Arrestimi i Doshit e Frrokut, si
veprohet për heqjen e imunitetit     

Arrestimi i Doshit e Frrokut, si<br />veprohet për heqjen e imunitetit 

 

 
TIRANE - Pas kërkesës që Prokuroria i ka bërë Kuvendit për autorizim për arrestimin e dy deputëve konkretisht Tom Doshi dhe Mark Frroku, tashmë pritet që Kryetari i Kuvendit të mbledhë Këshillin për rregulloren mandatet dhe imunitetin.

Referuar rregullores së Kuvendit neni 118 i saj parashikon se kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin. Pika dy e nenit thotë se deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Pika 6 e nenit 118 thotë se në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Ora 17.00 Kërkesa për arrestim, nesër mblidhet Këshilli për mandatet
Këshilli për mandatet do të mblidhet të shtunën për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Doshi e Frroku. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta për A1 Report. Këshilli për mandatet përbëhet nga kryeparlamentari Ilir Meta, kreu i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafajt, deputetët Namik Dokle, Vasilika Hysi, Armando Subashi, Eduard Halimi, Arben Ristani, Kastriot Islami dhe Dashamir Tahiri.
 
Prokuroria kërkoi nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e Doshi dhe Frrokut, pasi sipas hetimeve të Krimeve të Rënda rezultoi se kanë inskenuar atentatin të mbetur në tentativë ndaj Doshit dhe deputetit demokrat Mhill Fufi, të denoncuar publikisht nga deputeti i përjashtuar nga PS.  

kuvend
kuvend

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet në Vlorë, reshjet e 4 tetorit, më të mëdhajat e regjistruara ndonjëherë! Sinoptikania Gjoni: Këtë javë rriten temperaturat

Përmbytjet në Vlorë, reshjet e 4 tetorit, më të mëdhajat e regjistruara ndonjëherë! Sinoptikania Gjoni: Këtë javë rriten temperaturat