Policia e Shtetit ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike për futjen ilegale të një shtetasi turk në Shqipëri duke sqaruar se ai përfitoi nga fluksi në Rinas, por nuk rezulton me probleme me drejtësinë dhe se hyrja i ishte refuzuar për shkak se nuk justifikonte qëllimin e udhëtimit.
 
Policia deklaron se shtetasit turk me inicialet I. E. pasi iu refuzua hyrja në Shqipëri u transferua përkohësisht në zonën e tranzitit në Rinas deri në përfundim të procedurave për kthimin e tij në Stamboll, por në këtë moment ai ka përfituar nga fluksi i madh i pasagjerëve ka dalë duke kaluar tek zona e kontrollit të pasagjerëve dhe më pas ka hyrë ilegalisht në Shqipëri.
 
Duke iu përgjigjur Partisë Demokratike, policia deklaron se shtetasi turk që ka hyrë në Shqipëri nuk ka qenë në kërkim dhe nuk rezulton që të ketë probleme me drejtësinë, por arsyet që kishte paraqitur për të vizituar Shqipërinë nuk ishin bindëse, prandaj u refuzua.
 
E ndërsa dokumentet e identifikimit të shtetasit turk ndodhen tek Policia kufitare, pasi sipas njoftimit oficeri po plotësonte dokumentacionin përkatës në momentin që u arratis, ai është shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tij dhe kthimin në Turqi.
 
Sipas PD, turkut i ndalohej hyrja në Shqipëri por në momentin e dorëzimit të pasaportës ai ka arritur të largohej nga kontrolli kufitar edhe pse mbahej nën vëzhgim.
 
“Personi megjithëse mbahej nën vëzhgim në zonën e tranzitit ka hyrë në territorin shqiptar, madje ka dorëzuar edhe pasaportën, dhe është larguar më pas nga kabina e kontrollit kufitar, aty ku duhej të ndalohej”denoncoi sot Partia Demokratike.
 
 
Njoftimi i plotë i policisë
Sot më datë 08.08.2016 ka ardhur nga Stambolli për në Shqipëri shtetasi turk I. E.
 
Pas intervistimit nga Policia Kufitare, këtij shtetasi i është refuzuar hyrja për Shqipëri pasi nuk justifikionte qëllimin e udhëtimit.
 
Sipas procedures ai u transferua përkohësisht në zonën e tranzitit deri në përfundim të procedurave për kthimin e tij në Stamboll.
 
Gjatë kohës që ky shtetas qëndronte në këtë zonë, duke përfituar nga fluksi i madh i pasagjerëve ka dalë duke kaluar tek zona e kontrollit të pasagjerëve dhe më pas ka hyrë ilegalisht në Shqipëri.
 
Dokumentat e identifikimit të   shtetasit turk ndodhen tek  oficeri i Policisë kufitare pasi oficeri po plotësonte dokumentacionin përkatës.
 
Gjithashtu theksojmë se motivi i refuzimit paraprak i hyrjes në Shqipëri ishte mungesa e arsyes bindese të udhëtimit
 
Ky shtetas nuk rezulton person në kërkim apo me probleme me drejtësinë.

 
d.b/shqiptarja.com