Ish gazetarja ruse që protestoi kundër pushtimit të Ukrainës është arratisur nga vendi. Avokati i saj tha se Marina Ovsyannikova dhe vajza e saj u larguan nga Rusia vetëm disa orë pasi lanë banesën ku ndodhej në arrest shtëpie.
“Ato janë në Europë tani dhe janë mirë. Ato po presin derisa të flasin publikisht, por tani për tani nuk ndihen të sigurta”, tha avokati Dmitry Zakhvatov.
Ish gazetarja ruse u fut në listën e të kërkuarve në Rusi që kur u mësua se kishte shkelur masën e arrestit shtëpiak. Mbetet ende e paqartë si ia ka dalë që të futet në Europë.
Gazetarja 44-vjeçare u bë e njohur në mbarë botën në mars 2022 kur, si redaktore në stacionin televiziv të kontrolluar nga shteti rus, Channel One, ajo qëndroi pas një spikere dhe mbajti një tabelë ku shkruhej "Jo luftë" gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Ajo donte t’i tregonte botës se shumë rusë janë kundër pushtimit.