Dy operacionet e SPAK, të cilët goditën zyrtarët e lartë shtetërore për abuzimet me fondet publike, për deputeten e zgjedhur të Partisë Demokratike Jorida Tabaku, janë një fillim i mirë, por nuk është e mjaftueshme.
E ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet e Babaramos’, në Report Tv, Tabaku tha se është një drejtësi e cila po prek zyrtarët që firmosin dhe jo politikanët që marrin vendime, duke shtuar se ende nuk është treguar guximi. Sipas Tabakut, drejtësia e re do të tregojë veten kur të preken zyrtarë të lartë dhe politikanë të lartë që marrin vendime. Tabaku shton se në të dyja rastet drejtësia ka qenë selektive, dhe se nuk janë hetuar përgjegjësit e vertetë të abuzimit me fondte publike.
'Është një fillim i mirë, por nuk është i mjaftueshëm. Në rastin e uniformave të Policisë së Shtetit, tregoi se është selektive! Është një drejtësi që prek zyrtarë që firmosin dhe jo politikanë që marrin vendime. Por drejtësia e re do të tregojë, kur SPAK të hetojë korrupsionin e nivelit të lartë, pasi disa zyrtarë që firmosin një tender mund t’i arrestonte edhe drejtësia e vjetër.
Në të dyja rastet ka qenë selektive, nuk është hetuar për përgjegjësit e vërtetë, sidomos në rastin e uniformave të Policisë së Shteti dhe tregon se nuk kanë pasur guxim. Unë jam shumë dyshuese t’u besoj atyre që thonë. Në rastin e tenderit të uniformave ministri i brendshëm paditi PD për shpifje, duke thënë që nuk është e vërtet akuza që ju keni ngritur. Sa mundësi ka që një person që na ka paditur për shpifje të mos jetë i përfshirë?
Nuk di të flas për vullnetin e drejtësisë, po besoj se guximi nuk është treguar deri tani. Akuza janë bërë pa fund. Unë besoj se SPAK do të tregojë integritetin e tij. Sot krijohen kompani vetëm për të marrë tender, me bilanc zero dhe përfiton tender.’- tha Tabaku.
Sa i përket qëndrimit të Partisë Demokratike në legjislaturën e re në shtator, Tabaku tha se parlamenti i ri duhet shfrytëzuar maksimalisht për hetimin e krimeve zgjedhore dhe për të denoncuar korrupsionin.
‘25 prilli, besoj se ka qenë një proces që ka ndryshuar vullnetin e shqiptarëve pak nga pak, para zgjedhjeve. Një blerje vote me buxhetin e shtetit, një shkelje ligji. Askush nuk mund të më thotë se nuk ishte një masakër elektorale. Shtatorin e shoh si një mënyrë për të vazhduar ato beteja që PD ka pasur dhe besoj se mund të na sjelli me një temp të ri. Është diskutuar, ne do të përdorim të gjitha institucionet duke përfshirë edhe Kuvendin. Parlamenti i ri duhet shfrytëzuar maksimalisht për hetimin e krimeve zgjedhore dhe për të denoncuar korrupsionin.’- tha Tabaku.
O shoku kujdes mos te kthehet dhe ty SPAK
Përgjigju