Dritëhije të shumta mbi rolin e kryeinfermierit të burgut të Durrësit, Aulon Çuku, në historinë e arratisjes më 13 janar, nga spitali i qytetit, të Altin Ndocit, i dyshuar për vrasje dhe përfshirje në organizata kriminale, si krahu i armatosur i organizatës të Çopjave. Sipas Prokurorisë, Çuku rezulton të jetë personi që ka nisur dhe më pas ka ndjekur të gjitha procedurat për transferimin e Ndocit jashtë burgut, drejt spitalit, pa kontaktuar më parë mjekun që do të duhej ta vizitonte të burgosurin.
***
Zanafilla e arratisjes së Altin Ndocit më 13 janar është vendimi i autoriteteve të burgut të Durrësit për ta shoqëruar atë në spitalin e qytetit. Sipas Prokurorisë kryeinfermieri Aulon Çuku, ka kërkuar rekomandim për pacientin e paraburgosur, nga mjekja e burgut, Yrfete Sema. Kjo e fundit, hartoi rekomandimin, pa i bërë vizitë Ndocit, duke sqaruar se ishte kryeinfermieri që e vuri në dijeni se Ndoci kishte dhimbje veshkash.
“Nuk kam dijeni nëse Aulon Çuku e ka vizituar të burgosurin Altin Ndoci, por dyshoj se ka hyrë në ambientet e dhomave të paraburgimit, pasi ka lënë aparatet celular pranë komodinave”, ka deponuar në prokurori mjekja Yrfet Sema.
Nga ana e tij Çuku mohon ta këta takuar në mjediset e izolimit Ndocin, ta ketë vizituar atë, apo t’i ketë kërkuar mjekes Sema rekomandim për vizitë. Sipas tij, ka qenë mjekja që ia ka dhënë vetë rekomandimin.
Ndërsa Prokuroria, në dyshimet e saj për rolin e kryeinfermierit, ofron si element shtesë dhe faktin se nga mbikëqyrja e kamerave të sigurisë në burgun e Durrësit vihet re një ndërveprim i dyshimtë midis tij dhe drejtorit tashmë të arrestuar, Indrit Cerloj. Por edhe në këtë rast, Çuku, ka mohuar të ketë pasur kontakt me drejtorin e burgut në intervalet e kohës së pretenduar nga hetimi
Por përtej lojës së kungulleshkave, mes kryeinfermierit dhe mjekes së burgut, një gjë duket të jetë e thuajse e qartë: pretendimet se Ndoci mund të ketë pasur shqetësime shëndetësore ngjajnë të jenë të rreme, siç dhe Prokuroria dyshon të kenë qenë dhe katër vizitat e mëhershme të tij në spital nga muaji tetor i vitit të kaluar.
Edhe sepse, shoqërimet e të burgosurve drejt spitalit, duket se ishin favore që kryheshin shpesh kundrejt pagesave, pasi sipas dosjes hetimore e cila i referohet informacioneve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, spitali shfrytëzohej kryesisht për “takime speciale”.
Vetë kryeinfermieri, të cilin gjykata e la në arrest shtëpie, ka treguar se nuk ka pasur dijeni për urgjenca shëndetësore të Altin Ndocit, as mëngjesin e 13 janarit kur e shoqëruan në spitalin e Durrësit.
Megjithatë roli i tij i mëpasshëm, ngre disa pikëpyetje. Mjekja Sema ka shpjeguar se “Auloni komunikon me spitalin për realizimin e vizitave ose konsultave”. Ndërsa prokuroria, në dosjen e saj, vë në dukje se
“Kryeinfermieri, para shoqërimit të të burgosurit, nuk e ka njoftuar mjekun e planifikuar për vizitë mjekësore në mënyrë që të merreshin masat për kryerjen e vizitës në kohë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas rekomandimit, Ndoci do të duhej të vizitohej në spital nga një mjek kirurg. Atë ditë, në shërbimin e rojës ishte kirurgu Naim Mediu. Ky i fundit, ka treguar përpara oficerëve të policisë gjyqësore se “rreth orës 10:30, më ka kontaktuar në telefon Aulon Çuku, i cili kërkoi konsultë për një të burgosur, me të cilin gjendej në ambientet e spitalit, në atë moment”, ka deklaruar në prokurori mjeku Naim Mediu.
Kirurgu dhe Çuku janë takuar më pas te recepsioni i Spitalit. Bazuar në rekomandimin e mjekes Sema se Ndoci kishte "dhimbje barku dhe mesi", kirurgu ka treguar se kishte rekomanduar që pacienti, të merrte 4 ilaçe që shërbenin për ta qetësuar dhe pas një intervali do shkonte ta vizitonte.
“Gjatë plotësimit të rekomandimit pacienti Altin Ndoci nuk ka qenë prezent, por ja kam dhënë Aulon Çukut për të vijuar me marrjen e ilaçeve”, është shprehur mjeku.
Pas këtij momenti kirurgu është futur në sallën e operacionit me tjetër pacient.
Por megjithëse kryeinfermieri rezulton të ketë marrë rekomandimin për t’i dhënë mjekime Ndocit, nuk rezulton që i burgosuri të ketë marrë trajtim, në pritje të vizitës me mjekun
Dy punonjësit e sigurisë të cilët qëndruan me Ndocin në dhomën e repartit infektiv kanë treguar se “u ka shkuar kryeinfermieri Aulon Cuku dhe se ai u ka thënë se doktori vonon 2 ose 3 orë”.
Kur ka dalë nga salla e operacionit, kirurgu Mediu ka shpjeguar se:
“Më ka kontaktuar në telefon Aulon Çuku, i cili më ka bërë me dije se pacienti Altin Ndoci ishte larguar nga spitali”, është shprehur mjeku.
Por një tjetër telefonatë mes të dyve është zhvilluar, sipas mjekut, në orën 15:00, afro dy orë nga arratisja e Ndocit. Ajo që habit është se këtë herë, sipas dosjes hetimore “Çuku e ka kontaktuar me një numër telefoni që mjeku nuk e kishte të regjistruar dhe kanë biseduar në lidhje se si kishte ndodhur ngjarja”.
Altin Ndoci u transportua me ambulancën e burgut, së bashku me një të paraburgosur tjetër, në shoqërinë e vetëm 5 punonjësve të sigurisë, në shkelje flagrante të protokolleve. Nga dhoma e spitalit e përshtatur me kafaz hekuri, ai arriti të largohet në momentin që kërkoi të shkonte në tualet.
Komente











