Kjo për shkak se Gjykata dhe Prokuroria janë treguar shumë bujar me Olsian Maçin, Albi Mcimin, Ervis Lamin, Bledian Deda dhe Alfred Qefalia.
Dhe nuk rezulton që në këmbim Prokuroria apo Gjykata të kenë kryer ndonjë marrëveshje që mund të zbardhte plotësisht planin e arratisjes, gjetjen e personit që maskoi armët në frigorifer dhe personin të brendshëm që lejoi futjen e pajisje elektroshtëpiake me 2 kallash, një automatik sharrs dhe 2 pistoleta brenda burgut të sigurisë së lartë.
Në kërkesën për gjykim të prokurorit nuk ka të pandehur dhe akuzë për sulmin me dy mitraloza të rëndë në drejtim të burgut të Drenovës teksa realizohej arratisja, apo vendosjen e bombës me celular në Korçë, duke rrezikuar të kryente një masakër të vërtetë.
Të vetmet akuza për 5 organizatorët dhe ndihmësit në arratisjen e Admir Tafilit, Fran Marashit, Gëzim Gurit, Gezim Tomës, Eduart Lulos, Reis Haxhirajt dhe Artur Gorës, janë armëmbajtja pa leje e cila me ndryshimet e reja në Kodin Penal përfshijnë një dënim 3 deri në 10 vite burg, si dhe akuza e dhënies ndihmë një personi për t’u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit, e cila përfshin dënimin maksimal 3 vite burg.
Lami dhe Maçi akuzohen edhe për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, për të cilin ka një dënim thuajse të pallogaritshëm për ta, nga gjobë deri në 6 muaj burg.
Duke marrë parasysh faktin se Maçi, Mcimi, Lami, Deda dhe Qefalia, kanë kërkuar gjykimin e shkurtuar, fakt i pakundërshtuar si nga Prokuroria dhe Gjykata, i bën automatikisht përfitues të uljes së 1/3-ës së dënimit që do të caktojë Gjykata.
Në seancën e fundit Maçi ka marrë përsipër të gjithë planin dhe organizimin e arratisjes së 7 të dënuarve të burgut të Drenovës, duke lehtësuar pozitën e 4 pjesëtarëve të grupit të ndihmës dhe organizimit. Duke parë mungesën e kundërshtimit edhe në këtë rast nga Prokuroria dhe Gjykata në momentin e dhënies së vendimit pritet të jetë vetëm Maçi në burg dhe të tjerët të gjithë të lirë.
Një standard krejt tjetër ky me të arrestuarit në Lazarat, të cilët nuk kanë bërë as më shumë dhe as më pak se “ndihmësit” e arratisjes në Drenovë.
Dhe ata kanë pasur në posedim armë automatike dhe eksploziv me të cilat kanë qëlluar në ajër dhe në drejtim të policisë, për të ndaluar veprimet e uniformave blu.
Por në rastin e Lazaratit të arrestuarit kanë përfunduar në Gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilëve të veçanta të punonjësit të policisë.
Në kërkesën për gjykim rezulton se ideatori i arratisjes ka qenë Admir Tafili, i cili i kishte kërkuar ndihmë Ervis Lamit, Bledjan Dedas, Alfred Qefalias dhe Albi Mcimit.
Lami, Deda dhe Mcimi kanë montuar në një frigorifer të përdorur 3 automatikë dhe 2 pistoleta. Frigoriferi ka hyrë në burgun e Drenovës. Më pas të katërt kanë marrë shtëpi me qira në Korçë.
Ditën e arratisjes ishin ndarë në 2 grupe, Mcimi, Maçi dhe Alfred Qefalia morën një automjet Volkswagen Passat që drejtohej nga Maçi.
Në grupin tjetër Lami dhe Dedja në automjetin tip Peugeot që drejtohej nga Blediani.
Pasi kanë marrë “OK” nga brenda burgut me telefon nga Tafili, grupi i parë ka vendosur në afërsi të rrugës së burgut litarin me gozhdë dhe shiritat e policisë, ndërsa grupi i dytë vendosi lëndën eksplozive në afërsi të komisariatit, shpërthimin e saj ata e komandonin me celular.
Pasi 7 të dënuarit kanë dalë jashtë murit rrethues të betonit që të frikësoheshin punonjësit e burgut grupi i ndihmësve nga jashtë burgut kanë qëlluar me dy mitraloza. Pasi kanë dalë përfundimisht jashtë ambientit të I.E.V.P, Drenovë-Korçë, ata janë shpërndarë në tre drejtime të ndryshme.
I dënuari Gora ka ikur i vetëm dhe është nisur me drejtim banesën e tij në fshatin Pojan. Ai është kapur në flagrancë duke udhëtuar për në këtë banesë në fshatin Dishnicë.
Të dënuarit Admir Tafilaj, Fran Marashi, dhe Gëzim Guri, kanë hipur në dy makinat që po i prisnin bashkëpunëtorët e arratisjes dhe më pas janë larguar për në drejtim të Tiranës Ata janë kapur në flagrancë në një magazinë të braktisur në Përrenjas.
Të tre të dënuarit e tjerë, Gëzim Toma, Eduart Lulo, Reis Haxhiraj, duke përdorur armët i kanë marrë automjetin Myfit Ustallit, i cili ka qenë duke udhëtuar rastësisht në vendin ku u kap nga të arratisurit, dhe janë larguar në drejtim të shtetit të Greqisë, ku më pas janë arrestuar nga autoritetet e këtij shteti.
Ky ishte fundi i arratisjes, ndërsa gjykata ka dënuar me 8.2 vite burg 19 gardianët e akuzuar për shkeljen e rregullave të sigurisë në burg duke mundësuar arratisjen, sa gjysma e kërkuar nga prokuroria; por nuk i ka nxjerrë ende fundin procesit për vetë të arratisurit dhe ndihmësit e tyre.
Dhe nëse procesi do të vazhdojë të ecë në rrugën që ka marrë, të paktën 4 nga 5 të akuzuarit për organizimin nga jashtë të arratisjes, data e vendimit do i gjejë jashtë hekurave.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)