Një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh, Policia e Shtetit ka zbardhur detaje të reja për operacionin, duke bërë të ditur se 48-vjeçari u kap me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas policisë, Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh gjatë operacionit të koduar “Metodat”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Autoritetet bëjnë me dije se ai është dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Po ashtu, policia njofton se ndaj Habilajt është ekzekutuar edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me vendimin nr. 192 të datës 26 dhjetor 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe 46 vjeçari Eduard Ahmeti banues në Sarandë, ndërsa një 70 vjeçar italian me inicialet S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Arrestimi i Habilajt u bë publik mbrëmjen e së premtes. Burime të Report TV bënë me dije se ai ishte lokalizuar në një beach bar në Borsh, në pronësi të familjarëve të tij. Sipas të njëjtave burime, në momentin e arrestimit ai mbante kapele dhe kishte lënë mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin.
Kush është Moisi Habilaj
Moisi Habilaj është një nga emrat më të njohur të dosjes së trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ai është shpallur fajtor për trafikim droge në 4 episode gjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe Itali. Habilaj u dënua me 15 vite burgim nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 10 vite.
Ndërkohë në vitin 2021, Gjykata e Apelit e Katanias në Itali e dënoi përfundimisht Moisi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg. Së bashku me Habilajn u dënuan edhe Meridian Sula, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vinccenso Spanpinato, Angjelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko.
Por vendimi që e dënoi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg erdhi pasi më herët Gjykata kishte ndryshuar masën e sigurisë duke e nxjerrë Habilajn nga qelia në "arrest shtëpie" .
Më pas kur u vendos dënimi i tij, Habilaj nuk u gjet në banesën e tij në adresën që kishte dhënë në Raguza të Italisë, e cila ishte në pronësi të vëllait. Ai ishte arratisur.
I lidhur me grupin e trafikut të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj, rezultoi të ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kujtojmë se për të kërkuar arrestimin e Tahirit, Prokuroria përdori një pjesë të mirë të përgjimeve të kryera nga Guardia di Finanza italiane për të arrestuar Moisi Habilajn, kushëri të ministrit dhe vëlla i Artan Habilajt, edhe ai i akuzuar për trafik droge.
Tahiri u dënua më 4 shkurt 2022 me 5 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3 vite e 4 muaj burg. Ish-ministri qëndroi përafërsisht rreth 16 muaj burg qeli.
Tahiri sipas prokurorisë, rezultonte se kishte favorizuar grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, i cili kishte funksionuar në shtetin italian. SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin, por GJKKO vendosi ta rikualifikojë veprën penale dhe e dënoi atë vetëm për shpërdorim detyre me 5 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3.4 vite burg.
Njoftimi i plotë i policisë
"Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme."
Komente







