TIRANË - Pas arrestimit të beftë të Erion Veliajt nga SPAK, që e detyroi të ndërpresë agjendën e një sërë takimesh në Shkodër të hënën, këtë të martë kryeministri Edi Rama, mbërriti rreth mesditës në Bashkinë e Tiranës. Aty  takoi shkurt siç burimet thonë, 5 nënkryetarët e bashkisë  Anuela Ristani, Andi SeferiKeti LuarasiJonida Halili dhe Frida Pashako dhe sekretarin e përgjithshëm, Alban Dokushi

Firmën e qytetarit të parë të Tiranës teksa qëndron në hetim e derisa drejtësia të flasë me vendim të formës së prerë, burimet thonë se Erion Veliaj do ia lë brenda ditësh një prej nënkryetarëve, pasi nuk do të ketë shkarkim të tij.

Sakaq, Rama u kthye sërish në ambjentet e bashkisë së Tiranës gjatë orëve të pasdites.

Pas natës së parë në qeli, herët gjatë ditës, kryetarin e Bashkisë së Tiranës prej vitit 2015, të akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, e vizituan avokati Henrik Ligori dhe sekretari i Përgjithshëm i bashkisë. Të mërkurën në orën 08.30 të mëngjesit, kryebashkiaku pritet të dalë para Gjykatës së Posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Vijën politike të socialistëve se nuk komentojnë proceset e hapura nga drejtësia, Erion Veliaj nuk mundi ta respektojë dot, kur pak pas arrestimit të hënën në zyrën e tij, në reagimin e parë nga qelia e bllokut të sigurisë, i quajti idiotësi akuzat e ngritura nga prokurori Olsi Dado, që sipas tij shantazhoi edhe dëshmitarët e  fatkeqësisht - siç u shpreh kryebashkiaku - u sigluan edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani.

Nën hetim SPAK tha se ka vënë edhe deputeten socialiste Klotilda Bushka, pasi dyshon se ka bërë veprime që kanë penguar hetimin, element që nuk i shpëtoi debateve në Komisionin parlamentar të Ligjeve që ajo drejton.

“Ne si gjithë Komisioni i Ligjeve duhet të kishim reagim unifikues me situatën që ka ndodhur. Prandaj, zonja kryetare, mund t’ia lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi. Zonja kryetare ke penguar drejtësinë. Mbyllni gojën anëtarë socialistë të Komisionit, se nuk keni moral të flisni. Është turp. Vjen era korrupsion”, tha deputeti i PD Dashnor Sula.

“Ju sqaroj që ky është një komision ligjesh dhe jo komision hetimor, unë jam drejtuese e komisionit të ligjeve dhe jam duke ushtrua detyrën time. Nëse kam diçka për të sqaruar do ta sqaroj atje ku sqarohen. Sa i takon çështjes së dinjitetit unë kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do jem”, u përgjigj deputetja Bushka.

Sipas SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe një 6 biznesmenë pranë tij. Ajola Xoxa u kthye brenda ditës nga një udhëtim në Itali, për të zbatuar masën e arrestit shtëpiak. Në burg është edhe biznesmeni Elman Abule ndërsa 5 biznesmenët e tjerë, Gentian Sula, Memiman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, me masa detyrim paraqitje, për korrupsion aktiv, të cilët nesër dalin po ashtu para gjykatës.

Masat e sigurisë dhe akuzat
Erion Veliaj – Arrest me burg; korrupsion (9 raste) dhe pastrim parash
Ajola Xoxa – Arrest shtëpie; korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie
Elman Abule -Arrest me burg; Pastrim Parash
Gentian Sula – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
Meriman Palushi – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
Fatmir Bektashi -Detyrim paraqitjeje; Korrupsion aktiv
Sokol Kryeziu Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
Shkëlqim Fusha Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv