Rithemelimi ka cilësuar arrestimin e mjekut reanimator Fetim Marku, i cili u kap duke marrë ryshfet, si një show, të Edi Ramës për të mbuluar skandalin e mbylljes së shkollës "Mehmet Akif".

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, mjeku Erges Eskiu, thotë se arroganca e qeverisë ndaj mjekëve nuk mjafton vetëm me largimin e tyre.

‘Mijëra studentë të mjekësisë qindra mjek me eksperiencë mendojnë vetëm të ikin dhe arsyeja është vetëm një, kjo qeveri nuk ofron mbështetje, alternativë, inkurajim për punën e tyre përtej sakrificës.’- u shpreh ai.

Sipas Rithemelimit, profesioni i mjekut është shndërruar në një punë e cila sipas Ramës duhet t'i shërbejë nesër patronazhistëve, rrjedhimisht shkatërrimit të zinxhirit profesional për të cilën mjekët kanë dhënë betimin e "Hipokratit".

‘Fakti është arrestimi i mjekut në Qendrën e Traumës, i shoqëruar me policë me maska sikur të ishte krimineli më i kërkuar në vend.’- tha ai.

Mjeku thotë se pamjet e arrestimit të mjekut, nuk po shihen më prej vitesh kundër bandave të cilat me qeverinë e Ramës, ikin dhe zhduken në drejtim të paditur, sepse janë po këto banda që e mbajnë në pushtet.

‘Shfaqja u bë për të mbuluar veprimin e fundit jonormal të Ramës; mbylljes së shkollës Mehmet Akif me të cilën Edi Rama dëshmoi qartë se është i marrë peng prej Erdoganit dhe po e bën Shqipërinë një shtet satelit të Turqisë.’- e përmbyll fjalën e tij Eskiu.

Mjeku reanimator, Fitim Marku u arrestua pas denoncimeve të qytetarëve për marrje ryshfeti. Ai mori 20 mijë lekë nga një agjent i infiltruar, duke përfunduar në pranga së bashku me infermieren dhe një mjek tjetër. Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultonte se këto persona, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndrydhëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë.