;
5. Reiz Namik Haxhiraj, vitlindja 1971, lindur e banues në Selenicë të Vlorës;
6. Eduard Kujtim Lula, vitlindja 1982, lindur e banues në Përmet;
7. Artur Demir Gora, vitlindja 1969, lindur e banues në Pojan të Korçës.
ORA: 20:50 - POLICIA INFORMON MAQEDONINË DHE GREQINË
Policia e Shtetit ka informuar dhe vënë në lëvizje edhe policitë e vendeve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë, ku dyshohet sem und të shkojnë të arratisurit. Ato janë vënë në ndjekje të të arratisurve.
ORA: 20: 45 - TË ARRATISURIT NISEN DREJT TIRANËS
Sipas burimeve të 'A1 Report" pranë Ministrise se Brendshem dyshohet se te arratisurit jane nisur drejt Tiranes. MB iu ben thirrje qytetareve te kene kujdes, pasi personat ne fjale jane individe me rrezikshmeri te larte shoqerore dhe te armatosur.
ORA19:50 - TË ARRATISURIT KALOJNË POSTOBLLOKUN E POLICISË
Pavarësisht postoblloqeve të policisë, të arratisurit kanë kaluar me forcë postobllokun e ngritur nga policia e Pogradecit afër Qafë Thanës.
ORA 19:45 - MINISTRI TAHIRI MBLEDH URGJENT LLALLËN DHE NAÇON
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka thirrur një mbledhje urgjente me krerët e Policisë së Shtetit, të SHISH, me kryeprokurorin Lalla dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço etj.
ORA 19:40 - POLICIA KRIJON POSTBLLOQE POLICIE PËR T'I KAPUR
Forca të shumta të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Reneas janë nisur në zonën ku mendohet se ndodhen të arratisurit, duke krijuar postoblloqe të shumta edhe në Pogradec, Elbasan, Librazhd.
ORA 19:30 - NGA BURGU I DRENOVËS ARRATISEN 7 TË BURGOSUR
Shtatë të burgosur janë arratisur nga burgu i Drenovës së Korçës. Të burgosurit, të gjithë të armatosur me nga një armë në dorë nën kërcënimin e armëve kanë qëlluar me armë për mosafrimin e rojeve, e më pas kanë çarmatosur dhe tulatur policët e burgut, duke mundur të arratisen.
ORA 19:25 - DËGJOHEN SHPËRTHIM DHE TË SHTËNA BRENDA BURGUT
Pesë minuta para arratisjes, brenda burgut është dëgjuar shpërthim, gjë që më pas nga policia u konfirmua se kjo ka qenë taktikë për të tërhequr vëmendjen e policëve. Janë dëgjuar edhe të shtëna armësh, gjithashtu për këtë qëllim. Të dy kanë tentuar dhe më parë të arratisen prej burgut të Fushë-Krujës në vitin 2011, duke tentuar të presin me tem me majë diamanti hekurat e burgut, por pas arratisë janë kapur nga policia.
(Lajmi fillimisht është publikuar në orën 19:30 minuta të ditës së djeshme 23 nëntor 2013 dhe është në përditësim të vazhdueshëm)
Redaksia Online
(e.s/mag/ac/shqiptarja.com)