TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur hetimet e SPAK-ut për vendosjen para drejtësisë të komisionerëve në 2017 në tre qendra në Durrës. Për Edi Ramën, kjo që ka ndodhur është një mësim se përse duhet depolitizimi i administratës zgjedhore, të cilin e kundërshtoi PD-LSI në Këshillin Politik.

Nga 22 të arrestuarit për krim zgjedhor, kryeministri Edi Rama shkruan se 14 të pandehur janë të PD-LSI dhe 8 të PS dhe ky numër sipas tij është provë se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, referuar opozitës jashtë parlamentit i ka duart të zhytura thellë në llum.

"Arrestimi i komisionerëve politikë të dosjes së famshme të Durrësit, nxjerr në pah psenë e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore!14 të pandehur të PDLSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!

Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar,që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM" tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:17
Krimi me zgjedhjet, Meta: Koha për t'i dhënë fund manipulimit, ndëshkim maksimal

Nuk ka munduar as reagimi i kreut të shtetit Ilir Meta për arrestimet për krimin zgjedhor në Durrës. Presidenti shkruan se të gjithë ata që kanë ndërhyrë për të manipuluar zgjedhjet duhet të marrin ndëshkim maksimal. "Koha për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave! Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve! Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore" shkruan Meta.

Ora 14:03
Shumica e komisionerëve të arrestuar të PD-LSI, Bardhi: U kërcënuan, ata janë bishti, të kapet koka

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi për arrestimin e komisionerëve në Durrës për krimin zgjedhor fajëson Edi Ramën. Edhe pse mes 21 komisionerëve të akuzuar, shumica prej tyre, pra 14 prej tyre janë të PD, LSI dhe PR, Bardhi thotë se komisionerët u kërcënuan. Ai thekson se manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti.

"Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime.

Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi. Vangjush Dako, i shpallur non grata nga SHBA, vazhdon të jetë i lirë, nën mbrojtjen e Edi Ramës. Të tjerë njerëz të afërt të Edi Ramës vazhdojnë të mos hetohen për lidhjet me trafikantët e drogës që blenë zgjedhjet për Edi Ramën në Durrës, Kavajë, Shijak, Lezhë etj.

SPAK duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit. Manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti. Blerja e votave, bashkëpunimi me krimin e organizuar në zgjedhje, kërcënimi i votuesve dhe komisionerëve, presioni ndaj administratës publike, janë krime që presin drejtësi. Kur do të urdhërohet arrestimi për këto fakte flagrante, që i ka dëgjuar e gjithë bota dhe që presin drejtësi prej 3 vitesh?" shkruan ai.

Ora 13:54
Krimi zgjedhor në Durrës, SHBA: SPAK po zbulon lidhjet midis krimit dhe korrupsionit

Zhvillimet e sotme mbi dosjen '339' janë cilësuar si 'një një tjetër gur' për drejtësinë e re nga ambasadorja Yuri Kim. Ajo ka reaguar me anë të një shënimi në rrjetet sociale duke përshëndetur veprimin e SPAK për 23 urdhër arrestet e lëshuara mbi dy çështje të ndryshme, laboratorin e drogës në Has dhe mbi të gjitha për zgjedhjet e 2017, të cilësuara si të manipuluara nga PD-ja. "Puna e SPAK për dosjen 339 ka filluar të zbulojë lidhjet midis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raforma në drejtësi vazhdon të ecë para dhe nuk mund të ndalet. Edhe një gur" shkruan Kim. 

Ora 12:10
'Kronikë e një ngjarje që dihej botërisht', Salianji reagon për urdhër arrestet '339-ës': SPAK sapo gërvishti dosjen

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji ka reaguar për 23 urdhër arrestet e lëshuar nga SPAK në lidhje me dosjen 339 ku dy çështjet më të rëndësishme janë laboratori i drogës në Has dhe zgjedhjet e 2017 që PD-ja pretendon se janë të vjedhura.

Sipas Salianjit kjo është një kronikë e ditur botërisht, por e pa pandëshkuar për shkak se Ramës i duhet ky sistem për zgjedhjet. Ish-deputeti i PD-së thotë se kjo është vetëm një gërvishtje që SPAK i ka bërë dosjes, pasi zullumi është shumë i madh.

Përfaqësuesi i PD-së shkon më tej duke deklaruar se nëse do ishte ndërhyrë në kohë 'pushteti ilegjitim i Ramës nuk do të qêndronte deri në fundmandati, nuk do të varfëronte shqiptarët, nuk do i ngarkonte me borxhe për të pasuruar miqtë, nuk do privatizonte Shqipërinë nga mineralet në bregdete dhe nuk do falimentonin mijëra biznese'.

"Kronikë e një ngjarje të ditur botërisht por të pandëshkuar....

Hetimi pas sinjalizimit nga partnerët ndërkombëtarë për një laborator heroine në Has vendosi në përgjim persona të krimit të organizuar.

Rastësisht në përgjime rezultoi që në disa qarqe Kukës, Lezhë, Shkodër, Durrës, Kavajë... llumi i krimit ishin shtabi elektoral i Partisë së Ramës.

Gjithçka ne si opozitë denonconim për vjedhje votash, kërcënim, intimidim të votuesit, përfshirje të kriminelëve në zgjedhje u faktua plotësisht në dosjen hetimore, njësoj dhe në rastin e “Dosjes së Dibrës” .

Lajm pozitiv që SPAK sot ka nisur të gërvishtë këtë plagë që opozita e ka denoncuar dhe është përballur prej vitesh. Arrestimet e sotme janē minimaliste por të shpresojmë që janë fillimi për të arritur më pas tek drejtuesit kryesore të Rilindjes që sot drejtojnë shtetin.

Së paku arrestet e sotme treguan që në zgjedhjet e vitit 2017 kutitë janë mbushur, është votuar në emër të emigrantëve, janë kërcënuar komisionerë dhe votues, krimi është përfshirë drejtpërdrejt, politikanët e rilindjes i kanë vënë shtetin në dispozicion bandave për të siguruar vota për Ramën.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, nëse do kishte reagim pas denoncimeve të shumta të opozitës pushteti ilegjitim i Ramës nuk do të qêndronte deri në fundmandati, nuk do të varfëronte shqiptarët, nuk do i ngarkonte me borxhe për të pasuruar miqtë, nuk do privatizonte Shqipërinë nga mineralet në bregdete, nuk do falimentonin mijëra biznese, nuk do largoheshin qindramijëra qytetarë në emigracion, nuk do kthehej Shqipëria në qëndër operacionale e trafiqeve dhe krimit të organizuar.....

Dita po vjen, pushtetit që vjen era fëlliqësi po i vjen fundi."-shkruan Salianji.