Kryeministri Edi Rama ka folur sot për arrestimet e nivelit të lartë që SPAK ka kryer, duke u shprehur se këto janë vetëm fillimi i fundit për këta persona. Ai e konsideroi Reformën në Drejtësi si një luftë pa kthim duke thënë se në fund shteti do të fitojë.
‘’Çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash të profilit të larta është vetëm fillimi i fundit. Që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë. Do të jetë shumë e afërt koha kur të gjitha këto vatra do shuhen. Të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri se një pjesë ja kanë mbathur do përfundojnë aty ka kanë filluar të shkojnë.
Këtë luftë që e kemi filluar do ta fitojë shteti dhe do ta fitojë pa kthim. Nuk ka vend demokratik pa krim, zhdukja finale përfundimtare e krimit nuk është arritur në asnjë vend, por një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar do mbyllet pa kthim. Nëse për krimin e organizuar përdoret shprehja bota e nëndheshme, ata do kenë bishtat e tyre, por jo mbi dhe, por nën dhe. Mbi toka e Shqipërisë do jetë e qytetarëve.
Sa i takon luftës kundër korrupsionit, nuk dua të përsëris gjera që i keni dëgjuar me qindra herë. Dua të them pak gjera. Sipas meje këtu ka dy pozicione të dallueshme në mexhlisin e debatit publik. Njëri është drejtësinë e re e solli Amerika, tjetri pozicion është s’ka drejtësi të re por ka një skap që po na kap se e ka kapur Edi Rama. Të dyja këto janë të pavërteta’’- u shpreh kryeministri.
Duke folur për mekanizmat e tjerë që mund të ndërmerren për të luftuar korrupsionin, Rama tha se është i nevojshëm forcimi i kapaciteteve të brendshme të pushtetit ekzekutiv në mënyrë që të jetë në gjendje të kontrollojë personat që tentojnë të shpërdorojnë detyrën.
‘’Ne duhet të forcojmë kapacitetet e brendshme të qeverisë për ta kontrolluar shumë më tepër dhe shumë më në qelizë veprimtarinë në mënyrë që goditja e së keqes të mos jetë vetëm ekskluzive e SPAK. Nuk ka nevojë të presim SPAK për t’i vënë gishtin një drejtuesi të një institucioni që e ka marrë vesh gjithë lagjia që e ka dorën e gjatë’’ – shtoi Rama.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për ‘kapjen’ e SPAK-ut nga qeveria, Rama tha se nëse diçka e tillë do të ishte e vërtetë atëherë nuk do të kishte persona nga rradhët e socialistëve që do të shkonin në burg, por faktet tregojnë të kundërtën.
Lajmi kryesor: