POGRADEC- Ministria e Drejtësisë njoftoi mbrëmjen e kaluar se ministri Ulsi Manja kishte firmosur shkarkimin e drejtorit të Burgut të Fushë Krujës, Durim Toska, por pa dhënë detaje specifike mbi rrethanat.

Report Tv ka mësuar se Toska është prangosur nga uniformat blu në qytetin e Pogradecit, pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Kjo e fundit rezulton e pajisur edhe më urdhër mbrojtje.

Gjatë kontrollit që uniformat blu kanë ushtruar në shtëpinë e Toskës, i është gjetur edhe një pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin Durim Toska, 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje", njofton policia.

Arrestimi i tij u mësua 1 orë pasi zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë Krujë.

Në njoftim thuhej se ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte ndërmarrë këtë hap pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cenuara nga Durim Toska.

Arma e zjarrit pa leje që mbante Toska