Gjykata e Lartë do të shprehet të hënën për njehsimin e praktikës gjyqësore sa i takon kushteve dhe kritereve për aplikimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Burime bëjnë me dije se të hënën në mesditë Kolegjet do të shprehen mbi kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë për rastin e Bektesh Zenelit, që u bë shkak për mbledhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nëse do të ndryshojë ose jo vendimi njëhsues i vitit 2011, ku referohen aktualisht organet gjyqësore për caktimin e masës së arrestit.
Bashkë me vendimin pritet që në seancën publike të shpallet edhe vendimi mbi vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara, por nuk dihet si janë ndarë në vota 16 gjyqtarët pro dhe kundër. Që të miratohet ai vendim, duhet që shumica e gjyqtarëve të votojnë pro iniciativës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Më 9 prill Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën të thirrura nga kryetari Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.
Janë të paktën tre momente që sipas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi duhen rishikuar. E para lidhet me faktin se sipas vendimit të 2011 gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme. Por, GJEDNJ thotë se “argumentet e gjykatave në favor të lirimit apo kundër nuk duhet të jenë të përgjithshme, por të përmbajnë referenca për fakte specifike dhe rrethana personale që justifikojnë paraburgimin e kërkuesit”.
Elementi i dytë për të cilin kërkohet rishikimi i vendimit të vitit 2011, lidhet me faktin se ndryshe nga çndodh aktualisht, rrezikshmëria e autorit nuk mund të përcaktohet nga vetë vepra penale. Gjykata Evropiane ka përcaktuar se serioziteti i veprës ose pasojat e saj nuk përbëjnë arsye të pavarura që justifikojnë ndalimin me burgim.
Dhe e treta, sipas vendimit unifikues të tetorit 2011 nga Gjykata e Lartë thuhet se për të përcaktuar të papërshtatshëm arrestin me burg duhet të ishte i akuzuari që jep argumenti pse. Pra duhet të jetë i akuzuari që të thotë se pse nuk duhet të rrijë në burg. Pra barra e provës i vendoset të akuzuarit dhe jo gjykatës apo prokurorisë. Kjo është në kundërshtim me praktikën perëndimore, prandaj sipas kreut të Gjykatës së Lartë kjo kërkon ndryshim.
Komente











