Deri në tensione të dhunshme është shoqëruar mbledhja e kësaj të hënë në Këshillin Bashkiak në Pogradec. Prej disa kohësh banorët e fshatit Cërrave janë ngritur në protesta të vazhdueshme kundër dhënies me qira të sipërfaqeve kullotësore në fshatin e tyre.
Ky projekt vendim ditën e sotme është miratuar me votat e të majtëve, pas procedurës së votimit banorët të pranishëm në mbledhje dolën duke thënë “turp” për këshilltarët që votuan këtë projekt- vendim.
Ndërsa, këshilltari Engjëll Shyti i dalë nga lista e Bashës është ngritur dhe është konfrontuar fizikisht me njëri prej banorëve.
Pas mbledhjes këshilltari i këshilit bashkiak Arbër Male është shprehur se bashkia po rrëmben të gjitha tokat blektore, ndërsa shtoi se këshilltarët e tjerë kanë qenë nën presion për të votuar këtë vendimmarrje.
Ndërkaq Nexhmi Tora specialist në bashki pranoi se tokat aktualisht përdoren nga banorët por tha se pas kesaj vendimmarrje tokat do të jepen me qera ndersa i konsiderojne banoret e fshatit si zaptues.
Fshati Cërrave pjesën më të madhe të ekonomisë e orienton tek blektoria ndërsa banorët nëpërmjet kësaj vendimmarrje nuk dihet se si do të veprojnë pasi më herët ishin shprehur kundër saj dhe në mbrojtje të kullotave të fshatit.
Debatet në mbledhje:
Qytetari: Turp të keni, legena!
Anëtari i Këshillit Bashkiak: Mua më thua legen ti mo?! Legen thuaji motrës tënde në shpi, jo mua këtu!
Qytetari: Të them që ç'ke me të!
Anëtari i Këshillit Bashkiak: Po të ishte motra jote këtu do ti thosha legen?!
Qytetari: Legen janë burrat, jo gratë!
Ngjarja ka shkaktuar kaos të përkohshëm në sallën e mbledhjeve, ndërsa ndërhyrja e pjesëmarrësve të tjerë ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Ndërkohë policia ka arrestuar Kevi Muçllarin. 27-vjeçari akuzohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
"Siç e patë edhe vetë pati një moment tensioni sepse Engjëll Shyti, këshilltar u ngrit dhe na kërcenoi për shkak të asaj që thashë unë, moment acarimi, tensioni. Kuptohet pas miratimit të vendimit që ne ishim totalisht kundër. Kryetari i bashkisë tha, këto janë teka kjo është e pavërtetë deri në momentin që situata ishte e qetë gjithçka ishte racionale.
Të gjitha argumentet që paraqitëm ne dhe që i kemi paraqitur vazhdimisht, dihen dhe janë shumë të arsyeshme. Në këto momente kryetari i bashkisë tha që kjo është tekë edhe hajde ta votojmë. Nga ky moment ndodhi edhe tensioni me anëtarin e këshillit bashkiak. Me siguri është fakti që ne nuk kemi për ta lënë këtu këtë punë. Edhe këshilltarët turp të kenë që mbajtën këtë qëndrim që nga fillimi, edhe ata që e ndryshuan.
Më vjen keq, ata që e ndryshuan e duhet të ishin përballë kësaj situate, duke ndërruar edhe bindjet e tyre. Kjo punë nuk mbetet me kaq, ne do vazhdojmë të ndjekim të gjitha hapat ligjorë. Kjo është e papranueshme pasi gjithë komuniteti është i prekur edhe ne do luftojmë se nuk kemi çfarë të bëjmë", citohet të ketë thënë qytetari.
Banorët e fshatit Cerrave kërkojnë lirimin e bashkëfshatarit të tyre, Kevi Muçllari, i cili u arrestua sot pas konfrontimit fizik që pati me anëtarin Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Engjëll Shyti.
Të mbledhur para komisariatit të policisë në Pogradec, banorët që ishin të pranishëm në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u votua dhënia me qira e sipërfaqeve kullotësore të Cerravës, thonë se 27-vjeçari është arrestuar padrejtësisht, duke shtuar se prej tij nuk pati akte dhune.
Avokati Endri Çela e cilëson të gabuar akuzimin e Kevi Muçllarit për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, duke arsyetuar se mes 27-vjeçarit dhe këshilltarit pati vetëm shtyrje, dhe e cila ndodhi pas procesit të votimit.
“Unë mendoj që arrestimi i bërë për shtetasin Kevi Muçllari nuk është në mbështetje të ligjit. Së pari, nuk jemi në kushtet që kemi një goditje, ka patur një shtyrje të përbashkët me personin tjetër. Nuk është provokuar nga ana e Kevit mosmarrëveshja, apo konflikti për aq sa mund ta quajmë konflikt. Dhe nuk jemi në kushtet e një goditje klasike për shkak të detyrës. Element i dytë që është i rëndësishëm për t’u theksuar në këtë rast është fakti që mosmarrëveshja nuk lindi për faktin kë votoi një këshilltar apo kë votoi një këshilltar tjetër, pavarësisht kundërshtisë që kishte Kevi dhe gjithë banorët e tjerë. Mosmarrëveshja lindi për faktin që në momentin që Kevi ishte duke u larguar, pati një reagim nga persona të tjerë. Pra nuk lidhet me votimin që pati një këshilltar apo shumë këshilltarë të tjerë, por lidhet me faktin për debate pasi kishte përfunduar procesi i votimit”,- tha Çela.
Në mbështetje të banorëve, para komisariatit të policisë ishte edhe anëtari i pavarur i Këshillit Bashkiak, Arbër Male, i cili pretendon se Engjëll Shyti, ndonëse është pjesë e Këshillit Bashkiak, është edhe i punësuar në një ndërmarrje të bashkisë së Pogradecit. Ai thekson se sipas nenit 42 të ligjit për qeverisjen vendore kjo është kategorikisht e ndaluar.
“Të gjithë ne sot kemi ndjekur me shqetësim mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, ku unë si anëtar, kam qenë edhe prezent edhe dëshmitar ocular. Përfaqësuesi i bamorëve Kevi Muçllari ka shprehur argumentin e tij në mbrojtje të interesit publik, të interesit të banorëve që është në fshatin e tyre, që është administruar prej vitesh nga këta banorë. Ka dhënë argumentat ligjorë dhe morale që i takonin kësaj zone. Më pas është provokuar nga një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak që është në konflikt interesi, pasi është i punësuar në një prej ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Pogradecit dhe neni 47 i ligjit për qeverisjen vendore e ndalon një veprim të tillë”,- tha Lale.
Përplasja fizike mes këshilltarit demokrat dhe 27-vjeçarit ndodhi pas votimit të projektvendimit për dhënien me qira të sipërfaqeve kullotësore në fshatin Cërrave. Pas procedurës së votimit banorët të pranishëm në mbledhje dolën duke thënë “turp” për këshilltarët që votuan këtë projekt- vendim.

Policia ka arrestuar Kevi Muçllarin, qytetarin i cili sot u përplas fizikisht me Engjëll Shytin, këshilltarin demokrat të Këshillit Bashkiak Pogradec. 27-vjeçari akuzohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin K. M., 27 vjeç, banues në Pogradec.
Më datë 10.11.2025, rreth orës 14:25, në ambientet e Bashkisë Pogradec, gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ky shtetas fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit E. Sh., 47 vjeç, anëtar i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme",- njofton policia.
Përplasja fizike mes këshilltarit demokrat dhe 27-vjeçarit ndodhi pas votimit të projektvendimit për dhënien me qira të sipërfaqeve kullotësore në fshatin Cërrave. Pas procedurës së votimit banorët të pranishëm në mbledhje dolën duke thënë “turp” për këshilltarët që votuan këtë projekt- vendim.
Komente










Bashkia i konsideroka banoret e fshatit /zaptues tokash/ e nga ana tjeter i jep keto toka me qera per panele diellore!! Kesaj i thone /Erdhen xvendesit te heqin vendasit/.
PërgjigjuNe video keshilltari demokrat sulmon qytetarin.ekziston video.ishalla ju qr qytetari tju hedhi ne gjyq per manipulim provash
Përgjigju