Një reagim politik është bërë dje përpara Komisariatit të Policisë së Korçës, ku mbahet 27-vjeçari Kevi Muçllari, i arrestuar pas sherrit me këshilltarin demokrat Engjëll Shyti në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit.
Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka dalë para mediave duke mbrojtur veprimet e të riut dhe duke e quajtur arrestimin e tij një akt të padrejtë. Kapri tha se ishte nisur nga Tirana për ta inkurajuar Muçllarin, të cilin e cilësoi si shembull qytetarie dhe guximi.
Sipas tij, arrestimi është i fabrikuar dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut, pasi i riu kishte reaguar në mbrojtje të interesave të banorëve të fshatit Çërravë.
"U nisa nga Tirana të paktën për të përshëndetur dhe për të inkurajuar Kevi Muçllarin për aktin e tij qytetar që bëri në Këshillin Bashkiak të Pogradecit. Në mënyrë tinëzare dhe aspak njerëzore u arrestua dhe ka një akuzë të fabrikuar vetëm se bëri detyrën e tij qytetare. Unë mendoj që të gjithë shqiptarët duhet të ishin krenarë se si një djalë qytetar, një student i 10-tës në shkencat politike ngrihet pro banorëve dhe shkon në një mbledhje të Këshillit Bashkiak ku në vend të inkurajohet, arrestohet dhe mbahet në burg pa patur mundësinë për ta takuar. Unë mendoj që kushdo gjyqtar që do ketë çështjen e tij të japë drejtësi, ta lenë në gjendje të lirë se kemi të bëjmë qartësisht me një shkelje të kushtetutës dhe të drejtave të njeriut”, thotë Kapri.
Sipas Kaprit, rasti i Muçllarit tregon se në Shqipëri ende ndëshkohet protesta dhe guximi qytetar, ndërsa e cilësoi si një mesazh politik që synon të frikësojë banorët që ngrejnë zërin kundër abuzimeve me pronat publike.
"Imagjinoni absurdin që një njeri merr guximin të protestojë, të ngrejë zërin, jetojmë në një vend demokratik, provokohet nga kryetari i bashkisë dhe i montohen akuza të paqena duke parë videon të gjithë shqiptarët. Muçllari duhet përgëzuar për të gjithë aktin që mori sepse ky është një model që duhet të inkurajohet në shoqëri. Duhet të protestojnë e jo të rrinë gojëkyçur dhe aq më tepër që kemi të bejmë me një akt korruptiv të Bashkisë Pogradec që u merr banorëve një pronë të përbashkët dhe pa treguar qëllimin se çfarë do ta bëjnë atë pronë, detyron e Këshillin Bashkiak të tjetërsojë atë pronë komunitare”, shprehet ai.
Në përfundim, Kapri theksoi se ngjarja është një provë e qartë e mungesës së demokracisë dhe kërkoi drejtësi për 27-vjeçarin nga Pogradeci.
“Kam marrë kontakt edhe me avokaten e popullit sot e cila më ka konfirmuar që është rregjistruar çështja për të parë nëse ka shkelje në arrestimin e Muçllarit. Gjithashtu si deputet dhe si anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare, do i kërkoj AMP-së të hetojë rastin e Muçllarit se besoj se kemi të bëjmë me një shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, se si një qytetar arrestohet pse protestoi. Ky është një absurd tjetër sesi një vend synon të anëtarësohet pas disa vitesh në BE, i riu arrestohet se proteston. Unë mendoj se kemi të bëjmë me një mesazh të pastër politik, për tu thënë të gjithë banorëve të Çërravës, një nga fshatrat me të mëdhenj të Korcës, por edhe gjithë Shqipërisë që kushdo që ngre zërin do ketë fatin e tij", përfundoi ai.
Komente









