Arrestimi i dy mjekëve në QSUT për korrupsion ka revoltuar bluzat e bardha të cilat protestuan në lidhje me këtë vendim. Në një lidhje me skype për Report Tv, mjekja shqiptare nga Gjermania Aurora Meta Dollenberg u shpreh se mënyra sesi po trajtohen mjekët është e gabuar. Sipas saj, fillimisht nuk duhet të publikohen të dhëna personale për opinion publik as nga media e as nga institucionet përkatëse, pasi kështu gjyqi i bluzave të bardha po bëhet në mënyrë ‘popullore’.

“Është me të vërtetë kontradiktore fakti që Shqipëria ka nevojë për mjekë , por nga ana tjetër shohim skenare të tilla ku gjyqi i një mjeku bëhet në mënyrë popullore dhe  mënyre jo të ligjshme sepse këto janë mbrojtje e të dhënave të individëve. Nuk mundet pra që emrat e mjekëve, skenari provat shumë të pakta që ishin një telefonatë në fund të fundit për korrupsion, të dalin në mënyrë të menjëhershme në publik dhe mos të ruhet identiteti i mjekëve dhe figura në total e profesionist shqiptar. Është një strategji e gabuar si e mediave por edhe institucioneve që janë përgjegjëse që të bëhet një politikë që i ndjek mjekët”, tha Dollenberg.

Për Dollenberg, arresti është një masë e tepruar pasi konsiderohet shkelje e lirisë së individit. Duke bërë një krahasim me Gjermaninë, një vend ku bluzat e bardha shqiptare kanë përfituar shumë viza pune, Dollenberg tha se në Gjermani zakonisht për raste të tilla ka ndëshkim monetar. Por, kur shkelje të rënda të detyrës rasti ndiqet nga Gjykata në një procedurë që mund të zgjasë për shume kohë, por arrestimi i mjekëve nuk behet pa pasur prova të besueshme.

“Arresti është masë e tepruar dhe shkelje e lirisë së individit. Nëse bëhet një shkelje profesionale duhet të merren masa. Në Gjermani ka ndëshkim monetar, paguhet dëmshpërblim që e vendos në fund gjyqi pas një procedure që shkon me vite, duhet të kalojnë muaj, të verifikohet çdo provë që është kundër mjekut dhe pasi janë marrë pohimet e dëshmitarëve. Është një procedurë që nuk mund të bëhet brenda disa javësh, por do disa muaj. Ndonjëherë mund të shkojë dhe disa vite, derisa të jetë e sigurt dhe gjyqësia që këto prova të jenë të vërteta dhe nëse ka ndodhur një gabim të jetë shumë i bazuar dhe jo në bazë të provave të cekëta. Heqja e lirisë së individit është masa më ekstreme që unë kaq vite në Gjemani, jo vetëm tek mjekët shqiptar por edhe tek kolegët Gjemani nuk e kam përjetuar asnjëherë. E thënë nga eksperienca që kemi në Europë mënyra sesi po trajtohen mjekët në Shqipëri është e gabuar”, vijoi Dollenberg.

E pyetur në lidhje me shpërblimet që marrin nga pacientët mjekja shqiptare në Gjermani tha se maksimumi që mund të marrin është një tufë lule. Sipas saj mjekët nuk kanë asnjë lloj kontakti me paratë, pasi faturat paguhen nëpërmjet kasës. Dollenberg tha se edhe në Gjermani çdo rast i marrjes së parave të pacientëve konsiderohet korrupsion.

“Maksimumi një tufë lule mund t’i bëhet mjekut. Është e përjashtuar në çdo institucion qoftë ambulant qoftë spitalor që mjekut t’i jepen para sepse është një formë korruptimi. Ti i kërkon një favor duke i dhënë para. Nëse pacienti është mirënjohës jep një tufë lule. Kjo është formë shpërblimi shumë e njohur dhe e pranuar nga institucionet punëdhënëse në Gjemani. Ne si mjek nuk kemi asnjë lloj kontakti me paratë me pacientin sepse gjithçka kalon nëpërmjet kasës së shëndetit dhe ministrisë së Shëndetit. Çdo komunikim monetar me pacientin bëhet një subjekt për tu marrë një padi, qoftë nga infermieri që i merr qoftë nga pacienti.  Në Gjermani kjo gjë është e përjashtuar, paratë nuk i takojnë formës së shpërblimit”, tha Dollenberg.