Arrestimet, Këshilli shtyn 
vendimin,PD kërkoi prova shtesë 

Arrestimet, Këshilli shtyn <br />vendimin,PD kërkoi prova shtesë 
TIRANE - Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule, ka shtyrë për të hënën vendimin lidhur me kërkesën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme e cila i kërkoi të premten Kuvendit autorizimin për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, çka konsiston në heqjen e mandatit të tyre. Shtyrja e vendimit u njoftua nga deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi i cili tha se "U shty për të hënën me kërkesë të Partisë Socialiste." 

Burime për A1 Report bëjnë me dije se gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë kërkuar më tepër prova për të hequr imunitetin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, çka do të sillte edhe arrestimin e tyre.
 
Nga po të njëjtat burime mësohet se Arben Ristani ka deklaruar se Prokuroria është e zhytur në llum.

Këshilli ka vendosur të shtyjë për dy ditë vendimin ndërsa më herët deputeti Tom Doshi deklaroi se ka kërkuar një javë kohë që të njihej me akuzat e Prokurorisë, të cilat sipas tij nuk qëndrojnë. I pyetur nga gazetarët, nëse ai i druhet arrestimit, Doshi u përgjigj se “Çfarë nuk pret, ka edhe arrestime politike.”

Eduard Halimi pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve deklaroi se nga ana procedurale PD do të jetë gjithmonë pro çdo kërkese që vjen nga Prokuroria për këdo anëtar të Kuvendit. Por përsa i përket përmbajtjes për këtë rast, Halimi thekson se për PD është e qartë se është një farsë që synon mbylljen sa më parë të çështjes.

keshilli

Ora 21:47 Zbardhet kërkesa, Tom Doshi kërkon Avokat në Këshillin e Imunitetit 
Deputeti Tom Doshi përmes rrjetit social "Facebook", ka bërë publike edhe kërkesën zyrtare që ka paraqitur në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin duke kërkuar edhe kohë që të njihej me akuzat e Prokurorisë. Ajo që bie sy në kërkesën e deputetit Tom Doshi është prania e një Avokati mbrojtës në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tij.Kërkesa e plotë e Tom Doshit në Këshill

Ora 19:16 Halimi: Mbledhja u shty për të hënën
“Qendrimi i PD, ishte po ai që thashë më herët. U shtua një kërkesë tjetër nga Ristani që në mbledhjen e ardhshme të shqyrtohet edhe kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Shqyrtimin i kërkesës së Prokurorisë u shty për të hënën me kërkesë të Partisë Socialiste.”- tha Eduard Halimi. 



Ora 18:36 Topalli: Mbledhja e Këshillit të Rregullores sot është nul
Sipas Ish-kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli shprehet se Mbledhja e sotme e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit është nul
 
Sipas saj në bazë të ligjit të Parlamentit këtë trupë në mënyrë taksative e drejton vetëm Kryetari i Parlamentit dhe se ai nuk ka asnjë kompetence për të deleguar këtë detyrim.

Kreu i Kuvendit ka vendosur që mbledhja e sotme të drejtohet nga Nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Dule për shkak se emri i tij është përfshirë në këtë çështje nga deputeti Doshi i cili e ka akuzuar publikisht se ka porositur atentatin.
 
“Mbledhja e Keshillit të Rregullores sot është nul. Në bazë të ligjit të parlamentit këtë trupë në mënyrë taksative e drejton vetëm Kryetari i Parlamentit. Ai nuk ka asnjë kompetence për të deleguar këtë detyrim. Ky është ligji, kjo është praktika parlamentare qe kur ka hyre ne fuqi Rregullorja e re e Kuvendit. Çdo zgjidhje tjetër ala Meta është e kundërligjshme. Për rrjedhojë mbledhja e sotme nuk ka ndodhur. Ajo është NUL!”- shkruan në faqen e saj në "Facebook", ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

topalli fb

Ora 18:04 Doshi: Akuzat nuk qëndrojnë, i druhem arrestimit politik
Pasi ka lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit ku ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, deputeti Tom Doshi ka deklaruar se ka dorëzuar kërkesën për shtyrje të marrjes së vendimit për një javë, kohë e cila sipas tij do t’i shërbejë të njihet me akuzat e Prokurorisë, sipas tij këto akuza nuk qëndrojnë.
 
I pyetur nga gazetarët, nëse ai i druhet arrestimit, Doshi u përgjigj se “Çfarë nuk pret, ka edhe arrestime politike.”

"Bëra një kërkesë për shtyrje vendimi, që të njihem me akuzat e Prokurorisë. Akuzat nuk ekzistojnë. Akuza për Kallëzim të rremë, unë s’kam bërë kallëzim. Ndërsa akuza tjetër është për kanosje, s’kam bërë kanosje. Nëse do prokuroria çështja zbardhet. Problemi qëndron te Prokurori. Ka edhe arrestime politik, çfarë nuk pret. Nuk më kërkuan asgjë, bërë kërkesën time, presim vendimin që do të marrin."- tha Doshi.



Ora 17:56 Del nga mbledhja Mark Frroku: Unë jam shumë i shpejtë
Edhe pse ka qenë i fundit që hyrë, Mark Frroku ka qëndruar vetëm 17 minuta në ambientet e kryesisë së Kuvendit ku po zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
 
“Unë jam shumë i shpejtë” – ka thënë Mark Frroku duke mos preferuar të japë detaje për mediat lidhur me dëshminë e tij në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Ora 17:07 Halimi: Pro kërkesave të Prokurorisë, por hetimi është farsë për të mbyllur çështjen
Eduard Halimi pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve ka deklaruar se nga ana procedurale Partia Demokratike do të jetë gjithmonë pro çdo kërkese që vjen nga Prokuroria për këdo anëtar të Kuvendit.

Por përsa i përket përmbajtjes për këtë rast, Halimi thekson se për PD është e qartë se është një farsë që synon mbylljen sa më parë të çështjes ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
 
Kërkesa e Prokurorisë lidhur me dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ka dy anë, ka dy aspekte. Aspektin e saj formal procedurial dhe aspektin e përmbajtjes. Lidhur me aspektin formal procedurial, Partia Demokratike, në mënyrë koherente, ka qenë gjithmonë në favor të kërkesave të Prokurorisë për çdo anëtar të Kuvendit, në mënyrë që ata të shkojnë para drejtësisë si çdo qytetar i këtij vendi. Ky ka qenë një qëndrim koherent prej dhjetë vjetësh i Partisë Demokratike. Madje tre vjet më parë, ka qenë Partia Demokratike që ka propozuar një ndryshim kushtetues, sipas të cilit çdo deputet duhet të kishte të njëjtin standard për t’u gjykuar në mënyrë të barabartë si çdo qytetar i lirë i këtij vendi dhe ka qenë Partia Socialiste që e ka refuzuar. Në rast se Partia Socialiste do ta kishte pranuar në atë kohë amendamentin kushtetues, sigurisht që sot, nuk do kishte fare nevojë as për kërkesë të Prokurorisë për t’ia dërguar Parlamentit dhe as që të mblidhej ky Këshill. Standardi i Partisë Demokratike ka qenë një standard europian, pro hetimit, në mënyrë koherente dhe të qëndrueshme. Një standard që shkon drejt sundimit të ligjit, një standard që shkon drejt funksionimit të institucioneve demokratike në mënyrë që insitucionet të jenë të besueshme, por po ashtu edhe hetimi që del nga këto institucione të jetë i besueshëm. Kaq, përsa i përket anës formale proceduriale të kërkesës së Prokurorisë. Lidhur me anën e përmbajtjes, Partia Demokratike e ka bërë të qartë, se ajo dhe gjithë qytetarët shqiptarë e shohin këtë çështje si një përpjekje farsë për të mbyllur një orë e më parë çështjen ndaj Kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike e ka theksuar se çështja nuk ka filluar në datën 3 mars 2015. Çështja ka filluar 6 muaj më parë, kur Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, respektivisht Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, shmangën Prokurorinë për 6 muaj dhe në datën 3 mars 2015, kur Prokuroria filloi çështjen, ata dolën njëri pas tjetrit dhe u thanë shqiptarëve se këtu çështje nuk ka. Ndaj dhe për Partinë Demokratike dhe për gjithë shqiptarët është e qartë, se një hetim i kësaj afere, i kësaj çështje të numrit dy të shtetit dhe numrit një të ekzekutivit, nuk mund të jetë i besueshëm, për aq kohë sa numri dy i shtetit mban postin. Ai duhet të shkojë para drejtësisë ashtu si çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi, pa funksionin e Kryetarit të Kuvendit. Ndaj dhe qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë, ai do vazhdojë të jetë i njëjtë. Ne kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të japë dorëheqjen, të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë, në mënyrë që hetimi i Prokurorisë të jetë i besueshëm dhe i pranueshëm për Partinë Demokratike dhe për gjithë qytetarët.”-tha Halimi. 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Gara mbarëkombëtare, mbyllet pas 8 ditësh festivali i shahut në Vlorë! Risia e sezonit, presidenti Dervishaj: Ka vajza shumë të talentuara

Gara mbarëkombëtare, mbyllet pas 8 ditësh festivali i shahut në Vlorë! Risia e sezonit, presidenti Dervishaj: Ka vajza shumë të talentuara